Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë së përmbylljes së programit “Kërko drejtësi”

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë së përmbylljes së programit “Kërko drejtësi”, 21 shtator 2017

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e përkushtuar për forcimin e sistemit të sundimit të ligjit në Kosovë.  Përmes bashkëpunimit me hisedarët nga institucionet e Kosovës, të shoqërisë civile, si dhe donatorët, po punojmë në promovimin e një sistemi të drejtësisë që është i drejtë, legjitim dhe llogaridhënës ndaj qytetarëve.

Programi Kërko drejtësi, i mbështetur nga Byroja për çështje ndërkombëtare të luftës kundër narkotikëve dhe të zbatimit të ligjit e SHBA-së i ka shtuar këto përpjekje duke krijua hapësirë për shoqërinë civile dhe për institucionet e sektorit të drejtësisë për të punuar bashkërisht në adresimin e pengesave konkrete për llogaridhënie, qasje dhe përfshirje në sektorin e drejtësisë.

Prej kur ia ka filluar zyrtarisht punës, në tetor të vitit 2016, koalicioni Kërko drejtësi është përballur me vetëkënaqësinë, është ngritur përmbi dallimet dhe ka demonstruar sukses duke punuar bashkë për t’i zgjidhur problemet që ndikojnë në sistemin e drejtësisë së Kosovës.  I përgëzoj organizatat e shoqërisë civile, përfaqësuesit e odës së avokatëve, të gjykatave dhe të shërbimit prokurorial për gatishmërinë e tyre për të besuar në këtë dhe për t’i bashkuar forcat për tu marrë me problemet e njëmendta me zgjidhje konkrete.

Koalicioni ka qenë i zëshëm lidhur me aktvendimet dhe ka kërkuar në mënyrë aktive nga gjyqësori ta përmbushë detyrimin e vet për t’i publikuar ato.  Në këtë aspekt, platforma e-Gjykata e koalicionit Kërko drejtësi për aktvendimet, orarin e seancave, si dhe deklarimin e pasurisë së gjyqtarëve ka kontribuar në shtimin e transparencës dhe ka mundësuar që faktet dhe shifrat të ndihmojnë në përpjekjet për reforma të sektorit të sundimit të ligjit.

Sistemi i drejtësisë lëngon nga mosefikasiteti në ofrimin e ndihmës juridike falas të pandehurve në rastet penale, detyrim ky që buron nga Kushtetuta e Kosovës.  Koalicioni e ka ngushtuar këtë hendek duke themeluar klinikat e para të ndihmës ligjore falas përmes së cilave studentët e juridikut fitojnë përvojë pragmatike dhe marrin pjesë në përfaqësimin e klientëve të varfër.

Duke qenë dëshmitarë të suksesit të rasteve penale që i janë referuar klinikave juridike për përfaqësim, nxis fuqishëm Odën e Avokatëve të Kosovës, bashkësinë e avokatëve, Agjencinë për ndihmë juridike falas dhe qeverinë e Kosovës t’i bashkojnë përpjekjet për t’iu ofruar shërbime të pandehurve në rastet penale pa përfaqësim ligjor, e të cilët nuk kualifikohen për përfaqësim sipas detyrës zyrtare.

Koalicioni ka mobilizuar institucionet për të marrë pjesë në anketën e parë të integritetit në gjyqësor, duke iu ofruar atyre mundësinë për t’i shprehur, në mënyrë anonime, shqetësimet e tyre për dinamikën e sjelljes korruptive dhe për rrethanat specifike nën të cilat ndodh ajo sjellje.  E përgëzoj Odën e Avokatëve të Kosovës, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Policinë e tyre për udhëheqjen e treguar dhe për gatishmërinë për të punuar së bashku me shoqërinë civile për kryerjen e këtij studimi novativ.  Ky është hap i jashtëzakonshëm drejt përmirësimit të integritetit dhe rikthimit të besimit në institucionet e drejtësisë.

Më e rëndësishmja, koalicioni Kërko drejtësi ka punuar me të rinjtë për t’i edukuar rreth drejtësisë dhe rëndësisë së pjesëmarrjes në veprimtari për t’i informuar bashkësitë e tyre dhe për tu angazhuar në dialog me institucionet e tyre për përmirësimin e qasjes dhe promovimin e llogaridhënies.  Mobilizimi i gjeneratës së re të qytetarëve vë themelin për një shoqëri të gjallërueshme demokratike dhe përfshirëse.

Drejtësia kërkon më të mirën nga ne.  Kur njerëzit vijnë në kontakt me sistemin e drejtësisë, ata shpesh janë në gjendjen më të cënueshme dhe pritjet e tyre janë të mëdha.  Përpjekjet tuaja gjatë vitit të kaluar kanë treguar se së bashku mund të bëjmë ndryshime dhe t’i çojmë reformat përpara që promovojnë një sistem të drejtësisë më llogaridhënës, më të qasshëm dhe më përfshirës për kosovarët.  E për këtë, ju përgëzoj.

Duke e parë përparimin e deritashëm, veçanërisht jam i lumtur që po shoh se ka plane për të vijuar me rritjen e transparencës se si bëhet ndarja e drejtësisë, për rritjen e llogaridhënies dhe për nxitjen e qytetarisë aktive të Kosovës së ardhshme.

Fuqimisht besoj se suksesi i Kosovës si shtet do të gjykohet parësisht nga zhvillimi i mëtejmë i sektorit të sundimit të ligjit, qoftë duke u parë që mundëson drejtësi të barabartë para ligjit për të gjithë, si dhe nëse sektori i sundimit të ligjit shihet nga vetë qytetarët si i tillë që i trajton të gjithë drejt.  Puna që e keni bërë dhe që do ta bëni në të ardhmen është po aq e rëndësishme për avancimin e këtyre qëllimeve.