Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë së përurimit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike

I parapërgatitur

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë së përurimit të pllakës së akreditimit nga IADLEST të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, 7 qershor 2018

Ju faleminderit për ftesën për të marrë pjesë në shënimin e kësaj ngjarjeje të shënuar për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

Prej themelimit të saj në shtator të 1999-tës, çdo zyrtar policie që shërben në Policinë e Kosovës ka kaluar nëpër këtë institucion për të marrë trajnimin themelor të domosdoshëm për ta kryer detyrën e tyre. Nëpër të deri tash kanë kaluar mbi 8000 zyrtarë dhe grupi i ri i rekrutëve do t’ia fillojë trajnimit së shpejti.

Përgjegjësitë e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike shkojnë shumë më tej se veç trajnimi. Këto objekte po ashtu ofrojnë mbështetje për një varg të veprimtarive të organizuara nga agjencitë e ndryshme për siguri publike. Madje këtu janë mbajtur edhe ngjarjet e përvjetshme të Olimpiadës Speciale.

Sot kësaj Akademie po ia shtojmë edhe një element të rëndësishëm që e ngrit edhe më shumë reputacionin tuaj: pranimin nga Autoriteti Kombëtar për Kualifikim i Kosovës, si dhe nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kam nderin e veçantë të përgëzoj AKSP-në dhe tërë stafin e saj, si dhe programin e ICITAP-it të ambasadës amerikane për këtë arritje të shënuar për tu bërë institucioni i parë i zbatimit të ligjit që akreditohet nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit.

Pothuajse një vit të plotë, ju keni punuar pa u lodhur për të plotësuar standardet dhe kërkesat e rrepta të caktuara nga IADLEST-i. E dimë se procesi i shqyrtimit dhe verifikimit të politikave, procedurave, proceseve, objekteve dhe personelit të AKSP-së nuk ka qenë i lehtë, por ju e tejkaluat atë.

Po ashtu, ju keni treguar përkushtimin tuaj ndaj kërkesave, politikave dhe standardeve për trajnim profesional të zbatimit të ligjit.

Nga këto përfitojnë gratë dhe burrat që shërbejnë në agjencitë kosovare të sigurisë publike dhe ç’është edhe më e rëndësishme: qytetarët, të cilëve ju shërbeni ju.

Ju lumtë për punën e mirë.

Por… puna juaj nuk mbaron këtu.

Ministria e Punëve të Brendshme, udhëheqësia e AKSP-së, bordi i AKSP-së dhe të gjitha agjencitë tjera që trajnohen këtu do të duhet të sigurohen që trajnimin që e marrin në AKSP është në përputhje me standardet, që nënkupton se vazhdimisht duhet të rishikojnë, vërtetojnë apo korrigjojnë ato standarde për t’i përmbushur nevojat e zyrtarëve të zbatimit të ligjit që trajnohen dhe komuniteteve që i shërbejnë.

E dimë se do ta tejkaloni edhe këtë sfidë.

Urime!