Kryeministër Mustafa, ministër Stavileci, gjyqtare Rama, President i Universitetit Amerikan në Kosovë, Thompson dhe natyrisht, 67 prej shërbyesve publikë më të ndritur të Kosovës, mirëdita.
Më lejoni t’ia filloj duke ua bërë të ditur se edhe unë jam shërbyes publik sikurse ju. Në të vërtetë, i kam shërbyer vendit tim qe 30 vjet.
Besoj se shërbyesit publikë të përkushtuar, inovativë dhe të shkathtë janë thelbësorë për përparimin dhe begatinë e një vendi. Kur bën karrierë në shërbimin publik, duhet ta pranosh se qytetarët janë ata që vendosin se kush janë shefat e tu. Po ashtu, duhet ta pranosh se zgjidhja e tyre mund të dallojë nga e jotja.
Gjatë karrierës sime në shërbimin publik, kam punuar për të gjithë presidentët amerikanë prej Ronald Reagan-it e deri te Barack Obama. Ky është një spektër i gjerë ideologjik. Pa hyrë në specifika, mund t’ju them se do të ishte e pamundur për këdo që të pajtohej me të gjitha politikat e ndryshme të të gjithë presidentëve, madje edhe në fushën e shërbimit të jashtëm, që është fusha ime.
Megjithatë, unë me entuziazëm i kam mbështetur të gjitha, sepse e kam kuptuar se ishte detyra e popullit amerikan për t’i zgjedhur udhëheqësit, kurse detyra ime si shërbyes publik ishte t’i zbatoj vendimet që ata udhëheqës i merrnin. Në SHBA, është detyrim i shërbyesve civilë që ta bëjnë më të mirën për t’i zbatuar politikat që hartohen nga shefat e tyre – natyrisht, në përputhje me ligjin – ose të japin dorëheqje. Por, nganjëherë është më lehtë të flitet se sa të gjendet mënyra më e përshtashme për zbatimin e atyre politikave.
Për këtë arsye trajnimi për politika publike dhe udhëheqësi është kaq i rëndësishëm. Është investim për rritjen tuaj profesionale dhe personale. Pasqyron potencialin tuaj për udhëheqje. Përkushtimi dhe puna juaj e mundimshme do ta forcojë Kosovën dhe do të sjellë ndryshime pozitive për të gjithë qytetarët.
Më vjen mirë që po shoh se grupi i parë përbëhet nga zyrtarë të ministrive dhe institucioneve publike të ndryshme. Më vjen edhe më mirë që po shoh se më shumë se 1/3 e këtij grupi janë gra.
Dëshmitë nga e tërë bota tregojnë se vendet ku gratë luajnë rol domethënës në qeveri, politikë dhe qeverisje janë më të begatshme, më stabile dhe më përfshirëse.
Pranimi në këtë program nuk ka qenë i lehtë as për këta burra e as për gratë. Procesi i përzgjedhjes ka qenë i hapur, i plotë dhe i bazuar në merita dhe janë përzgjedhur vetëm aplikantët e kalibrit më të lartë. Ju jeni përzgjedhur për shkak të të arriturave tuaja shkollore, përvojës në sektorin e shërbimit publik dhe potencialit për të qenë prijës të ardhshëm në fushën tuaj të ekspertizës. Duhet të ndjeheni krenarë që jeni përzgjedhur dhe që e keni kryer këtë kurs.
Roli juaj në formësimin e të ardhmes së Kosovës është tepër i rëndësishëm.
Të pajisur me shkathtësitë dhe njohuritë që i keni fituar gjatë këtij kursi, tash jeni në pozitë më të mirë për t’i transformuar institucionet e ndryshme në të cilat punoni. Kjo është sfida me të cilën do të përballeni.
Presim dhe shpresojmë që gjërat që i keni mësuar këtu përfundimisht të kthehen në shërbim më të mirë publik për kosovarët, sundim të ligjit më llogaridhënës dhe më efikas dhe zhvillim më të madh ekonomik. Sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik janë dy prej prioriteteve të mia kryesore në Kosovë. Këto janë çështje të zorshme. Bashkësia ndërkombëtare do të ndihmojë, por ju vetë duhet të jenë në vijën e parë të frontit, duke ndriçuar si gjërat e mira, ashtu edhe të këqijat që i shihni në vendet tuaja të punës.
Dëshiroj të ndalem pak në këtë ide, veçanërisht në këtë çast të historisë së Kosovës. Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara ndaj Kosovës dhe zhvillimit të saj, por e ardhmja e vendit në fund të fundit mbetet në duart tuaja. Ne shohim kah ju për ta çuar vendin përpara në rrugën e tij drejt integrimit evroatlantik, për të demonstruar se qeveria po punon për qytetarët e saj dhe për të treguar se ndryshimi mund të ndodhë edhe nga brenda – dhe pa dhunë në rrugë apo në Kuvend.
Dëshiroj ta falënderoj ekipin nga Universiteti Amerikan në Kosovë për udhëheqësinë tuaj shembullore në zbatimin e këtij programi dhe për edukimin e zyrtarëve të shërbimit publik të Kosovës.
Në vitet e ardhshme, Shtetet e Bashkuara do të kenë mundësi që t’ua ofrojnë këtë mundësi arsimore edhe shumë kolegëve të tjerë tuaj. Qëllimi është për ta përmirësuar edhe më shumë zhvillimin profesional të fuqisë punëtore të shërbimit publik të Kosovës.
Martin Luther Kingu, një aktivist amerikan për të drejtat civile, ka thënë: “Detyra e arsimimit është t’i mësojë të tjerët për të menduar në mënyrë intensive dhe për të menduar në mënyrë kritike”. Shpresoj që do t’i përdorni këto shkathtësi në punën tuaj për ta përmirësuar Kosovën në mënyrë të qëndrueshme në çdo aspekt.
Urime të gjithëve për përfundimin me sukses të këtij programi dhe ju dëshiroj shumë fat.
Ju faleminderit.