Kryeministër Mustafa, kolegë nga komuniteti diplomatik, zyrtarë të ndryshëm, përfaqësues të komunitetit rom, mirëmëngjesi dhe urime Dita Ndërkombëtare e Romëve.
Kam kënaqësinë që mund t’jua përcjell edhe përshëndetjet e Presidentit Obama dhe Sekretarit të Shtetit, Kerry, të cilët dërguan mesazhet me urimet më të sinqerta për këtë ditë të veçantë.
Ndoshta e dini se më shumë se një milion qytetarë të SHBA-së kanë prejardhje rome dhe Shtetet e Bashkuara angazhohen në mënyrë aktive në Dekadën e Përfshirjes së Romëve, që paraqet përpjekjen e qeverive evropiane dhe të shoqërisë civile për përfundimin e diskriminimit dhe për rigjallërimin e komunitetit rom.
Jemi shumë të lumtur që kemi rastin të punojmë me Qeverinë e Kosovës në këtë përpjekje dhe e përgëzojmë Qeverinë e Kosovës për hapat e ndërmarrë deri tash, por është e qartë se ende mbetet edhe shumë punë në të gjitha fushat që veçse u përmendën.
Ne jemi të gatshëm që ta luajmë rolin tonë si ambasadë e SHBA-së në Kosovë, veçanërisht në fushën e edukimit. Siç mund ta dini, kemi punuar për përmirësimin e cilësisë dhe qasjes në arsimimin për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe për komunitetin rom. Përmes USAID-it, ne mbështesim disa Qendra për mësim për fëmijët romë dhe qindra fëmijë romë kanë rastin që përmes këtyre qendrave të marrin mësime shtesë, frymëzim, motivim dhe ndihmë, gjë që iu ndihmon për të pasur sukses në shkollë.
Përmes programeve të sektorit për Diplomaci Publike, siç janë programet për bursa për Access, programi Fulbright, programi i mësimdhënësve të gjuhës angleze, ne po iu ndihmojmë fëmijëve romë për ta mësuar gjuhën angleze ashtu që të kenë qasje më të lehtë në arsimimin dhe për punë në komunitetin e tyre.
Ky është kremtim i rëndësishëm i kontributit të qytetarëve romë ndaj shoqërisë kosovare dhe jemi të lumtur që mund t’ju ndihmojmë edhe në këtë fushë. Këtë vit ne po i sponzorizojmë disa ngjarje për nder të kësaj dite, duke përfshirë edhe premierën e një shfaqjeje të titulluar “Bota është vendlindja jonë” që jepet në Teatrin Kombëtar, pastaj një ekspozitë me fotografi për jetën e romëve në Kosovë, botimin e një libri ku përfshihen vepra nga autorë romë dhe autorë të tjerë, si dhe veprimtaritë në Fushë Kosovë.
Kosova është vend i ri, vend shumetnik dhe në të vërtetë është shembull për Evropën se si mund të jetë një vend i ri shumetnik. Komuniteti rom i Kosovës është pjesë e rëndësishme e kësaj pasurie dhe llojshmërie, i cili e meriton përkrahjen, vëmendjen dhe mirënjohjen tonë në kremtimin e kontributit që e kanë dhënë në Kosovë.
Ju faleminderit.