Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë së betimit të grupit të pestë të vullnetarëve

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë së betimit të grupit të pestë të vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Kosovë, 10 gusht 2018

Mirëdita.  Ministër Bytyqi, mysafirë të nderuar, familje nikoqire, vullnetarë të Korpusit të Paqes, më vjen shumë mirë që jam sot këtu me juve. Ju faleminderit që jeni me ne sot.

Vullnetarët e Korpusit të Paqes përfaqësojnë një partneritet ndërmjet dy vendeve tona për promovimin e zhvillimit dhe përparimit të Kosovës dhe për të ndërtuar një themel të fortë të mirëkuptimit ndërmjet popujve të dy vendeve tona.

Ju, vullnetarë, i përfaqësoni amerikanët nga komunitetet anembanë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe ju do të ndërtoni miqësi me popullin e Kosovës nga komunitetet e ndryshme nga i tërë vendi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër miqtë dhe mbështetësit më të ngushtë të Kosovës.  Përkundër çka mund të lexoni në shtyp, kjo gjë nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë.  Partneriteti ndërmjet vendeve tona është i thellë dhe shumëdimensional dhe ne punojmë çdo ditë me mund për t’i çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta për demokraci, siguri dhe begati.

Nuk ka manifestim më të prekshëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e shtrijnë dorën e miqësisë se sa prania dhe përkushtimi i vullnetarëve të Korpusit të Paqes.  Puna juaj këtu dhe fryma me të cilën e kryeni këtë punë do të ndryshojnë jetë dhe do t’ju mundësojë qytetarëve kosovarë ekspozim të drejtpërdrejtë ndaj vlerave amerikane.

Korpusi i Paqes paraqet simbol të qëndrueshëm dhe të dukshëm të kontributit të Amerikës për përpjekjet për paqe në botë.  Tri qëllime e kanë përkufizuar misionin e Korpusit të Paqes prej fillimit të programit gjatë presidencës së John F. Kennedy-t në vitin 1961. Ato janë:

  • T’ju ndihmojë popujve të vendeve të interesuara për t’i përmbushur nevojat e tyre për personel të trajnuar.
  • Të ndihmojë në promovimin e njohjes më të mirë të popullit amerikan nga ana e popullit të cilit i shërben.
  • Të promojë njohjen më të mirë të popujve të tjerë nga ana e popullit amerikan.

Korpusi i Paqes ka të bëjë më shumë me njerëzit që shkëmbejnë ide dhe që punojnë së bashku, që mësojnë për njëri-tjetrin, që ua bartin të tjerëve shkathtësitë dhe dijeninë, që shkëmbejnë përvoja dhe që nxisin mirëkuptimin dhe vullnetin e mirë.  Të arriturat e vullnetarëve të mëparshëm të Korpusit të Paqes në Kosovë përfshijnë:

  • Organizimin e konkursit të përvitshëm ndërkombëtar Shkruaj! për nxënës të shkollave fillore dhe të mesme anembanë vendit. Në konkurs janë dorëzuar më shumë se 10.000 punime nga e tërë bota dhe tre nxënës kosovarë kanë fituar çmime në nivel ndërkombëtar!
  • Organizimin e orëve të mësimit të gjuhës angleze për të rritur në bashkësitë e tyre për grupe të caktuara, duke përfshirë gratë dhe anëtarët e organizatave vendore për t’i ndihmuar ata për përvetësimin e gjuhës angleze në nivel fillestar apo të përparuar.
  • Organizimin e organizatës së parë model të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Ekipi mori pjesë në garën nënrajonale në Maqedoni dhe dy anëtarë të ekipit janë vlerësuar si të jashtëzakonshëm.

Këto janë vetëm disa prej pikave të punës së rëndësishme që vullnetarët e Korpusit të Paqes e bëjnë çdo ditë.  Jam i bindur se edhe ju do t’i përmbushni synimet tuaja për shërbim në Korpusin e Paqes.  Ju keni mundësi që gjatë dy viteve të ardhshme t’ia ndryshoni dikujt jetën për të mirë, të jepni dhe të fitoni këndvështrime të reja, si dhe t’ua ndryshoni jetën nxënësve tuaj, duke mbjellur farë që do të rritet edhe për shumë kohë pas përfundimit të shërbimit tuaj në Korpusin e Paqes.

Dëshiroj t’ju shpreh mirënjohje të posaçme familjeve që i kanë marrë në shtëpitë e tyre vullnetarët në stërvitje të Korpusit të Paqes.  Kjo është pjesë thelbësore e programit dhe ofron mundësi të veçanta për ndërtimin e lidhjeve të ngushta ndërmjet popullit të të dy vendeve tona.

Ju uroj gjithë të mirat për shërbim të suksesshëm si vullnetarë, si dhe mirënjohjen time të përzemërt për përkushtimin tuaj ndaj mirëkuptimit ndërkombëtar dhe për thurjen e lidhjeve edhe më të ngushta ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës.

Ju faleminderit shumë!