Fjala e ambasadorit Delawie gjatë konferencës për arsimin e lartë të organizuar nga KUSA

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë konferencës për arsimin e lartë të organizuar nga KUSA, 26 prill 2018

Faleminderit, Mjellma. Më vjen shumë mirë që jam bashkë me juve këtu. Zëvendës-ministër, kolegë, akademi, zyrtarë universitetesh: Mirëmëngjesi të gjithëve! Në veçanti dëshiroj t’ju them mirëmëngjes dhe t’i falënderoj ish-pjesëmarrësit e programeve të shkëmbimit në SHBA, që kanë punuar me aq mund për ta mundësuar këtë konferencë dhe për ta bërë Kosovën vend më të mirë për të gjithë.

Temat që do t’i shqyrtoni gjatë kësaj konference janë thelbësore për të ardhmen e Kosovës. Në dhjetë vjet, Kosova ka arritur shumë duke u rritur si vend i pavarur, demokratik me ekonomi në rritje. Por, nëse duam të vazhdojmë të shohim përparim, duhet të sigurohemi që të rinjtë kosovarë të jetë të përgatitur për tregun e punës dhe të gatshëm për t’i kontribuar ekonomisë.

Viteve të fundit kam pasur rastin të udhëtoj shumë nëpër Kosovë dhe të takohem me të rinj të zgjuar e të talentuar kosovarë. Shumë prej tyre kanë vende pune të nënvlerësuara. Shumë të rinj shohin drejt Evropës perëndimore apo SHBA-së për punë. Ata duan të kontribuojnë këtu, por nuk mund të gjejnë punën e përshtatshme për shkathtësitë e tyre dhe në përputhjeme nevojat e tregut.

Ju mund ta ndryshoni këtë.

Të gjithë që janë sot këtu kanë përgjegjësi për ta pajisur rininë kosovare me shkathtësitë e buta dhe njohurinë teknike që ju duhen për të qenë të suksesshëm. Si profesorë dhe drejtues universitetesh, ju e keni fuqinë për të hartuar planprograme që iu mësojnë studentëve më shumë se sa vetëm fakte e formula. Ju duhet t’ua mësoni atyre mënyrat e reja si t’i trajtojnë problemet dhe që ushqejnë shkathtësitë e të menduarit kritik dhe kreativitetin e duhur për të lulëzuar në ekonominë të ditëve të sotshme.

Universitetet luajnë rol të madh në zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të udhëheqësve, por si të vetme ato nuk mund të trajtojnë sfidat e Kosovës në arsim. Qeveria, në veçanti Ministria e Arsimit ka përgjegjësi të jashtëzakonshme. Ratifikimi i kohëve të fundit i anëtarëve të ri të Këshillit shtetëror për Cilësi dhe puna e vazhdueshme në projektligjin e ri për arsimin e lartë po ecin në rrugë të duhur. Këta hapa do të përmirësojnë integritetin akademik, cilësinë dhe përfshirjen në sistemin e arsimit të lartë të Kosovës, si dhe do të fillojnë ta sjellin këtë sistem në përputhje me standardet ndërkombëtare. Është absolutisht thelbësore që t’i ndërmerrni hapat e duhur për të mbajtur dhe rifituar akreditimin brenda Evropës. Duhet ta kryeni këtë detyrë sa më shpejt që është e mundshme. Studentët tuaj meritojnë shumë më mirë se çka kanë tash për tash dhe e vetmja mënyrë për t’ua dhënë këtë është duke e mbajtur politikën larg arsimit, duke siguruar që emërimet bëhen me meritë dhe duke e zbatuar strategjinë e Kosovës për arsim të lartë.

Në fund, informatat nga sektori privat do të ndihmojnë për të siguruar që universitetet dhe kolegjet po i përgatitin studentët për vende pune që i presin pas diplomimit. Të gjithë i dini cilësitë e pabesueshme që rinia kosovare i ofron dhe e dini më mirë se kushdo tjetër ku ka nevojë për zhvillimin e shkathtësive të reja. Duhet të shohim bashkëpunim të hapur dhe të sinqertë ndërmjet qeverisë dhe akademisë nëse doni t’i përmbushni qëllimet tuaja për të rinjtë kosovarë dhe për të ardhmen e tyre. Shpresoj që do ta shfrytëzojeni këtë mundësi për tu përfshirë në biseda të hapura me kolegët tuaj nga arsimi i lartë dhe punoni së bashku për të siguruar që studentët i kanë gjërat që ju nevojiten për të kontribuar në ekonomi dhe në shoqërinë kosovare.

