Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratës për termocentralin “Kosova e re”

Urime të dy palëve. Kjo është ditë shumë e mirë për sigurinë energjetike të Kosovës. Ky sukses është meritë e shumë vetave. Dëshiroj të nënvizoj udhëheqjen e presidentit Thaçi, kryeministrit Haradinaj, ministrave dhe anëtarëve të Komisionit drejtues të projektit. Mendoj se është me rëndësi të theksohen edhe kontributi i rëndësishëm i ish-kryeministrit Mustafa dhe ish-ministrit Stavileci për suksesin e sotshëm. Në anën e investorit amerikan, kryeshefi ekzekutiv i Contour Global, Joe Brandt, ekipi i tij dhe shumë të tjerë kanë punuar palodhshëm për arritjen e kësaj marrëveshjeje.

Termocentralet e tanishme të Kosovës janë të vjetra dhe më pak të sigurta se që do të dëshironim. Zëvendësimi i TC Kosova A është jetik për të mundësuar sigurinë energjetike të Kosovës. Siguria energjetike ka qenë pengesë e stërmadhe për rritjen ekonomike sepse i ka kushtuar ekonomisë rreth 300 milionë euro në vit. Përveç kësaj, shumë prej jush e keni parë nga monitoruesi i cilësisë së ajrit në uebfaqen e ambasadës sonë që ka ditë kur cilësia e ajrit është e rrezikshme për tu thithur për shkak të ndotjes. “Kosova e re” do të ndërtohet me standardet më të larta mjedisore të Evropës dhe ndotja prej saj do të jetë shumë më e vogël se sa nga blloku i Kosovës A.

Ky projekt shënon investimin më të madh të huaj në historinë e Kosovës. Kjo e arritur është tregues i qartë se Kosova është e gatshme për më shumë investime private nga e tërë bota. Sigurisht që dua që t’i ftoj afaristët nga e tërë bota ta marrin parasysh potencialin që e ofron Kosova.

Ky është fillim i shkëlqyeshëm, por duhet ende edhe shumë punë për ta bërë TC “Kosova e re” realitet dhe të jeni të sigurtë që Shtetet e Bashkuara do të jenë përkrah jush, siç kemi qenë prej ngjizjes së projektit më shumë se 13 vjet më parë.

Edhe njëherë, urime për këtë rast. Shpresojmë të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar një Kosovë me të ardhme të begatshme, të shëndetshme dhe të sigurtë në aspektin e energjisë.

Ju faleminderit.