Fjala e ambasadorit Delawie gjatë hapjes së Domino’s Pizza

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë hapjes së Domino’s Pizza,18 qershor 2018

Mirëmëngjesi. Kam kënaqësinë që jam këtu për t’i shprehur mirëseardhje Domino’s Pizza në Kosovë. Ardhja e Domino’s pason ardhjen e disa franshizave të tjera amerikane në Kosovë, si KFC dhe Marriott, dhe jemi më se të lumtur që këtu kemi edhe një brend të madh amerikan.

Rrëfimi i Domino’s shpërfaq shpresën e bizneseve amerikane. Dy vëllezër themeluan këtë ndërmarrje në vitin 1960 në qytetin e tyre të lindjes. Diçka që filloi me një dyqan, tani është shitësi më i madh i pizave në botë sa i përket shitjeve dhe i ka më shumë se 14000 dyqane anembanë botës.

Një arsye e popullaritetit të franshizave amerikane është përkushtimi i tyre për mbajtjen e cilësisë. Për këtë arsye, nuk është e lehtë të fitohet franshiza. Ndërmarrjet si Domino’s kërkojnë që çdo franshizë-marrësi të përmbushë kritere të rrepta sepse ata e luajnë rolin e ambasadorëve të ndërmarrjes në vend.

Një franshizë po ashtu është edhe shenjë e besimit në një vend. Franshizat si Domino’s bëjnë hulumtime të gjera para se të hyjnë në një vend të ri. Një investim nga Domino’s në Kosovë është investim nga njëri ndër brendet më të suksesshme amerikane në tregun amerikan. Kur ndërmarrjet e tjera amerikane e shohin çka po bëjnë Domino’s dhe franshizat e tjera në Kosovë, edhe ato do të mëtojnë më shumë për t’i hulumtuar mundësitë këtu.

E ardhmja e Kosovës është integrimi i saj në ekonominë botërore. Shtimi i pranisë së franshizave të mëdha ndërkombëtare paraqet hap të rëndësishëm në këtë proces.

Para disa minutave, si pjesë e vizitës sime këtu, pata rastin të gatuaja vetë pizën time, gjë që s’e kam bërë kurrë më përpara. Por, mund t’ju garantoj të gjithë konsumatorëve se kur të vijnë për piza, ato do të gatuhen nga disa prej këtyre punonjësve profesionistë të Domino’s, të cilët do ta kryejnë punën shumë më mirë se unë.

Në fund, më duhet të shpreh mirënjohjen time Domino’s për organizimin e ceremonisë në mëngjes. Më në fund, mund të ha piza për mëngjes pa arsyetim!

Pra, urime, Edon, mysafirë nga jashtë. Urime Domino’s dhe Kosovës. Kjo është ngjarje e hatashme. Ju faleminderit shumë.