Fjala e ambasadorit Delawie gjatë çeljes së hapësirës krijuese Bonevet në Prishtinë

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë çeljes së hapësirës krijuese Bonevet në Prishtinë, 24 prill 2018


Faleminderit shumë, Lekë. Faleminderit shumë, Vllaznim. Jam jashtëzakonisht i lumtur që jam sonte këtu me ju. Më kujtohet hera e parë kur isha në Bonevet në Gjakovë para një vit e gjysmë apo dy viteve dhe ajo ishte përvojë e mahnitshme. Më kujtohet si sot: gjithë ata fëmijë duke punuar në projekte të robotikës apo të programimit kompjuterik. Ishte diçka e hatashme. Dhe është e hatashme që kemi mundësi ta ndihmojmë Bonevet-in për ta ndihmuar në ndërtimin e shkathtësive të vërteta për njerëz të vërtetë, për të rinjtë që janë e ardhmja e Kosovës. Prandaj jam tepër i lumtur që jam sonte këtu.

Vllaznimi më tregoi se këtë vit nga Bonevet në Prishtinë do të përfitojnë rreth 800 fëmijë e ndoshta vitin e ardhshëm do të jenë nja 1000 fëmijë. Kjo është thjesht mahnitëse. Disa prej punonjësve në ambasadën time i sjellin fëmijët e tyre këtu prandaj e dini që ky duhet të jetë vend shumë i mirë.

Hapësirat krijuese Bonevet janë unike për nga mënyra se si i angazhojnë të rinjtë. Ato nxisin inovacionin, nxisin zgjidhjen e problemeve dhe kremtojnë krijimtarinë. Ato ndihmojnë në formësimin e një gjenerate të zbuluesve të ri, energjia e të cilëve drejtohet në veprimtari që jo vetëm janë argëtuese, por të cilat bëjnë që këta fëmijë të ndërtojnë shkathtësi të njëmendta që mund t’i përdorin gjatë tërë jetës. Ky është vend për të zhvilluar shkathtësi për mendim kritik dhe për të mësuar se është në rregull të gabosh dhe të provosh përsëri. Si dhe më e rëndësishmja, është vend për t’iu ndihmuar të rinjve për t’i zbuluar aftësitë e tyre dhe për të ndërtuar vetëbesimin që vjen me atë zbulim.

Shkathtësitë e mësuara në Bonevet po ashtu plotësojnë për mrekulli kurrikulën e re që Kosova po e zbaton në shkollat e mesme nëpër tërë vendin. Përmes kurseve që ofrojnë mësimnxënie të shkathtësive të njëmendta për punë – si programim, mekanikë dhe dizajn kompjuterik, Bonevet-i mund t’ju ndihmojë nxënësve për t’i zhvilluar aftësitë që i plotësojnë kërkesat e tregut të sotshëm të punës. Kjo është thelbësore sepse edhe me shkallën e lartë të papunësisë në Kosovë, vazhdimisht dëgjojmë nga industrialistët vendas të sektorëve në rritje si TIK, bujqësi, përpunim i drurit dhe shumë të tjerë që nuk mund të gjejnë punëtorë me shkathtësi të duhura për të përparuar në bizneset e tyre. Është thelbësore për të ndihmuar në zhvillimin e shkathtësive praktike që do t’i përgatisin më mirë të rinjtë për ta bërë atë kalimin nga shkolla në tregun e punës.

Gjatë pothuajse tri viteve që jam këtu, kam folur shumë për ndërmarrësinë në Kosovë. Kam folur për pronarët e bizneseve të vogla, për bujqit dhe inovatorët e ri digjitalë me të cilët jam takuar, që po i prijnë përpjekjeve për të krijuar vende pune dhe për ta rritur ekonominë e Kosovës, e të cilët po arrijnë sukses përkundër sfidave të stërmëdha. Ky vrull, kjo dëshirë për të provuar diçka që s’është bërë më parë, për të marrë përsipër rreziqet që vijnë me çfarëdo ndërmarrje të re – këto janë cilësitë thelbësore të çdo ekonomie dhe Kosovës i duhen këta individë më shumë se kurrë.

Ne mund të bëjmë shumë gjëra në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës për të nxitur rritjen ekonomike përmes sektorit privat dhe për t’iu dhënë mundësi të barabarta këtyre ndërmarrësve – qoftë përmes reformave në bujqësi, qasje më të lehtë në kredi apo mjedis më miqësor për bizneset në përputhje dhe të mbrojtur me ligj. Së bashku po arrijmë përparim në këto fusha, por asnjëri prej nesh, asnjë zyrtar qeveritar nuk mund ta prodhojë atë shtytjen e brendshme për të krijuar apo guximin që duhet për ta bërë atë.

Për këtë na duhen vendet si Bonevet-i: për t’i mësuar fëmijët e Kosovës prej vegjëlisë që munden dhe duhet të marrin përsipër sfida të reja, që duhet ta nxisin veten për të studiuar dhe për t’i eksploruar fushat e panjohura dhe për të mësuar si të reagojnë ndaj sfidave dhe pengesave pa u ndjerë të shkurajuar. Na duhen vende që jo vetëm edukojnë, por që nxisin imagjinatën dhe frymëzojnë ëndrra dhe ambicie të reja.

Edhe njëherë, faleminderit të gjithëve për praninë tuaj. Në veçanti, falënderoj Vllaznimin, Lekën dhe ekipin e tyre të mrekullueshëm, por edhe të gjithëve që e keni mbështetur këtë përpjekje dhe keni ndihmuar për ta sjellë Bonevet-in në Prishtinë. Jemi shumë krenarë me juve, partnerët tanë dhe mezi s’po pres të shoh se çka do të ziejë grupi më i ri i “trazovaçëve”.

Ju faleminderit shumë!