Të nderuar ministra, profesoreshë, zëvendës ministre, ambasador, kolegë, më vjen tepër mirë që jam këtu veçanërisht për të folur për këtë çështje shumë të rëndësishme.
Sigurisht që investimi në arsimimin e njerëzve, veçanërisht të grave, është çelësi i suksesit dhe përparimit të një kombi.
Presidenti im Obama ka thënë: “Mënyra më e mirë për ta gjykuar nëse një vend do të zhvillohet apo jo është nga mënyra se si i trajton ai komb gratë e veta. Nëse ai shtet po i edukon vajzat, nëse gratë kanë të drejta të barabarta, atëherë ai vend do të ecë përpara. Por, nëse gratë janë të shtypura, të keqtrajtuara dhe analfabete, atëherë ato do të mbesin prapa”.
Më vjen posaçërisht mirë që po e shoh se në Kosovë po kuptohet nevoja për edukimin e grave dhe gjithnjë e më shumë gratë po përfshihen në sektorët që tradicionalisht janë menduar profesione për meshkuj – njëri ndër ta është sektori i teknologjisë informative.
Përgjigja e thjeshtë për këtë është se sektori i TIK-ut ofron mundësi të stërmëdha për zhvillim, inovacion dhe ç’është më e rëndësishmja, për punësim.
Përmes programit për edukimin bazë të USAID-it, jemi angazhuar në shumë shkolla anembanë Kosovës në aktivitete që ofrojnë mundësi të barabarta për avancimin e vajzave dhe djemve në teknologji.
Përgjigja nga vajzat e reja që janë angazhuar në teknologji ka qenë mbresëlënës – prej zhvillimit të aplikacioneve të softuerëve te pjesëmarrja në garat RobotiKS e deri te mësimi i moshatarëve të tyre për teknologjinë bashkëkohore.
Në Shtetet e Bashkuara, gratë luajnë rol udhëheqës në sektorin e TIK-ut. Ma merr mendja që shumica jeni në Facebook, por a e dini se në Facebook një grua është kryeshefe ekzekutive e operacioneve? Ajo quhet Sheryl Sandberg.
Përndryshe, edhe në YouTube, Yahoo dhe IBM gratë e kanë pozitën e kryeshefes ekzekutive, kurse në Google, një grua është kryeshefe ekzekutive e financave.
Por, në Kosovë, shohim se ka më pak gra të përgatitura si profesioniste në sektorin e TIK-ut dhe ato përbëjnë pak më shumë se 20% të të gjithë specialistëve të TIK-ut në Kosovë.
Duhet ta zvogëlojmë hendekun mes gjineve. Nxitja e më shumë grave të reja për të hyrë në sektorin e TIK-ut është mënyra më e mirë për ta përmbushur këtë synim. Duhet t’i sfidojmë prindërit dhe mësimdhënësit që t’i hedhin tutje stereotipet duke i nxitur më shumë të reja për ta studiuar shkencën, teknologjinë, inxhinierinë dhe matematikën.
Karrierat në TIK janë dinamike, fleksibile dhe paguhen mirë. TIK-u është sektor që iu ofron grave mundësi për të bërë karrierë e në anën tjetër iu ofron mundësi të shkëlqyshme afatgjata. Punët në sistemet kompjuterike dhe të informimit vazhdimisht konsiderohen ndër punët që paguhen më së miri në Kosovë.
Ju nxis t’i shikoni të gjitha programet e USAID-it si p.sh. “Femrat në programin e teknologjisë informative”, përmes së cilit ua kemi mundësuar njëzet grave të reja për të fituar shkathtësi të TIK-ut. Këto shkathtësi kërkohen shumë në tregun e tashëm të punës.
Gratë e reja me shkathtësi në TIK do të gjejnë shumë vende pune që ua mundësojnë që të jenë kreative dhe inovative dhe në të njëjtën kohë zbulojnë mënyra krejtësisht të reja për të punuar dhe mësuar.
Nuk është projekt i yni, por mua më pëlqen uebfaqja www.girlswhocode.com, ku ka shumë informata rreth karrierave në fushën e TIK-ut, si dhe për mënyrat për të mësuar për të koduar dhe për të punuar në fushën e TIK-ut. Pra, www.girlswhocode.com.
E të mos ju harrojmë të gjitha juve që veçse merrni pjesë në fushën e TIK-ut. Ju jeni shumbulli më i mirë për gjeneratat e ardhshme.
Ju nxis t’i shfrytëzoni këto mundësi që i shihni sot dhe të vazhdoni të eksploroni mundësitë e mrekullueshme që TIK-u i ofron.
Ju faleminderit shumë.