Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ekspozitës të organizuar në organizatën HandiKos

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ekspozitës të organizuar në organizatën HandiKos, 26 tetor 2017

Mirëmbrëma të gjithëve.  Urime për këtë ekspozitë të pabesueshme.  Kjo ekspozitë është dëshmi e talentit të qytetarëve me aftësi të kufizuara të Kosovës dhe na e përkujton se çka mund të arrihet përmes bashkëpunimit të artistëve dhe aktivistëve.

Jam i lumtur që jam këtu në HandiKos.  Më vjen mirë që mund ta kaloj një mbrëmje me njerëz që ‘kryejnë punë’: me njerëzit që vazhdojnë të luftojnë për atë që është e drejtë pa marrë parasysh çka ndodh në botën e politikës.

Njerëzit në HandiKos janë ndër më të mirët.  Përkrahja juaj e palodhshme për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara vazhdimisht ka sjellë ndryshime për të mirë në Kosovë.  Vetëm shikojeni Ligjin për Persona paraplegjikë dhe tetraplegjikë të vitit 2016.  As që do të ndodhte pa juve dhe përkushtimin tuaj për ta bërë Kosovën të qasshme nga të gjithë qytetarët e saj.

Por, nuk kam nevojë t’ju them se miratimi i një ligji përbën vetëm hapin e parë në rrugëtimin drejt barazisë.  Ligji duhet të financohet dhe të zbatohet, por duhet të vazhdojmë për t’i arritur ndryshimet në shoqëri; në prioritete dhe qëndrime.

Shikojeni përvojën tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Kemi arritur diçka të pabesueshme me miratimin e Ligjit për persona me aftësi të kufizuara të vitit 1990 dhe kjo ka ndodhur prej punës së palodhshme të avokuesve si ju që jeni në këtë sallë.  Por, nuk ka përfunduar me kaq.

Të njëjtit njerëz dhe shumë të tjerë kanë vazhduar t’i nxisin gjërat me vite të tëra që fitoret e tyre ligjore të përktheheshin në jetë më të mirë.  Ndërtesa me qasje, akomodimi në punësim dhe të drejtat e tjera për personat me aftësi të kufizuar kanë kërkuar ngulmim për avokim në nivel lokal dhe federal.  Këto gjëra kanë kërkuar edhe biseda të zorshme nga qytetarët për t’ua ngulitur idenë se të drejtat e personave me aftësi të kufizuara janë të drejta civile.  Pyeteni çdo person me aftësi të kufizuar në SHBA: shumëçka është arritur, por ende mbesin sfida të mëdha.

Pra, ta dini se mijëra amerikanë qëndrojnë krah jush, të cilët vazhdojnë të luftojnë për barazi edhe 27 vjet pas miratimit të Ligjit për persona me aftësi të kufizuara.  Si qeveri amerikane, ne do të bëjmë krejt çka mundemi për t’ju qëndruar në krah përderisa e bëni Kosovën vend më përfshirës.

Mund t’ju them se ambasada jonë e re, në të cilën shpresojmë të bartemi gjatë verës së ardhshme, do të kenë qasje të gjithë.  E kuptoj se ndërtesa e tanishme e ambasadës sonë ka shumë shkallë për personat me aftësi të kufizuar, por po punojmë për ndërtesën e re dhe shpresoj se verën e ardhshme do të jemi në një ndërtesë në të cilën të gjithë mund të hyjnë.

Ju faleminderit shumë dhe ju dëshiroj mbrëmje të këndshme.