Fjala e Ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë së betimit të vullnetarëve të Korpusit të Paqes

Fjala e Ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë së betimit të grupit të katërt të vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Kosovë, 17 gusht 2017

Mirëmëngjesi të gjithëve. Ministër Bajrami, Ministër Kamberi, mysafirë të nderuar, vullnetarë të Korpusit të Paqes, jam shumë i lumtur që jam këtu me ju sot.

Kam ardhur këtu para rreth dy viteve dhe njëra ndër gjërat e para që i kam bërë ka qenë të vija në po këtë restoran në ceremoninë e betimit të grupit të vullnetarëve të Korpusit të Paqes që kishin arritur këtu para dy viteve dhe që u larguan nga vendi para disa javëve. Erdha këtu sërish para një viti dhe jam këtu prapë sot sepse besoj në Korpusin e Paqes, besoj në juve dhe besoj në këtë partneritetin e mrekullueshëm që e kanë dy vendet tona e që simbolizohet dhe konkretizohet çdo ditë përmes vullnetarëve të Korpusit të Paqes anembanë këtij vendi duke ua mësuar gjuhën angleze qytetarëve të Kosovës nga komunitetet e ndryshme.

Vullnetarët e Korpusit të Paqes paraqesin një partneritet ndërmjet dy vendeve tona për promovimin e zhvillimit dhe përparimit të Kosovës dhe për ta ndërtuar një themel të fortë të mirëkuptimit ndërmjet popullit të dy vendeve tona.

Ju i përfaqësoni amerikanët nga komunitetet anembanë Shteteve të Bashkuara të Amerikës . Ju, po ashtu, do të ndërtoni miqësi me popullin e Kosovës nga komunitetet e ndryshme nga i tërë vendi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër miqtë dhe mbështetësit më të ngushtë të Kosovës. Partneriteti ndërmjet dy vendeve tona është i thellë dhe shumëdimensional dhe ne punojmë me mund çdo ditë për t’i çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta për demokraci, siguri dhe begati.

Nuk ka manifestim më të prekshëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shtrijnë dorën e miqësisë se sa prania dhe përkushtimi i vullnetarëve të Korpusit të Paqes, si ju. Puna juaj këtu dhe fryma me të cilën e kryeni atë punë do të ndryshojnë jetë këtu dhe do t’i ekspozojnë drejtpërdrejt vlerat amerikane para qytetarëve kosovarë.

Programi i Korpusit të Paqes paraqet një simbol të qëndrueshëm dhe të dukshëm të kontributit të Amerikës për përpjekjeve për paqe në botë. Këto qëllime përkufizohen në misionin e Korpusit të Paqes qysh prej fillimit të këtij programi gjatë presidencës së John Kennedy-t në vitin 1961:

  • T’ju ndihmojë vendeve të interesuara për t’i përmbushur nevojat e tyre për fuqi punëtore të trajnuar;

  • Të ndihmojë në promovimin e njohjes më të mirë të popullit amerikan nga populli vendës;

  • Të ndihmojë që populli amerikan t’i njohë më mirë të tjerët.

Korpusi i Paqes ka të bëjë shumë me njerëz që shkëmbejnë ide dhe që punojnë bashkërisht, që mësojnë për njëri-tjetrin, që ia bartin njëri-tjetrit shkathtësitë dhe njohuritë, që shkëmbejnë përvoja dhe që nxisin mirëkuptimin dhe vullnetin e mirë. Të arriturat e mëhershme të vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Kosovë përfshijnë:

  • Organizimi i garës së përvitshme ndërkombëtare Shkruaj! për nxënës të shkollave të mesme dhe fillore nga i tërë vendi. Në garë janë paraqitur më shumë se 10.000 pjesëmarrës nga e tërë bota; tre nxënës kosovarë kanë fituar çmime në nivel ndërkombëtar!

  • Organizimi i mësimit të gjuhës angleze për të rritur në komunitetet e tyre që kanë pasur cak grupe të ndryshme, duke përfshirë gra dhe anëtarë të organizatave lokale me qëllim për t’iu ndihmuar që ta përvetësojnë gjuhën angleze në nivelin fillestar ose të avancuar.

  • Organizimi i organizatës së parë model të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Ekipi ka marrë pjesë në garën nënrajonale në Maqedoni dhe dy anëtarë të ekipit janë vlerësuar si delegatë të jashtëzakonshëm.

Këto janë vetëm disa pika të punës së rëndësishme që vullnetarët e Korpusit të Paqes e bëjnë çdo ditë. Jam i bindur se do t’i përmbushni synimet tuaja gjatë shërbimit në Korpusin e Paqes. E keni mundësinë që gjatë dy viteve të ardhshme t’ia përmirësoni dikujt jetën, të jepni dhe të fitoni këndvështrime të reja, si dhe t’ua ndryshoni jetën nxënësve tuaj, duke mbjellur farën që do të rritet edhe shumë kohë pasi që shërbimi juaj në Korpusin e Paqes të ketë përfunduar. Mendoj se edhe jeta juaj do të ndryshojë, siç edhe dëgjuam. Në ekipin tim në ambasadë janë disa ish-vullnetarë të Korpusit të Paqes. I lus ata që janë këtu ta ngrejnë dorën lart që t’i shihni kush janë.

Dëshiroj po ashtu t’ju shpreh mirënjohje të posaçme familjeve që kanë qenë nikoqirë të pjesëmarrësve në trajnim të Korpusit të Paqes. Kjo është pjesë thelbësore e programit dhe jep mundësi të njëmendta për të vënë lidhje të ngushta ndërmjet popullit të të dy vendeve tona.

Kam mësuar shumë gjatë këtyre dy viteve në Kosovë dhe edhe ju do të mësoni shumë gjatë dy viteve që do t’i kaloni në Kosovë. Ju dëshiroj gjithë të mirat dhe ju uroj sukses në shërbimin tuaj si vullnetarë. Si dhe ju shpreh mirënjohjen e përzemërt për përkushtimin tuaj për mirëkuptimin ndërkombëtar dhe për thurjen e lidhjeve edhe më të ngushta ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës.