Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë së betimit të vullnetarëve të Korpusit të Paqes, 22 janar 2016

Më vjen jashtëzakonisht mirë që jeni këtu.  Por, më duhet ta gjej agjentin tuaj të udhëtimit dhe t’i ankohem sepse në aeroplan me të vërtetë është dashur të jenë edhe valixhet tuaja.  Po ashtu mendoj se disa prej jush, bashkë me mua, bëni pjesë në grupin e njerëzve që vijnë nga qytetet e ngrohta, si San Diego dhe moti këtu këto ditë fare s’më duket i pranueshëm!

Më vjen tepër mirë që kam rastin t’ju mirëpres dhe ta udhëheq betimin e ju të gjashtëve si vullnetarë të Korpusit të Paqes.  Kjo është hera e dytë që kam rastin t’i përbetoj vullnetarët e Korpusit të Paqes qysh se kam ardhur këtu para pesë muajve e ca.  Korpusi i Paqes është i pranishëm në Kosovë pak më shumë se një vit e gjysmë dhe prania e tij shpreh përkushtimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për suksesin e Kosovës.  Jemi të përkushtuar që Kosova të vazhdojë ta zhvillojë demokracinë, ekonominë dhe sundimin e ligjit dhe që ne në Shtetet e Bashkuara do të bëjmë krejt çka është e mundur për ta ndihmuar në këtë.

Ju do të luani rol jetësor në këtë.  Kam dëgjuar që të gjithë ju keni përvoja të shkëlqyeshme nga vendet e tjera.  Kjo është e mrekullueshme sepse për arritjen e gjërave të vërteta ju duhet më shumë se veç punë.  Ju duhen njohuria dhe faktet.  Ju duhet përvoja.  Qartazi i keni krejt këto nga shërbimet tuaja me Korpusin e Paqes në vendet e tjera apo edhe nga vetë jeta.

Po përpiqemi t’i arrijmë disa gjëra kryesore gjatë tri apo katër viteve sa do të jem këtu.  Ju do të luani rol të rëndësishëm në të gjitha ato.  Gjëja e parë është të punojmë me Qeverinë e Kosovës për përmirësimin e sundimit të ligjit.  Natyrisht që lufta kundër korrupsionit paraqet pjesë shumë të rëndësishme në këtë, por këtu bëjnë pjesë edhe gjëra të tjera.  E dyta ka të bëjë me zhvillimn e ekonomik.  Shkalla e papunësisë këtu është rreth 30%.  Papunësia ndër të rinjtë është rreth 60%.  Ky është qartazi faktor shumë i rëndësishëm për jetën e qytetarëve të Kosovës dhe ne po punojmë në këtë aspekt.  Kjo është vetëm një çështje bashkë me çështjet e tjera të zhvillimit ekonomik.

Dhe gjëja e tretë është siguria rajonale.  Ne mëtojmë ta ndihmojmë Kosovën për përmirësimin e marrëdhënieve të saj me vendet e tjera në rajon si Serbia, Maqedonia, etj., si dhe për tu përballur me problemin e ekstremizmit të dhunshëm, që nuk është çështje vetëm për Kosovën, por edhe për Shtetet e Bashkuara.

Ju do të jeni të shpërndarë në tërë anët e vendit, në veri dhe jug, në lindje e perëndim.  Kjo është e mrekullueshme.  Ju do të luani rol të rëndësishëm në zhvillimin e projekteve kudo që të shkoni.

Na vjen shumë mirë që ju kemi këtu.  E mirëpresim kontributin tuaj në marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës dhe në veçanti, mirëpresim kontributin tuaj në zhvillimin dhe suksesin e vazhdueshëm të Kosovës.  Është nder për mua që jam këtu dhe ju dëshiroj ta kaloni sa më mirë gjatë kohës suaj këtu. E në fund ju dëshirojmë: shërbim me afat të shkurtë, por me ndikim të madh si vullnetarë të Korpusit të Paqes.

Ju faleminderit.