Fjala dhe diskutimi i ambasadorit Delawie gjatë konferencës për FSK-në të organizuar nga RIDEA

Fjala dhe diskutimi i ambasadorit Delawie gjatë konferencës për FSK-në të organizuar nga RIDEA, 7 prill 2017

Dëshiroj ta falënderoj RIDEA-n për organizimin e kësaj konference rreth FSK-së dhe për ftesën për pjesëmarrje.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë thellësisht të përfshira qysh prej fillimit në krijimin dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe kemi interesa të përbashkëta – të fuqishme – me Presidentin Thaçi, qeverinë dhe me popullin e Kosovës – për FSK-në.

Si partneri strategjik i Kosovës, besojmë se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm në avancimin e sigurisë dhe zhvillimit nacional të Kosovës.  Shtetet e Bashkuara momentalisht janë kontribuesi më i madh i trupave në KFOR dhe ne mbesim përkrahës të fuqishëm i Kosovës në NATO dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Shtetet e Bashkuara po ashtu janë kontribuesi më i ndihmave në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë i FSK-së, si dhe për institucionet e tjera të fushës së sigurisë të Republikës së Kosovës.

Shpresoj se shumica e qytetarëve të Kosovës pajtohen se vendi im ka fituar një shkallë kredibiliteti për shkak të mbështetjes sonë të fortë për Kosovën, në veçanti për mbrojtjen dhe sigurinë e saj.  Jam krenar me atë që Kosova dhe SHBA-ja e kanë arritur bashkë për ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në nivelet e tanishme të larta të profesionalizmit.  FSK-ja respektohet brenda në Kosovë, në rajon dhe në institucionet evroatlantike.

Do të arsyetoja se vijon të jetë shumë e rëndësishme për të dy vendet tona për ta pasur një qasje të përbashkët për evoluimin dhe zhvillimin e mëtejmë të FSK-së drejt transformimit eventual në Forca të Armatosura të Kosovës.

E di, sepse ma ka thënë vetë, që edhe Presidenti Thaçi e ka këtë pikëpamje se partneriteti SHBA-Kosovë është thelbësor për ndërtimin e institucioneve të mbrojtjes të Kosovës.

Ekspertët e mbrojtjes e dinë se sa ngushtë kanë punuar këshilltarët tanë me planifikuesit tuaj në planin e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë (RSSS), i cili vijëzon planin për Kosovën për zhvillimin e Forcave të saj të Armatosura me ndryshime kushtetuese dhe përfshin një plan 10-vjeçar për ndërtimin e kapaciteteve të duhura me mbështetjen e SHBA-së dhe partnerëve të tjerë.

Shtetet e Bashkuara mbesin plotësisht të përkushtuara ndaj atij udhërrëfyesi, të cilin e shohim thelbësor për sigurinë e Kosovës në afat të gjatë.

Siç e kam thënë publikisht në tetor në seminarin Rose-Roth të NATO-s, si çështje praktike, Kosova duhet të ketë aftësi legjitime për ta mbrojtur veten para se KFOR-i të shqyrtojmë mundësinë e largimit.

Gjatë procesit të konfirmimit të tij para Senatit, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, James Mattis ka rikonfirmuar politikën e vazhdueshme amerikane për mbështetjen e krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës me ndryshim të Kushtetutës së Kosovës.

E kuptojmë se, në afat të gjatë, Kosova ka nevojë të njëmendtë për aftësi legjitime të vetëmbrojtes dhe e mbështesim Kosovën për ta bërë këtë.

Pse vazhdojmë të flasim për ndryshime kushtetuese?

Besoj se partneriteti ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës është ndërtuar në themele të transparencës, besimit të ndërsjellë dhe bindjes së përbashkët se Republika e Kosovës do të jetë shtet sovran, demokratik dhe shumetnik në rrugëtim drejt anëtarësimit të plotë në institucionet evroatlantike.

