Fjala e ambasadorit Delawie gjatë Javës së Gruas 2018, Korrupsioni si kërcënim ndaj demokracisë, 20 mars 2018
Mirë se vini të gjithë! Më vjen shumë mirë që jam këtu për ngjarjen e përvitshme të Javës së Gruas. Mendoj se tema e këtij viti me të vërtetë i përmbledh sfidat përkufizuese me të cilat përballet Kosova: përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri të barabartë dhe përfshirëse dhe luftën kundër korrupsionit.
E kam thënë shumë herë se ndërtimi i qeverisjes së mirë dhe përpjekjet kundër korrupsionit janë prioritetet e mia më të mëdha e arsyeja për këtë është se përparimi në këto çështje mundëson çdo gjë tjetër në Kosovë.
Çdo ditë që e kaloj këtu kam rastin të takohem me gra – fermere, ndërmarrëse, gjyqtare, edukatore, politikane dhe udhëheqëse në shoqërinë civile, shumë prej të cilave janë edhe bashkëshorte dhe nëna dhe kujdestare në shtëpi – e të cilat po japin krejt çka kanë për ndërtimin e demokracisë së vendit të tyre dhe për krijimin e një shoqërie më të mirë. Por, pa marrë parasysh sa me mund punojnë gratë dhe sa shumë mund të arrijnë, ato duhet ta dijnë se prijësit e Kosovës po punojnë po aq shumë dhe me më shumë përkushtim se sa tani për arritjen e të njëjtave qëllime: për të siguruar pranim të barabartë dhe mbështetje dhe rast të njëmendtë për sukses për çdo qytetar.
Mendoj se është turpëruese që Kosova i ka vetëm dy ministre në qeverinë e tashme (më vjen mirë që njërën prej tyre po e shoh këtu) dhe asnjë kryetare komune. Për ta përmbushur demokracinë e Kosovës, të gjithë ne – burra e gra – duhet të punojmë më shumë për këtë çështje.
Demokracitë mund të ndërtohen mbi bazën e kushtetutës, ligjeve dhe normave politike, por ato lulëzojnë mbi bazën e besimit të qytetarëve të tyre. Besim në integritetin e sistemit ku qytetarët dhe shërbyesit publikë i japin llogari njëri-tjetrit, besim se rruga e suksesit dhe begatisë nënkupton përfillje e jo shpërfillje të rregullave, si dhe besim se çdo zë do të dëgjohet. Por, korrupsioni është kancer që pushton dhe përfshin institucione të shëndetshme. Ai rrënon vendosmërinë qytetare, ushqen cinizmin dhe përbuzjen, si dhe dobëson përbërjen shoqërore të shoqërisë duke i bërë njerëzit të dyshojnë se lufta ia vlen.
Duhet të luftoni – kjo është e vetmja mënyrë. E një ndër armët më të mira që i kemi në luftën kundër korrupsionit është vendosmëri urgjente dhe e pandalshme për llogaridhënie. Kjo nënkupton vlerësim të performancës së gjyqësorit, largim të menjëhershëm nga puna të zyrtarëve të korruptuar, shqyrtimi me seriozitet i raporteve të Zyrës kombëtare të auditimit, si dhe pastrim të prokurimit publik. Gjithashtu nënkupton të sigurohemi se ka ndarje të përgjegjshme të burimeve, përfshirë edhe buxhetim në baza gjinore që ia mundëson qeverisë promovimin e barazisë përmes politikave fiskale.
Natyrisht kjo nënkupton edhe krijim të hapësirës për zëra dhe ide të reja dhe një qeveri që përfaqëson të gjithë njerëzit e jo vetëm të fuqishmit. Kjo duhet të përfshijë më shumë gra prijëse në çdo komunitet, në çdo komunë, në çdo nivel të qeverisë. Gratë ndoshta nuk janë në vetvete më imune ndaj tundimeve, por prania e tyre shpesh ndihmon për t’i shkundur sistemet e ngulitura të fuqisë dhe patronazhit në të cilat korrupsioni lulëzon. Përfaqësimi dhe shembujt e mirë kanë rëndësi, gjë që e ka shprehur edhe ish-Presidentja e Kilit, Michelle Bachelet: “Demokracia më e mirë është ajo ku gratë jo vetëm kanë të drejtë të votojnë dhe të zgjedhin [përfaqësuesit e tyre], por edhe të zgjidhen”.
Këto janë vetëm disa gjëra që mund të bëhen. Por, natyrisht e dimë se asnjë listë e thjeshtë nuk mund të ndikojë në ato lloj të reformave gjithëpërfshirëse të nevojshme në çdo nivel të qeverisë në Kosovë për t’i çrrënjosur praktikat korruptive. Kemi qenë krenarë për bashkëpunimin me ju në këto çështje dhe do të vazhdojmë të jemi të përkushtuar për to. Por, ndryshimi i vërtetë vjen nga brenda. Çdo grua dhe çdo burrë në këtë sallë ka fuqinë për ta ndryshuar status quo-në. Duhet të merrni pjesë, të ndërmerrni veprim, të ngritni zërin për të kërkuar më shumë dhe të refuzoni fitimet e shpejta për vetvete. Duhet t’ua përkujtoni prijësve tuaj se i keni zgjedhur për t’i shërbyer interesit publik e jo të tyrit.
Kosova përnjëmend është vend i posaçëm, vend frymëzues, por suksesi i saj nuk vjen lehtë. Duhet të luftoni për të. Si çdo demokraci, kërkon të punohet çdo ditë – kërkon më të mirën që mund ta jepni. Shirley Chisolm, gruaja e parë afrikano-amerikane e zgjedhur në Kongresin e ShBA-së ka thënë: “Nëse nuk ju japin ulëse rreth tavolinës, silleni me veten karrigen palosëse”. Çdo grua e meriton një vend në demokracinë e Kosovës dhe tash, duhet të shtyheni me bërryla dhe ta zini ulësen në tavolinë pa marrë parasysh a ju ftojnë apo jo.
E di se tema e sotshme është korrupsioni, por para se ta përmbylli, dëshiroj t’ju tregoj shkurtimisht për Arjeta Gashin, të cilën e kam takuar para disa javëve gjatë një interviste në TV. Arjeta e kishte humbur rastin e shkurorëzimit në gjyq, por nuk ishte mposhtur. Larg nga kjo madje. Ajo mësoi gjithçak rreth ligjeve për të drejtat pronësore, mësoi për pengesat me të cilat përballen gratë në Kosovë për t’i jetësuar të drejtat që ligji tashmë ua jep në letër. Pastaj ajo themeloi një organizatë për t’ju ndihmuar grave të tjera për t’i ushtruar të drejtat e tyre pronësore. Aq shumë më frymëzoi ajo, vendosmëria dhe këmbëngulja e saj, madje edhe në çastet më të errëta. Pikërisht njerëzit si Arjeta do të ndihmojnë në mbajtjen e besimit në Kosovë.
Me këtë lloj aktivizmi i ktheni gjërat për së mbari. Kjo është sfida me të cilën përballeni të gjithë ju dhe përderisa ngriteni, ta dini që ne do të ngritemi krah për krah me ju.
Ju faleminderit shumë.