Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë së hapjes të segmentit të ri të autoudhës në Doganaj,14 qershor 2018
Mirëmëngjesi të gjithëve. Më vjen shumë mirë që jam këtu për ta kremtuar hapjen e një segmenti të ri të Rrugës 6 dhe më duhet të them se kurrë më parë s’kam mbërritur nga Prishtina deri këtu.më shpejt se sot. Është e mrekullueshme fuqia e ndërtimit të një autoudhe bashkëkohore.
Kam qenë këtu në dhjetor në Ferizaj, disa kilometra andej, për çeljen e segmentit të fundit dhe më vjen shumë mirë që po shoh përparimin e arritur prej atëherë. Në veçanti është mbresëlënëse kur shohim ndërtimin e kësaj rruge përmes terrenit të vështirë malor, ku ekspertiza inxhinierike e Bechtel-it del plotësisht në pah.
Përmirësimi i rrugëve të Kosovës është jetik për zhvillimin ekonomik. Mbyllja e rrugës M2 për shkak të rrëshqitjes së dheut muajin e shkuar nënvizoi rëndësinë që rrugët luajnë në përditshmërinë tonë: shpesh s’i vërejmë fare, derisa të mos funksionojnë. Kosovës i duhen rrugë të mira për të mundësuar qarkullimin e njerëzve e mallrave – si dhe për të tërhequr investimet që i duhen. Rrugët e mira si Rruga 6, po ashtu i ndihmojnë Kosovës për ta rritur integrimin rajonal dhe për të ndërtuar marrëdhënie më të mira me fqinjtë e saj.
Rruga 6 paraqet më shumë se vetëm investim në rrugët e Kosovës; është investim për të ardhmen e Kosovës. Më shumë se 70 për qind të punëtorëve në këtë projekt janë nga Kosova. Ata kanë marrë jo vetëm të ardhura të mira, por edhe shkathtësi të specializuara, të cilat do t’ua mundësojnë të fitojnë të ardhura të mira këtu në Kosovë.
Dhe nuk e kam pasur në mend të flas për ndërtesën e re të ambasadës sonë, por dua të them se shumë njerëz që po ndihmojnë në ndërtimin e saj, që do të hapet më vonë gjatë këtij viti, veçanërisht në aspektin teknik, si betonimi dhe instalimi i rrjeteve e gjërat e tilla, janë stërvitur në rrugën Prishtinë – Tiranë. Pra, edhe ne kemi pasur rastin të përfitojmë nga instruksionet e mira që Bechtel-Enka ua ka dhënë gjithë atyre punëtorëve kosovarë.
Njëjtë si njerëzit e punësuar drejtpërdrejt nga Bechtel-Enka, edhe ndërmarrjet në Kosovë po fitojnë përvojë të vlefshme dhe po i zhvillojnë ekspertizat e tyre. Po po krijojnë vende pune dhe po e rrisin konkurrueshmërinë në sektorin privat.
Gjatë procesit të ndërtimit gjerësisht janë përdorur ndërmarrjet vendore dhe materialet përmes tenderëve konkurrues. Kjo është mënyra amerikane e të bërit biznes. Vlerësohet se pothuajse dy të tretat e çdo euroje të shpenzuar kthehen në ekonominë kosovare, përmes nënkontratave, pagave apo tatimeve.
Projektet si kjo, për fat të keq, nuk janë të lira dhe dëshiroj ta falënderoj Qeverinë e Kosovës për zgjidhjen me sukses të çështjes së stërgjatur rreth pagesave të vonuara. Puna e tyre e mundimshme bën të mundshme që ky projekt të kryhet këtë vit dhe që Kosova mund të vazhdojë të tërheqë ndërmarrje ndërkombëtare të klasës së parë.
Dëshiroj ta falënderoj Bechtel-Enkën, të gjitha ekipet dhe partnerët e tyre për punën dhe përkushtimin e tyre të palodhshëm për ta mundësuar këtë ditë. Ju – në kuptimin figurativ dhe të mirëfilltë – po e shtroni rrugën për një të ardhme më të mirë në Kosovë.
Ju faleminderit shumë!