Fjala e ambasadorit Delawie gjatë konferencës për përvjetorin e dhjetë të Kushtetutës së Kosovës
Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Prishtinës. 14 qershor 2018
Mirëmëngjesi. I nderuar dekan, zëvendës-dekane, profesorë, studentë, kam kënaqësinë që jam me ju sot këtu.
Jam më se i lumtur që po marr pjesë në kremtimet tuaja për përvjetorin e dhjetë të Kushtetutës së Kosovës. Shumë prej jush e dini se kolegët e mi nga ambasada amerikane, Departamenti i Shtetit, qeveria amerikane dhe nga institucionet ligjore të SHBA-së kanë ndihmuar gjatë hartimit të Kushtetutës së Kosovës, e cila natyrisht është e juaja, por edhe ne ndjejmë një pjesë të vogël të pronësisë dhe krenarisë për të.
Kushtetuta juaj është më e reja në Evropë dhe është një ndër dokumentet fundamentale më përparimtare dhe më bashkëkohore në botë. Është hartuar me përkushtimin e disa personave në këtë sallë. Në vetvete, ky dokument është institucion i gjallë që përkufizon shtetin tuaj dhe mishëron mbrotjet për popullin tuaj. Zotimet që burojnë prej saj janë fisnike që Kosova do të jetë “anëtare e denjë e familjes së shteteve paqedashëse në botë”. Prandaj, dhjetë vjet shtetësi të Kosovës dhe duke parë këtë sallë përplot me mendjet ligjore të ardhshme të Kosovës, ju uroj që ta ruani dhe ta mbroni kushtetutën tuaj.
Kushtetuta e Kosovës i ndan parimet themelore me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ashtu që autoriteti përfundimtar i qeverisë rrjedh nga të qeverisurit dhe koncepti i qeverisjes buron nga një sistem i ligjeve e jo i individëve.
Kjo është ajo që e bën sundimin e ligjit aq thelbësisht të rëndësishëm dhe përse më dëgjoni vazhdimisht duke thënë se sundimi i ligjit duhet të mbetet prioritet numër një për Kosovën. Sundimi i ligjit fillon me kushtetutën dhe rrjedh nga ajo. Pra, para jush e keni një mundësi të jashtëzakonshme përderisa qëndroni në fillim të dhjetëvjeçarit të dytë të Kosovës së pavarur.
Megjithatë, parimet në vetvete nuk mjaftojnë për të krijuar sundimin e ligjit apo për të siguruar që qasja në drejtësi i mundësohet të gjithë qytetarëve të vendit tuaj ose që drejtësia vërtetë vepron për interesat e tyre. Për ta mundësuar këtë, ju duhet të keni institucione të drejtësisë të fuqishme, të qëndrueshme dhe të afta, të lira nga ndërhyrja politike dhe që demonstrojnë se mund të punojnë për tërë popullin e Kosovës.
Mënyra se si funksionon sundimi i ligjit përkufizon mënyrën se si do të zhvillohet vendi – ka ndikim në besimin e qytetarëve, klimën e investimeve, rritjen ekonomike dhe madje edhe në sigurinë tuaj. Është thelbësore që ta bazoni ushtrimin e profesionint tuaj në kushtetutë dhe ju nxis ta mbani këtë në mend çdo ditë të karrierës suaj përderisa jepni kontributin tuaj për trupën e ligjeve, precedenteve dhe avokatisë së Kosovës.
Kushtetuta juaj është nënshkruar shumë shpejt pas lindjes së shtetit tuaj dhe ka qenë faktor i rëndësishëm në zhvillimin e hershëm të Kosovës. Ajo është sprovuar dhe dëshmuar me shumë sfida, ndër të cilat kryesoret janë: zgjedhjet, si përkufizues kyç i praktikës së demokracisë; formimin e qeverisë, që është thelbësor për shtetin për të funksionuar, dhe se si t’i normalizoni marrëdhëniet me Serbinë, si çelës i çbllokimit të stabilitetit rajonal.
