Është kënaqësi që jam këtu me kolegët e mi të shquar panelistë dhe më vjen mirë që ju të gjithë jeni këtu për të diskutuar për temën time më të preferuar dhe në të njëjtën kohë më të urryer, në të cilën jemi duke punuar këtu në Kosovë.
Siç tha Ariani, që nga dita me e parë, në të vërtetë, që nga dita kur kam folur për herë të parë publikisht për Kosovën, e që ishte disa muaj para se të vija këtu, korrupsioni ka qenë më krye të listës sime, është në krye të listës së SHBA-së, si çështje në të cilën duhet të punohet në Kosovë.
Kam folur shumë herë për korrupsionin si taksë e dëmshme për komunitetin e biznesit në rritje e sipër të Kosovës. Jam i sigurt që ju të gjithë e dini këtë shumë më mirë se unë. Nëse lihet i pakontrolluar, korrupsioni e dobëson besimin e publikut, i largon investimet e huaja, dekurajon novacionin dhe marrjen e rreziqeve të nevojshme që e bëjnë biznesin e vogël të rritet dhe i detyron të rinjtë e talentuar të largohen nga një vend që ka shumë nevojë për ta. Edhe perceptimi i korrupsionit mund ta ketë këtë efekt, duke zbehur frymën sipërmarrëse të cilën kam qenë aq i privilegjuar ta shoh çdo ditë në Kosovë.
Çdokush në këtë sallë i njeh këto probleme shumë mirë dhe e di që përparimi në rritjen e ekonomisë së Kosovës dhe përparimi drejt luftimit të korrupsionit janë të lidhura ngushtë.
Sfidat janë reale, por nuk janë të pakapërcyeshme. Në të vërtetë, mendoj që kemi arsye të krenohemi për përparimin që kemi bërë në disa fusha, nga ulja e numrit të rasteve të grumbulluara në gjykata deri te një kërkesë më e madhe për arbitrazh për zgjidhjen e kontesteve komerciale dhe shumë më tepër. Dhe, natyrisht, këshilltarët tanë ligjorë vazhdojnë të punojnë gjerësisht me policinë dhe sistemin gjyqësor të Kosovës për ta luftuar korrupsionin më me efikasitet.
Forcimi i sundimit të ligjit është thelbësor për luftimin e korrupsionit, por ka çështje sistematike të emërtimit të tokës, lejeve të ndërtimit dhe të prokurimit publik që vazhdojnë ta dëmtojnë rritjen ekonomike. Më erdhi mirë ta shihja interesimin e Kryeministrit Haradinaj për trajtimin e çështjeve të prokurimit publik në një takim që u mbajt në Odën Ekonomike Amerikane të hënën e kaluar. Trajtimi i prokurimit publik kërkon përpjekje të madhe nga qeveritë e nivelit qendror dhe komunal, por edhe nga komuniteti i biznesit.
Përparimi në ndonjërën nga këto çështje nuk do të jetë plumb i argjendtë, por të bashkuar, këto dhe përpjekje të tjera mund të fillojnë ta formojnë një kulturë të transparencës dhe llogaridhënies më të madhe që u ndihmon bizneseve në Kosovë të lulëzojnë.
Të gjithë ju keni një rol vendimtar për të luajtur. Para së gjithash, ju mund ta luftoni korrupsionin me refuzimin tuaj absolut për të marrë pjesë në diç që nuk janë praktika plotësisht etike të biznesit. Nuk ka kërcim në linjën e parë, nuk ka marrëveshje të veçanta.
Mund ta përdorni edhe zërin tuaj. Korrupsioni fshihet në errësirë, kështu që ndriçojeni. Lajmëroni autoritetet përkatëse kur shihni prova të korrupsionit dhe flisni për çështjet që ndikojnë në ju dhe në bizneset tuaja – sepse këto janë forcat e njëjta që po e pengojnë rritjen ekonomike të Kosovës dhe po i rrënojnë mundësitë për popullin e saj.
Siç thashë kur bisedova me ju në qershor, e di që disa prej jush mund të jeni konkurrentë të njëri-tjetrit, por korrupsioni në Kosovë ndikon te të gjithë, prandaj kjo është një fushë në të cilën duhet të punoni bashkë. Diskutimet si ky janë fillim i mirë dhe shpresoj të shoh më shumë bashkëpunim mes komunitetit të biznesit për këtë çështje.
Ekziston një statistikë e mirë, ose e keqe mendoj, që në vendet me korrupsion endemik, bizneset përballen me kosto mesatarisht 10 për qind më të larta. Ju dhe punonjësit tuaj dhe e gjithë Kosova meritoni më mirë se kaq. Prandaj, ngrini zërin tuaj, punoni me shoqërinë civile dhe agjentët e ndershëm në qeveri dhe bashkëqytetarët tuaj dhe insistoni, insistoni të kërkoni llogari nga udhëheqësit tuaj.
Java Ndërkombëtare kundër Korrupsionit po afrohet, është në fillim të dhjetorit. Do ta kemi një program të madh dhe, natyrisht, do të isha shumë i lumtur të shihja që edhe Oda Ekonomike Amerikane dhe anëtarët e saj e shënojnë këtë javë të rëndësishme.
Nuk ka kohë për të humbur, prandaj të vazhdojmë të luftojmë për të siguruar që të gjithë ju dhe të gjithë qytetarët e Kosovës të keni mundësi ta arrini potencialin për të cilin punoni aq shumë për ta arritur.