Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë së përurimit të Parkut Ekologjik të ndërmarrjes Coca-Cola, 7 gusht 2017
Mirëmëngjesi. Më vjen shumë mirë që jam këtu në këtë ditë të bukur.
Kryetar komune Ahmeti, përfaqësuesë të ndërmarrjes Coca-Cola, ju faleminderit për ftesën për të marrë pjesë në këtë kremte. Është kënaqësi që jam këtu. Dëshiroj ta përgëzoj ndërmarrjen Coca-Cola për ndërtimin e këtij parku ekologjik. Pres me padurim të vij këtu kur të ketë shumë më shumë drunj, 160 – 180 drunj është numër shumë i mirë dhe do të vij sërish pas disa muajsh për t’i parë të gjithë. Ky park paraqet shembull shumë të mirë të përpjekjeve të ndërmarrjes Coca-Cola në shprehjen e përgjegjësisë së korporatave ndaj shoqërisë (PKSh) dhe për ndikimin afatgjatë pozitiv në bashkësitë ku vepron.
Ndërmarrjet amerikane i shfrytëzojnë veprimtaritë që ndërlidhen me PKSh për të nxitur novacionin dhe për të kontribuar për rritje të qëndrueshme dhe zhvillim të bashkësisë. Ndërmarrjet që gjenden në listën Fortune 500 në Shtetet e Bashkuara çdo vit shpenzojnë, mesatarisht, mbi 15 miliardë dollarë në veprimtaritë që ndërlidhen me PKSh duke i ndihmuar të rinjtë, mjedisin dhe bashkësitë nëpër tërë vendin. Ato e bëjnë këtë sepse duan t’ia shpaguajnë të mirën bashkësive të tyre. Fundja, çka është e mirë për bashkësitë shpesh është e mirë edhe për biznesin.
Veprimtaritë që ndërlidhen me PKSh nuk kufizohen vetëm te bizneset e mëdha. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme po ashtu janë në mënyrë aktive të përfshira në përpjekjet e PKSh-së. Qofshin të vogla apo të mëdha veprimtaritë e tyre, ndërmarrjet afariste të të gjitha madhësive mund t’iu ndihmojnë bashkësive të tyre përmes programeve të PKSh-së. Duke bërë këtë, ndërmarrjet dhe bashkësitë të cilave iu shërbejnë ato mund të përfitojnë në afat të gjatë.
Coca-Cola prin në veprimtaritë që ndërlidhen me PKSh në botë. Me nismën e tyre 5deri20, Coca-Cola po ndihmon në fuqizimin dhe punësimin e grave anembanë globit. Përmes Fondacionit Coca-Cola, kjo ndërmarrje po ashtu angazhohet në një varg të programeve zhvillimore, duke përfshirë në programet për ruajtjen e ujit, përpjekje për fitnes dhe nutricion dhe për riciklim. Bashkë me dy qendra fitnesi të hapura, kjo është qendra e tretë e PKSH-së që Coca-Cola e ka hapur në Prishtinë.
Më vjen shumë mirë që po e shoh që përkushtimi global i Coca-Cola për PKSh dhe për t’ia shpaguar komunitetit lokal po zë rrënjë edhe këtu në Kosovë dhe mirëpres lidershipin e vazhdueshëm të Coca-Cola-s në këtë fushë. Sigurisht që do t’i nxisja edhe ndërmarrjet tjera afariste kosovare që të shikojnë se çka mund të bëjnë për bashkësitë e tyre, qoftë këtu në Prishtinë apo nëpër pjesët tjera të vendit. Gjtihashtu, mbajeni mend se vetëm ndërmarrjet e mëdha mund ta bëjnë këtë. Edhe ndërmarrjet e vogla mund të kontribuojnë në mënyrë të vlefeshme ndaj bashkësive të tyre.
Sigurisht që shpresoj që ky park ekologjik do t’i frymëzojë veprimtaritë e tjera të PKSh-së këtu në Kosovë dhe pres me padurim t’i shoh frytet e tij në ditët e ardhshme.
Ju faleminderit.