Fjala e Ambasadorit Delawie gjatë hapjes së ekspozitës së fotografive të John F. Kennedy-t, 17 maj 2017
Mirëdita të gjithë juve, dhe ju faleminderit që keni ardhur në hapjen e ekspozitës së fotografive, “Vizionari amerikan: Jeta dhe koha e John F. Kennedy”. Dëshiroj ta falënderoj Muzeun Smithsonian të Artit Amerikan në Uashington DC që na e ofroi këtë ekspozitë, dhe dua t’i falënderoj Fazliun dhe Bibliotekën Kombëtare, që do të jenë nikoqirët tanë prej sot e deri më 28 maj. Me kënaqësi po them që prej Bibliotekës Kombëtare, kjo ekspozitë do të udhëtojë edhe në komunitete të tjera në Kosovë, përfshirë Prizrenin, Pejën, Mitrovicën veriore dhe Vitinë, deri në fund të vitit 2017.
John Fitzgerald Kennedy, Presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara, u lind 100 vjet më parë, në muajin maj. Kjo ekspozitë, siç sugjeron edhe titulli i saj, paraqet jetën e tij prej rritjes si fëmija i dytë prej nëntë fëmijëve të Joe dhe Rose deri në rritjen e fëmijëve të tij, Caroline dhe John, Jr. (i riu) me bashkëshorten e tij, Jackie, në Shtëpinë e Bardhë. Ndonëse për shumë prej nesh jeta dhe karriera e tij tashmë janë të paharrueshme, kjo ekspozitë paraqet shumë momente prapa legjendave që tashmë i njohim mirë. Prej ngritjes së tij të shpejtë në politikë e deri në vdekjen e tij tragjike dhe të parakohshme, këto fotografi paraqesin gjallërisht shtatin ikonik të Presidentit John F. Kennedy.
Por për mua, dhe për shumë të tjerë që janë në shërbim publik sot, këto fotografi paraqesin frymëzimin e Presidentit Kennedy. Disa mund ta quajnë edhe udhërrëfyes tonin etik, çdo ditë që vijmë në punë. Unë ia kam kushtuar karrierën time, po ashtu edhe kolegët e mi, shërbimit për popullin amerikan dhe qeverive që ata i kanë zgjedhur. Ka mbi 30 vjet që e kam përqafuar faktin që shërbimi publik është vetëm kaq – shërbim ndaj popullit.
Më 20 janar 1961, në fjalimin e tij inaugurues, Presidenti Kennedy e shprehu këtë ndjenjë me fjalët që përherë do të jehojnë tek ata që janë të përkushtuar për të bërë ndryshim pozitiv në vendet e tyre e më gjerë: “Dhe kështu, bashkëkombësit e mi amerikanë: mos pyetni çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju, por çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj”. Kjo thirrje për shërbim—që është po aq e rëndësishme këtu dhe tani siç ishte atëherë—është njëra prej trashëgimive të qëndrueshme të Presidentit Kennedy.
Ai besonte me pasion në sistemin demokratik, ku secili qytetar—prej Presidentit deri tek punëtori—kishte një rol vendimtar për të luajtur. “Në një demokraci,” Presidentit Kennedy i pëlqente të thoshte, “secili qytetar, pavarësisht interesit të tij [saj] në politikë, ‘mban një detyrë; secili prej nesh është në një pozitë me përgjegjësi; dhe … lloji i qeverisë që marrim varet nga mënyra si i përmbushim ato përgjegjësi. Ne, populli, jemi shefi, dhe ne do ta marrim atë lloj lidershipi politik, qoftë të mirë apo të keq, që e kërkojmë dhe e meritojmë”.
Për këtë mbahen zgjedhjet në një sistem demokratik. Ato nuk janë burim i pushtetit politik apo pozitës — ato janë mënyra përmes të cilës njerëzit i zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Dhe në një demokraci përfaqësuese si e jona – dhe e juaja në muajin e ardhshëm – përfaqësuesit e qeverisë nuk duhet të zgjidhen thjesht sepse ata do t’i përfaqësojnë pikëpamjet e votuesve apo të partisë së tyre politike. Ata duhet të zgjidhen sepse votuesit kanë besim në gjykimin e tyre për t’i shërbyer interesit më të mirë kolektiv, në përkushtimin e tyre për t’i shërbyer të mirës publike, në integritetin e tyre dhe në guximin e tyre.
Ishte e fundit nga këto cilësi – guximi – në të cilën Presidenti Kennedy përqendrohej më shpesh. Në librin e tij që fitoi Çmimin Pultizer në vitin 1956, “Profilet në guxim”, Presidenti Kennedy shkroi histori të liderëve – në fjalët e tij – “besnikëria e vazhdueshme e të cilëve ndaj kombit të tyre triumfoi mbi të gjitha konsideratat personale dhe politike”, duke demonstruar kështu “kuptimin e vërtetë të guximit”.
Sipas Presidentit Kennedy, një komb ka nevojë për liderë me guxim për të menduar përtej modeleve tradicionale politike; për ata që do të përqafojnë vendime të vështira, në vend që të zmbrapsen nga përgjegjësitë e tyre ndaj kombit. Ky është guximi të cilin unë, si shërbyes publik, duhet ta dëshiroj—dhe ky është edhe guximi për të cilin demokracia jonë—dhe e juaja—duhet t’i mbajë liderët tanë.
Kosova ka nevojë për më shumë shërbyes publikë dhe liderë politikë si ky—individë të zotuar për t’u shërbyer interesave të vendit të tyre mbi të gjitha konsideratat personale ose politike; liderë të gjykimit, përkushtimit, integritetit dhe, mbi të gjitha, guximit. Por kjo ju takon ju qytetarëve, shefit, siç ju thirri Presidenti Kennedy. Gjatë fushatave dhe në kabinën e votimit, si dhe për ata që mbeten në zyrë politike sot, ju jeni shefi–dhe ju takon juve që ta kërkoni llojin e lidershipit politik që e meritoni. Jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme, por për të ardhmen e Kosovës.
Ju faleminderit që erdhët këtu. Gjersa e eksploroni jetën dhe kohën e Presidentit Kennedy përmes kësaj ekspozite, shpresoj që vizioni i tij do t’ju frymëzojë, ashtu siç më ka frymëzuar mua.