Gjykata Kushtetuese, e themeluar një vit pas miratimit të kushtetutës, është bërë ndër institucionet më të afta dhe apolitike të vendit. Ky organ ka thelluar arsyetimin e saj përmes mendimeve të kujdesshme dhe një rrjedhë pozitive të mendimeve kundërshtuese të vëmendshme. Këto janë elementet që i formojnë mburojat dhe i udhëheqin profesionistët për të interpretuar dhe zbatuar ligjin dhe me kohë krijojnë shoqëri të bazuar në ligj që do të mundësojë integrimin e plotë të Kosovës në komunitetin e kombeve të BE-së. Ju nxis të merrni përgjegjësinë serioze për vazhdimin e ndërtimit dhe zhvillimit të kësaj kulture ligjore, gjithmonë në përpjekje si profesionistë të fushës për t’i zbatuar edhe më me përsosmëri zotimet e kushtetutës.
E nuk mundem, në këtë ditë që rastësisht përkon me ditën kur Gjykata Kushtetuese humbet kuorumin, të mos bëj thirrje urgjente për përzgjedhje dhe emërim të individëve profesionistë, apolitik dhe me përvojë në pozitat e lira të gjyqtarëve.
Ta lësh këtë institucion thelbësor jofunksional është e papranueshme dhe ta mbushësh atë me emërime politike do të ishte tragjedi për Gjykatën dhe Kosovën. Ka kandidatë të mirë, të paanshëm dhe ekspertë dhe shpresoj që do t’i mbështetni ata.
Siç e dini nga çdo ndërveprim që e kam me ju, kam ndjenja të fuqishme se përderisa e ndërtoni kulturën ligjore të Kosovës, duhet vazhdimisht të ri-zotoheni për ta bërë sistemin e drejtësisë të pavarur më funksional dhe më shumë të orientuar drejt rezultateve në emër të qytetarëve të Kosovës. Për këtë gjë duhet punë e përditshme dhe mund t’ju duket jointeresante. Por, është urgjente dhe thelbësore për zhvillimin e vendit tuaj dhe mënyra e vetme që opinioni publik të fitojë më shumë besim në ju.
Kalimi i EULEX-it këtë javë në detyra më të përqendruara jashtë gjykatave paraqet moment kyç. Për herë të parë, gjykatat e Kosovës do të jenë plotësisht vendore dhe tërësisht llogaridhënëse. Kur gjykatësi i fundit ndërkombëtar të largohet nga Gjykata Kushtetuese, bota do të shikojë kah ju për të parë se si do ta mbroni kushtetutën tuaj nga presioni politik kur të jetë plotësisht në duart tuaja dhe kur nuk keni askë tjetër për ta fajësuar për problemet.
Kuptojeni se kushtetuta juaj ende zbatohet jopërsosshmërisht. Arkitektura e sofistikuar në letër që mishëron mbrojtjen për pakicat dhe gjuha e përpiktë për të drejtat e njeriut duhet të garantojnë zbatim në praktikë të të drejtave gjuhësore, të trashëgimisë kulturore, fetare, të tokës dhe të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e saj.
Drejtësia e barabartë para ligjit ende do punë. Shumë qytetarë dyshojnë se sistemi i drejtësisë me të vërtetë po punon për ta. Shumë shpesh duket sikur ata që janë politikisht të fuqishëm dhe me lidhje të mira përballen me një lloj tjetër të drejtësisë se sa qytetarët e rëndomtë.
Gjithmonë, por veçanërisht këtë vit kur shtetet anëtare të BE-së do të marrin vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën kryesisht duke u bazuar në sundimin e ligjit, aktorët e sistemit të drejtësisë duhet të sigurojnë se të fortët e të dobëtit përballen me standardin e njëjtë të lartë të drejtësisë. Qytetarët e Kosovës nuk janë të bindur se kjo po ndodh sot. Sigurisht që Kushtetuta e Kosovës duhet të nderohet, por duhet edhe të zbatohet. E zbatimi i saj duhet të shihet pikërisht nga ata që ju takon, nga vetë qytetarët e Kosovës.
Prandaj, në këtë përvjetor, më lejoni t’ju uroj edhe njëherë dhe t’ju nxis për motivim dhe energji për të qenë kujdestarë të kushtetutës së Republikës së Kosovës. Është udhërrëfyesi juaj dhe ju duhet të jeni mbrojtësit e saj.
Ju faleminderit shumë.