Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë të raundit të tretë të punës praktike në sektorin e energjisë

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë përmbyllëse të raundit të tretë të punës praktike në sektorin e energjisë, 1 mars 2018

Mirëdita të gjithëve. Jam i nderuar që jam këtu. Dëshiroj ta falënderoj organizatën Repower që e ka mundësuar këtë ngjarje, si dhe partnerët tanë nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti Amerikan – Instituti i Teknologjisë i Rochesterit në Kosovë. Po ashtu, dëshiroj të përgëzoj partnerët tanë në sektorin e energjisë, në KEK, KOSST dhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për mbështetjen e fuqishme dhe pjesëmarrjen e tyre në programin e punës praktike.

E dimë se pak çështje janë më të rëndësishme për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës se sa furnizimi i sigurt dhe stabil me energji elektrike. Gjetja dhe zhvillimi i pjesëtarëve të shkathtë dhe të talentuar të gjeneratës së re është më se urgjente sepse ky sektori përballet me gjithë ato sfida të menjëhershme. Sigurimi i furnizimit të rregullt me energji elektrike, puna drejt integrimit rajonal dhe përparimi në ofrimin e llojllojshmërisë së gjenerimit të energjisë elektrike – Kosovës i duhen më të mençurit dhe më të mirët për t’i trajtuar këto probleme për çdo ditë.

Para dy muajve gjatë ceremonisë së nënshkrimit për termocentralin Kosova e Re, vura në pah se ai projekt paraqet investimin më të madh në historinë e Kosovës. Ky program i punës praktike paraqet investim të një lloji tjetër – por, po aq thelbësor – në edukimin dhe zhvillimin e ekspertëve të të ardhmes.

Puna praktike dhe e drejtpërdrejtë nuk mund të zëvendësohet me asgjë. Madje edhe edukimi më i mirë në botë nuk është i plotë pa përvojë të drejtpërdrejtë, e programet si kjo ndihmojnë në ndërtimin e urës thelbësore ndërmjet botës akademike dhe vendit të punës, si dhe sigurojnë që të diplomuarit të jenë të gatshëm prej ditës së parë për ta marrë vendin e tyre të duhur në këtë industri jetike dhe të ndërlikuar.

Përderisa sektori i energjisë në Kosovë ndërmerr hapa të mëdhenj për modernizim, ky program i punës praktike luan rol thelbësor në këtë çast të rëndësishëm duke i pajisur studentët me shkathtësitë dhe njohuritë teknike që iu nevojiten për ta çuar sektorin drejt të nesërmes. Gjithashtu, ky program ndihmon për të tërhequr talentët e nevojshëm për këtë sektor duke iu dhënë studentëve vetëbesim se puna e tyre e mundimshme dhe përkushtimi do të shpërblehet me mundësi për punësim në fushën e tyre.

Gjithashtu, e kam kuptuar se më shumë se gjysma e praktikantëve në tre raundet e para ishin femra dhe ju përgëzoj të gjithëve për përkushtimin dhe vendosmërinë tuaj për të sjellë më shumë barazi gjinore në sektorin e energjisë. Të sigurohemi që përfaqësimi i grave në këtë sektor nuk është i vogël është jo vetëm gjëja e duhur për të bërë, por edhe mençuri. Çdo shoqëri përfiton kur arrin t’i shfrytëzojë plotësisht intelektin dhe shkathtësitë në dispozicion. Përfshirja është fuqi dhe Kosova vetëm do të forcohet nëse të gjithë qytetarët kanë mundësi për të kontribuar.

Siç e dini, sapo kemi përmbyllur një javë të festimeve për përvjetorin e dhjetë të pavarësisë së Kosovës. Dhe përderisa shoh kah të gjithë këta prijës të ardhshëm të sektorit të energjisë të Kosovës, jam më optimist se kurdoherë më parë për 10 vjetët e ardhshëm.

Kosova llogarit në juve dhe jam i sigurt se do të ecni përpara në karrierë me të njëjtën aftësi, entuziazëm dhe vendosmëri siç e keni dëshmuar deri tash. Pres me padurim për të parë çka do të arrini më tej.

Ju faleminderit dhe ju dëshiroj fat të gjithëve!