Dëshiroj të falënderoj KUSA-n dhe ish-pjesëmarrësit e programit “Bota e hapur” për punën e tyre për ta mundësuar këtë konferencë. Ne i mbështesim programet e shkëmbimit si Bota e hapur, Fulbright dhe Programin për udhëheqësit e rinj sepse mendojmë se sistemi i arsimit në SHBA mund t’ju ofrojë shumëçka të rinjve kosovarë. Por, ndikimi afatgjatë vjen kur këta pjesëmarrës të programeve të shkëmbimit kthehen në shtëpi, kur i shkëmbejnë atë që e kanë mësuar me të tjerët dhe kur i zbatojnë projektet e reja që e ndihmojnë Kosovën për të ecur përpara.

Një gazetare dhe eksperte e arsimit nga Amerika, Suzie Boss ka thënë: “hapi i parë për t’i mësuar studentët për zbulim është duke u siguruar që edukatorët kanë mundësi për të qenë vetë inovatorë”. Ju nxis ta shihni veten si inovator gjatë kësaj konference. Duke punuar bashkërisht në tërë sektorët, ju e keni fuqinë për të bërë ndryshim të njëmendtë në arsimin në Kosovë dhe për të ardhmen e Kosovës.

Dëshiroj t’i them edhe nja dy-tri fjalë. Për fat të keq, i dëgjova vetëm disa pjesë të prezentimit të Dr. Lane, por si i diplomuar nga një kolegj arteve liberale, e përkrahu me tërë qenien tërë atë që e tha ai. Mendimi im personal, jo i qeverisë sime, është se lavjerrësi po luhatet pak si tepër kundër edukimit në artet liberale. Mendoj se të gjithë ne që kemi pasur privilegjin të fitojmë arsim në artet liberale e dinë se sa shumë na ka ofruar ai arsimim jo vetëm duke na ofruar shkathtësi për të jetuar jetë të frytshme, por edhe për të kontribuar në shoqëritë tona. Besoj në arsimimin në arte liberale, por më duhet të pranoj se argumentet e mia nuk kanë qenë aq bindëse për fëmijët e mi sepse që të dy studiojnë në fushat e teknologjisë, inxhinierisë dhe matematiës, por prapëseprapë do të vazhdoj ta promovoj këtë arsimim.

Në fund dua të them se shumë prej jush keni dëgjuar për Programin për udhëheqësit e ri, përmes së cilit 185 studentë të ri kosovarë kanë shkuar në SHBA gjatë tri viteve të fundit për të studiuar e diplomuar në SHBA. Është program i mrekullueshëm, por për fat të keq, është në përfundim e sipër: grupi i fundit i studentëve është në vitin e fundit të studimeve në SHBA. Gjatë pothuajse tri viteve që jam këtu, kam pasur rastin të flas me shumë prej këtyre të rinjve kur janë kthyer në Kosovë dhe mund t’ju them se studentët kosovarë janë po aq të mençur sa studentët nga çfarëdo vendi tjetër i botës. Këta të rinj bëjnë punë të shkëlqyeshme, por kanë pasur mjaft telashe me mënyrën se si zhvillohet mësimi në SHBA. Ata janë po aq të mençur sa të gjithë të tjerët, por ndoshta nuk janë po aq të përgatitur sa të tjerët. Mendoj se të gjithë duhet të marrim përgjegjësinë për të parë se çka mund të bëjmë për këtë. Nuk mund t’i bëjmë më të mençur; s’ka nevojë të jenë më të mençur – por, mund t’i përgatisim më mirë. Mund të sigurohemi që të jenë më mirë të përgatitur prej shkollës fillore në Kosovë, në shkollë të mesme, në shkolla publike e private… Mendoj të gjithë e kemi mundësinë për të kontribuar në përparimin e Kosovës dhe të rinjve kosovarë duke bërë më të mirën e mundshme për të përmirësuar sistemin e arsimit në Kosovë.

Ju faleminderit shumë.