Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë në Ministrinë e Forcës së Kosovës për kadetët e pranuar në Akademinë Ushtarake West Point, E martë, 3 maj

Mirëmëngjesi.  Ministër Demolli, Gjeneral-lejtnënt Rama, anëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës mysafirë të nderuar, familjarë, miq dhe kolegë.  Sot të gjithë ne kemi rastin të jemi pjesë e historisë së Kosovës.

I uroj Arelena Shalën dhe Yll Dalladakun për pranimin me sukses në Akademinë Ushtarake të SHBA-së, gjenerata e vitit 2020.  Kjo është e arritur e shkëlqyeshme.  Pranimi në West Point është nder i jashtëzakonshëm që rezervohet vetëm për studentët më premtues.  Arelena dhe Ylli nuk përbëjnë përjashtim; ata kanë garuar kundër 29 shteteve të tjera dhe 95 aplikuesve prej të cilëve vetëm 15 janë përzgjedhur.

Ju garantoj se ata 95 aplikantët e tjerë nuk kanë qenë të nivelit të dytë.  Konkurrenca me të vërtetë ishte e vështirë.  Po ashtu, marrë parasysh që kohëve të fundit pamë Togerin e klasës së dytë Hoxha që diplomoi si më i miri i gjeneratës së vet nga Akademia Ushtarake Sandhurst në Mbretërinë e Bashkuar dhe e kam të qartë që Forca e Siguritë së Kosovës po i tërheq studentët tepër të talentuar.

Kjo e arritur është tregues i punës së mundimshme të Arelenës dhe Yllit dhe përkushtimit të tyre gjatë studimeve dhe ndaj komuniteitt të tyre.  E di megjithatë që nuk do t’ia dilnin dhe nuk do të ishin të suksesshëm pa përkrahjen e familjeve të tyre.  Dëshiroj që personalisht t’i falënderoj familjet e tyre për rolin e tyre dhe ndihmën që ua kanë dhënë Arelenës dhe Yllit për ta arritur këtë nder të mrekullueshëm.

Dështiroj ta falënderoj edhe Ministrin Demolli, gjen. Ramën dhe Qendrën për Studime Universitare për investimin e tyre në të ardhmen e FSK-së duke bërë një fushatë të hapur dhe transparente për pranim në Akademinë Ushtarake të SHBA-së.  Ndihma juaj në përgatitjen e kandidatëve për pranim ka qenë po ashtu e rëndësishme.  Investimi juaj po pasqyrohet sot.

Për ne në Qeverinë e Shteteve të Bashkuara, e që kemi punuar në çështjet për Kosovën për shumë vite, ceremonia e sotme na jep mjaft kënaqësi.  Shtetet e Bashkuara janë krenare që e mbështesin Kosovën, institucionet dhe popullin e saj.  Çastet si ky i sotshmi na përkujtojnë përparimin që po e arrijmë bashkërisht ditë pas dite.  Arelena dhe Ylli do ta vazhdojnë këtë marrëdhënie të veçantë që Armata e SHBA-së dhe qytetarët e Kosovës e kanë pasur prej vitit 1999.

Në fund, dëshiroj t’ju uroj kadetëve më të ri të West Point-it shumë fat.  E di që Arelena dhe Ylli do të shkëlqejnë në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe pres me padurim ta përcjelli karrierën e tyre premtuese.  Ju faleminderit.