Ju faleminderit, Fisnik dhe faleminderit Grupit për Studime Juridike dhe Politike. E çmoj shumë punën e mirë që GSJP-ja e ka bërë në këtë projekt dhe jam krenar për bashkëpunimin e ambasadës sonë me këtë Grup përmes një granti të Komisionit për demokraci.
Po ashtu, më vjen mirë që e kam mundësinë për të qenë pjesë e këtij paneli të çmuar.
Meqenëse kjo është paraqitja ime e parë këtë javë, dëshiroj t’ia filloj duke folur për “elefantin në dhomë”. Siç mund të keni lexuar gjatë fundjavës, janë disa persona në dhe rreth Kosovës – herën e fundit që pashë ishin diku rreth 1300 vetave – që kanë shprehur disa ndjenja të fuqishme rreth meje dhe qëndrimit të qeverisë sime këtu në Kosovë, të cilët e kanë mbështetur një peticion kritikues. Reagimi im i parë ishte se më vjen mirë që po jetoj në një vend si Kosova ku liria e shprehjes garantohet me Kushtetutë, në një vend ku çdo njeri ka të drejtë ta shprehë mendimin e tij a të saj. E kjo përfshin edhe autorin dhe nënshkruesit e ankesës ndaj meje.
Reagimi im i dytë ishte se nuk kërkoj ndjesë për mbështetjen time ndaj demokracisë dhe mosdhunës në Kosovë. Qëndroj pranë deklaratave të mia se në demokraci nuk ka vend për gaz lotsjellës dhe dhunë e as që ato të përdoren si mjete politike. Po ashtu, do të vazhdoj ta ushtroj të drejtën time për lirinë e fjalës për t’ua thënë haptazi të gjithë atyre njerëzve që përpiqen ta prishin të ardhmen demokratike të Kosovës.
Dhuna në Kuvend dhe në rrugë e kanë lënduar pozitën e Kosovës në botë. Dhuna ia pamundëson Kuvendit që ta kryejë punën e vet. Nuk mund të ketë debat e as të miratohen ligje që adresojnë korrupsionin dhe çështjet e tjera të rëndësishme nëse Kuvendi s’mund të mblidhet.
Së treti, më erdhi habi meqenëse në peticion thuhej se nuk më interesonte rreth korrupsionit në Kosovë. Kushdo që e ka lexuar uebfaqen e ambasadës sime, i ka dëgjuar intervistat e mia të plota ose ka marrë pjesë në ngjarjet në të cilat kam folur prej – por edhe para – ardhjes sime këtu e di se trajtimi i çështjes së korrupsionit, bashkë me sfidat e tjera të sundimit të ligjit, është ndër tri prioritetet kryesore të mandatit tim.
E nëse ka ndonjë paqartësi, do ta shfrytëzoj këtë rast për ta theksuar sërish qëndrimin tim. Unë besoj se korrupsioni është problem madhor. Pamundëson përparimin politik, frikëson investimet dhe hapjen e vendeve të punës, e ç’është më e rëndësishmja, gjymton moralin e qytetarëve, të cilët ndihen të pafuqishëm për të mundësuar ndryshimin pozitiv. Korrupsioni gërryen të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.
Nismat që i mbështet qeveria amerikane, si prokurimi elektronik dhe procedimi elektronik i taksës doganore do t’i mënjanojnë mundësitë e mëdha për korrupsion. Përmirësimi i mbikëqyrjes së shpenzimeve publike, qasja më e madhe në informatat publike dhe bashkëpunimi më i mirë ndërmjet policisë dhe prokurorisë po e bëjnë më të lehtë identifikimin dhe ndëshkimin e të korruptuarve. Çdo hap ndihmon.
Por, nëse duam t’ia vëmë fundin korrupsionit, duhet ta çmontojmë copë-copë – t’i heqim mundësitë për korrupsion, të cilat disa njerëz i shfrytëzojnë dhe t’iu kërkojmë llogari shkelësve të ligjit.
Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të punojnë me mund për ta fituar besimin e publikut duke i ndjekur në mënyrë agresive rastet e korrupsionit dhe duke i dënuar e burgosur shkelësit e ligjit.
E nëse njëmend duam ta ndalim korrupsionin, vetë qytetarët e Kosovës duhet të thonë: Mjaft! Ata duhet të dalin hapur, t’i identifikojnë dhe t’i raportojnë praktikat korruptive. Ata njerëz që janë dëshmitarë të korrupsionit ose që vuajnë për shkak të korrupsionit luajnë rol thelbësor në luftimin e tij. Ky panel e di shumë mirë se policisë dhe prokurorisë iu duhen faktet konkrete për ngritje të akuzave dhe për dënime. Zyrtarët e korruptuar nuk mund të japin llogari vetëm në bazë të thashethemave apo dyshimeve.
Qytetarët po ashtu duhet t’iu kërkojnë llogari politikanëve gjatë zgjedhjeve kur performanca e tyre kundër korrupsionit është joadekuate. E asnjë zyrtar i akuzuar apo i dënuar për korrupsion apo keqpërdorim të detyrës zyrtare nuk do të duhej ta ushtrojë atë detyrë deri kur – dhe përveç nëse – lirohet nga të gjitha akuzat.
E kam thënë edhe më herët se nuk ka ndonjë shkop magjik për këtë – luftimi i korrupsionit kërkon shumë punë në shumë fusha të ndryshme, siç mund ta dëshmojnë kolegët e mi në këtë panel.
Por, sa më shumë kohë e kaloj duke folur me njerëzit anembanë Kosovës – veçanërisht me të rinjtë dhe me profesionistët e ri – aq më shumë bindem se korrupsioni është njëri nga kërcënimet më të mëdha për të ardhmen e Kosovës.
Kosovës i duhen më shumë projekte si ky i sotmi që ofrojnë masa të prekshme se si qeveria dhe shoqëria civile duhet ta luftojnë korrupsionin.
Na nevojiten më shumë mundësi për t’i shkëmbyer idetë, por duhet që ato ide t’i kthejmë në realitet.
Edhe njëherë, Fisnik, ju faleminderit. Faleminderit panelit dhe e pres me padurim diskutimin e mëtejmë.