Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë së diplomimit të pjesëmarrësve në trajnimin: Ta kuptojmë terrorizmin e dhunshëm: Luftëtarët në luftërat e

Përshëndetje të gjithëve.  Ministër Hyseni, përfaqësues të policisë së Kosovës, drejtor i përgjithshëm i policisë Maxhuni, prokurorë të shtetit, përfaqësues të agjensive të tjera, z. Shtuni.

Ju faleminderit shumë për ftesën për të folur në përmbyllje të këtij seminari të rëndësishëm dhe veçanërisht dëshiroj ta falënderoj Ministrin dhe drejtorin e përgjithshëm për udhëheqësinë e tyre për trajtimin e kësaj çështjeje të rëndësishme.

Ky trajnim mendoj se është mbajtur në një korhë kritike të përpjekjeve tona të përbashkëta kundër terrorizmit.  Kërcënimi nga ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi – me të cilin përballemi të gjithë – vazhdon të evolvojë në mënyrë të përshpejtuar.  Për të pasur sukses kundër këtij armiku që ndryshon vazhdimisht, edhe ne duhet ta përshtatim qasjen për ta luftuar atë në mënyrë efikase.

Një pjesë e madhe e kësaj qasjeje ka të bëjë me partneritetin.  Kur përballemi me kërcënim të përbashkët, Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për partnerë si Kosova.  Shtytësit e radikalizimit shpesh dallojnë nga vendi në vend dhe nga komuniteti në komunitet.  Nuk mund të jemi të suksesshëm në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm nëse ekspertët e vërtetë nga secili komunitet nuk përballen me këtë sfidë.  Për këtë arsye iu jemi drejtuar juve, policëve dhe prokurorëve të Kosovës, si partnerë tanë në vijën e parë të frontit.  Si partnerë me të cilët punojmë çdo ditë për t’i identifikuar, parandaluar, hetuar dhe ndjekur penalisht ekstremistët e dhunshëm.

Gjatë katër ditëve të këtij seminari, ju keni mbuluar një gamë të gjerë të çështjeve prej të kuptuarit e sfidave të ekstremizmit të dhunshëm në epokën digjitale e deri te të mësuarit se si të monitorohen përpjekjet për radikalizim dhe rekrutim.  Natyrisht që ju e dini prej punës suaj të përditshme dhe nga ky kurs se përballja me ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin është sfidë të rëndë, me të cilën ballafaqohet jo vetëm Kosova, por e tërë bota.

Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për t’ju ndihmuar në përpjekjet tuaja.  Dëshiroj t’i falënderoj instruktorët dhe kolegët e mi nga Departamenti i Drejtësisë dhe të tjerët për organizimin e këtij programi.

Natyrisht, dëshiroj t’ju uroj të gjithëve që punoni me kaq mund në shërbim të vendit tuaj dhe jam krenar që Shtetet e Bashkuara kanë partnerë si Kosova në këtë betejë të rëndësishme.

Ju faleminderit shumë.