Fjala e ambasadorit Delawie gjatë diskutimit për barazinë gjinore përmes sportit

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë diskutimit për barazinë gjinore përmes sportit, 13 maj 2017

Ju faleminderit shumë.  Falemiderit edhe panelistëve të talentuar dhe mezi s’po pres t’i dëgjoj mendimet tuaja sot.

Shpesh flas për barazinë gjinore në Kosovë, veçanërisht për të drejtat e barabarta pronësore dhe fuqizimin ekonomik dhe politik të grave, si dhe natyrisht edhe për Vajzat në TIK, gjë që e mbështes me këtë pullë, të cilën ndoshta nuk mund ta shihni.  Sa herë flas për gjërat si barazia gjinore, e përdori një analogji: “nuk mund t’i fitosh shumë ndeshje nëse gjysma e ekipit tuaj qëndron në bankë të rezervistëve”.  Mendoj se sot më në fund e kam gjetur audiencën e përsosur për atë pamje.

Mendoj se është e përshtatshme që dy prej çasteve më të mëdha të Kosovës si shtet i ri erdhën në arenën sportive, të udhëhequr nga gratë.  Çasti i parë ishte parakalimi në Stadionin Olimpik në Rio gushtin e kaluar të delegacionit me pesë gra (dhe vetëm tre burra).  Natyrisht, çasti i dytë erdhi disa ditë më vonë kur Majlinda Kelmendi u bë fituesja e parë e Kosovës e medaljes së artë në Lojërat Olimpike.

Realiteti është se Majlinda dhe bashkëlojtaret e saj nga Lojërat Olimpike, Donjeta, ekipi kombëtar i femrave i futbollit, si dhe aq shumë atletë të tjerë premtuesë këtu – janë frymëzim për krejt Kosovën, jo vetëm për vajza.  E së bashku, duhet t’i mbështesim si sportistë që janë e jo si vajza apo djem sportistë.

Do ta lë mysafirin tonë, Michael-in, të flasë më në hollësi rreth mënyrës se si organizatat sportive në SHBA mbështesin barazinë gjinore, por dëshiroj të përmend një pjesë të rëndësishme të enigmës për ne.

“Titulli IX” është pjesë e një ligji federal për arsimin që është miratuar në vitin 1972, i cili thotë se “asnjë person në SHBA nuk do të përjashtohet për shkak të gjinisë së tij apo saj nga pjesëmarrja në programe edukative apo aktivitete që marrin asistencë federale”.  Në praktikë, kjo nënkupton se me ligj, shkollat në SHBA duhet t’iu sigurojnë mundësi dhe resurse të barabarta të gjithë nxënëseve-atletë, djemve e vajzave.

Kjo nënkupton numër të barabartë të sporteve në dispozicion për të dy gjinitë, sasi të barabartë të fondeve për bursa, por ç’është më e rëndësishmja, trajtim të barabartë sa i përket pajisjeve dhe furnizimeve, qasjes në resurse të trajnimit, mjekësore dhe të udhëzimit, mëditje për udhëtime dhe të përditshme, në objektet e banimit dhe të ushqimit, shërbime mbështetëse e të tjera.

Në fakt, me ligj mundësohet barazi gjinore për të gjitha resurset akademike, jo vetëm në atletikë.

Nuk e di sa shumë veta këtu kanë dëgjuar për animatorin amerikan, Charles M. Schulz, i cili ka shkruar serialin e animuar Peanuts, ku përfshihet edhe personazhi Charlie Brown.  Charles M. Schulz ishte këshilltar i njëmendtë për gratë në sport në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në një episod të filmit të animuar në vitin 1979, Peppermint Patty, personazhi im më i parapëlqyer, i thotë Charlie Brown-it: “E kam një vizion, Chuck, se mund ta shoh ditën kur gratë do t’i kenë të njëjtat mundësi në sport si burrat”.

E di se shumë sportistë në SHBA do të argumentonin se gjërat ende s’janë të barabarta, madje as pas 45 viteve prej miratimit të “Titullit IX”.  Hiç më larg se muajin e shkuar, ekipi i femrave në hokej në akull kërcënoi se do të bojkotonte Kampionatin Botëror për shkak të pagesës dhe burimeve të barabarta.

Por, kjo është ajo që dua të them sot.  Barazia gjinore është çështje të cilës duhet t’i kushtojmë vëmendje dhe ta rivlerësojmë deri atëherë kur të jetë plotësisht e integruar në shoqëri.  Barazia gjinore përmes sportit është çështje që meriton vëmendjen tuaj – krah për krah me të drejtat e barabarta pronësore, fuqizimin ekonomik dhe politik të grave dhe vajzat në TIK.

Sepse sporti duhet të jetë urëlidhëse ndërmjet komuniteteve dhe kulturave.  Sepse sporti duhet të jetë burim i krenarisë kombëtare dhe ndërkombëtare.  Si dhe sepse të gjithë sportistët e mirë e dinë – pa dashur të ofendoj sportistët (meshkuj) në këtë sallë – nuk mund t’i fitoni shumë ndeshje nëse lojtarët tuaj më të mirë janë në bankë të rezervistëve.  E nëse nuk më besoni mua, besojini Charles M. Schulz.

Ju faleminderit që jeni këtu dhe panelistëve tanë të shkëlqyeshëm.  Pres me padurim t’i dëgjoj përvojat dhe mendimet tuaja si ekspertë të njëmendtë të kësaj fushe.