Prandaj, si pikënisje, shmangia nga udhërrëfyesi i RSSS-së, për të cilin jemi pajtuar bashkë dhe me të cilin qartazi kërkohen ndryshime kushtetuese – do të ishte ndryshim i papritur i planeve.

Por, përtej kësaj, brengosemi se përparimi i vërtetë drejt një armate efektive nuk arrihet vetëm me ndryshim të një ligji.  Forcat e ardhshme të armatosura të Kosovës do të duhet të ndërtohen me kohë me ndihmën e partnerëve kryesorë, siç SHBA-ja.  Shpallja e armatës në ligj nuk e krijon atë në realitet.

Si miku dhe partneri i Kosovës, është me rëndësi për ne që procesi dhe mekanizmi për krijimin e forcës ushtarake legjitime për Kosovën të jetë i tillë që e përmirëson e jo që pengon përparimin, legjitimitetin ndërkombëtar dhe qasjen e ardhshme në ndihma ushtarake të Kosovës.

Siguria e Kosovës vjen nga ndërthurja e saj në pëlhurën më të madhe të institucioneve ndërkombëtare dhe evroatlantike të sigurisë.

Pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të aleatëve nga NATO-ja janë që tranzicioni i FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës të bëhet gradualisht, në mënyrë transparente, përmes ndryshimeve kushtetuese që janë prodhim i konsultimeve dhe pjesëmarrjes së të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve në Kosovë.

Ne besojmë se reputacioni, gjasat dhe përparimi i Kosovës drejt anëtarësimit në OKB, BE dhe NATO do të dëmtoheshin me çfarëdo ndryshimi të përnjëhershëm të atij plani.

Gjithashtu, besojmë se një çështje kaq e rëndësishme siç është transformimi i FSK-së për të ardhmen e Kosovës është diçka që duhet të jetë temë e diskutimeve dhe debatit serioz dhe të qëndrueshëm që përfshin të gjithë qytetarët e Kosovës.

Një çështje kaq e rëndësishme sië ëshët themelimi i forcës ushtarake duhet të trajtohet në mënyrë të duhur – do të kërkojë dialog, transparencë dhe gatishmëri për të gjetur kompromis.

Të gjithë qytetarët kosovarë kanë të drejtë të jenë pjesë e atij dialogu, që zëri i tyre të dëgjohet dhe që përfaqësuesit e tyre të zgjedhur të kenë mundësi të përshtatshme për pjesëmarrje në të.  Kështu do të duhej të duket demokracia kushtetuese.

FSK-ja tash për tash ka në përbërjen e saj rreth shtatë për qind pjesëtarë të pakicave etnike.  Këtu përfshihen 47 serbë të Kosovës.  Edhe pse këto shifra nuk janë të këqija, duhet të punohet më shumë, veçanërisht në shtimin e përfaqësimit të serbëve dhe pakicave të tjera në rangjet e oficerëve.  E di se FSK-ja tashmë po punon në rritjen e këtyre numrave dhe për të pasur një forcë të sigurisë më të larmishme.  Më inkurajojnë ato përpjekje.  Është me rëndësi sepse FSK-ja do të jetë në shkallën e saj më të mirë vetëm kur të shfrytëzojë talentin e të gjitha segmenteve të shoqërisë kosovare.

Kohëve të fundit, i kam pasur disa biseda të mira me Presidentin Thaçi, Kryetarin e Kuvendit Veseli, Kryeministrin Mustafa dhe udhëheqësit e tjerë politikë për këtë temë dhe mendoj se po bëjmë përparim të rëndësishëm për identifikimin e rrugës si duhet të vazhdojmë më tej.

Çka na duhet tash është një pushim për të mos ndjekur agjendën e tanishme legjislative që t’i lëmë kohë një debati të hapur si të themelohet forca e armatosur në mënyrë të tillë që është transparente, përfshirëse dhe kushtetuese.

