Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë së përurimit të Qendrës për promovimin e të drejtave të grave për të mbijetuarat e luftës, 15 prill 2016

President Thaçi, ish-Presidente Jahjaga, ambasador O’Connell, ambasadore Kiliç, Dr. Rushiti, z-nja Kadiraj, mysafirë të nderuar, në veçanti të mbijetuar trima të luftës, që janë dëshmi e shpresës së Kosovës për të ardhme më të ndritur.  Jam krenar që jam sot me ju për t’ju përgëzuar edhe për një hap tjetër të suksesshëm në udhëtimin tuaj të gjatë.

Hapja e kësaj qendre shënon përkrahjen e prekshme për promovimin e të drejtave të grave në Kosovë.  Ju përgëzoj që e keni ngritur zërin për të kërkuar përfshirje dhe respekt si viktima civile të luftës – me ligj dhe në shoqëri.  Po ashtu, dëshiroj t’i shpreh lëvdatat e mia qeverisë për përfshirjen tuaj; kjo është përpjekje me të cilën mund të mburremi të gjithë.  Shpresoj se ditët e turpërimit të viktimave janë prapa nesh.  Të gjithë të mbijetuarit duhet ta dinë se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah jush.

Më vjen mirë që Shtetet e Bashkuara kanë pasur mundësi që të kontribuojnë në suksesin tuaj.  Prej vitit 2013, zyra për çështje globale të grave, paqes dhe sigurisë e Departamentit të Shtetit e ka ndihmuar Qendrën kosovare për rehabilitimin e të mbijetuarave të torturës për t’iu ofruar të mbijetuarave të luftës këshillim, ndihmë ligjore, barna, trajtim dhe ndihmë modeste ekonomike.  Jam më se i lumtur që Programi i USAID-it për mbështetjen e fuqizimit të sektorit privat ka ndihmuar për trajnimin e disa të mbijetuarave përmes kësaj qendre.  E po ashtu më vjen shumë mirë që disa prej të trajnuarave janë punësuar, gjë që iu ndihmon për t’i forcuar familjet e tyre, rrethin e tyre dhe Kosovën si tërësi.

Posaçërisht dëshiroj të shpreh falënderimin tim për punën e shkëlqyeshme të Elementit mbështetës civil-ushtarak (CMSE) të ambasadës sonë, të cilët kanë dëgjuar për këtë ngjarje vetëm para dy javëve gjatë takimit të Këshillit të Presidentes Jahjaga.  CMSE, me mbështetjen e OJQ-së Spirit of America, ushtarëve të njësitit për bashkëpunim civil-ushtarak të FSK-së dhe Blerim Hysenit nga ndërmarrja ndërtimore B.Bavaria, kanë bërë punë fantastike në bashkërenditjen e renovimeve.  Puna e tyre ka ndihmuar që ky objekt të jetë gati për përurim.  Ky është shembull i jashtëzakonshëm se si bashkëpunimi civil-ushtarak mund ta ndihmojë për ta çuar përpara një çështje të rëndësishme.

Avancimi i të drejtave të grave është thelbësor për përparimin ekonomik dhe politik nëpër botë.  Kjo është veçanërisht e vërtetë në Kosovë ku gratë kanë luajtur rol shumë të vogël si partnere në zhvillimin ekonomik.  Sekretari Kerry ka thënë: “Asnjë vend nuk mund të ecë përpara nëse e lë gjysmën e popullatës së vet prapa.  Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara besojnë se barazia gjinore është thelbësore për t’i përmbushur synimet tona të përbashkëta të begatisë, stabilitetit dhe paqes, si dhe që investimi në gra dhe vajza anekënd botës është thelbësor për avancimin e politikave të SHBA-së”.  Pajtohem plotësisht me këtë.

Urime edhe njëherë.  Mirëpres vazhdimin e partneritetit dhe bashkëpunimit tonë.  Ju faleminderit.