Do të jetë proces i vështirë dhe e di se shumë kundërshtues që tanimë e konsiderojnë proces të dështuar.  Nuk e pranoj një qëndrim të tillë fatalist.  Çdo gjë është e mundur kur udhëheqësit ulen dhe negociojnë në mirëbesim.  Mbes optimist se udhëheqësit e Kosovës do ta bëjnë gjënë e drejtë – do t’i lënë anash supozimet dhe paragjykimet – dhe të arrijnë marrëveshjen që është në interesin më të mirë të vendit të tyre.

I ftojmë të gjithë udhëheqësit e zgjedhur dhe komunitetet që të jenë pjesëmarrës aktivë në bisedën për FSK-në dhe Forcat e Armatosura të Kosovës.  Tani është koha që të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në formimin e të ardhmes së forcave të sigurisë të Kosovës.  Nuk presim që populli i Kosovës të presë përgjithmonë për këtë, e as nuk besojmë se një palë duhet të ketë veto.

Dëshiroj të jem shumë i qartë kur e them se ky dialog duhet të jetë përfshirës që fjalët e mia të mos keqinterpretohen.  Nuk po i referohem të negocioni me ndonjë shtet të huaj.  Ky është vendim sovran që populli i Kosovës duhet ta marrë vetë.

Sërish, një forcë ushtarake e Kosovës do të jetë në dritën e vet më të mirë vetëm kur pasqyron shoqërinë si tërësi dhe kur t’i shfrytëzojë talentet e të gjitha segmenteve të popullatës.

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me ju për ta bërë këtë realitet.

Ju faleminderit.

 

Pyetja nga publiku: Z. Ambasador, pasi dëgjuat çfarë tha z. Stojanoviq, a jeni i bindur tani që të binden serbët për të votuar për ndryshime kushtetuese është mision i pamundur dhe tani duhet t’jua jepni dritën e gjelbër institucioneve të Kosovës për të pasur ushtri me ligj?

Ambasadori Delawie: Ju faleminderit shumë për pyetjen. Nuk jam i gatshëm të ndalem sot, kuptohet. Me gjithë respektin për zëvendëskryeministrin dhe të tjerët në këtë sallë, mendoj që duhet ta kemi një bisedë më të gjatë. Kjo duhet të kihet parasysh, njerëzit duhet të mendojnë për të gjitha pasojat e ndryshme për atë që ky transformim do të thotë për ta dhe atyre u nevojitet kohë për t’i zgjidhur gjërat. Ndoshta ju mendoni që ky është vetëm një diplomat që po përpiqet ta zgjerojë zotësinë e tij për ta bërë punën e vet dhe për të punuar përgjithmonë në diçka, por në të vërtetë, problemet serioze, shqetësimet serioze kërkojnë bisedë serioze që nuk mund të ndodhë brenda natës. Jam i sigurt që, siç thashë në fjalën time fillestare, nëse udhëheqësit e Kosovës mblidhen së bashku dhe flasin për këto çështje serioze në mënyrë serioze, duke negociuar siç bëjnë politikanët, jam i sigurt që mund të arrijnë në një vend ku çdokush ka pasur mundësi ta thotë mendimin e vet, dhe shpresoj që mund të arrijmë në një vend ku Forca e Sigurisë së Kosovës mund të kalojë sipas planit në të cilin të gjithë kemi punuar në Forca të Armatosura të Kosovës.

Pyetja nga publiku: Ju faleminderit. Përshëndetje për të gjithë pjesëmarrësit. Përshëndetje edhe për panelin. E kam një pyetje për Ambasadorin e SHBA-së, z. Delawie. Duke mirëpritur gatishmërinë për ta shteruar çdo mundësi për të biseduar me Listën Serbe në mënyrë që të arrihet në një përfundim dhe të merret një vendim që do të ishte i pranueshëm për të gjithë, pyetja ime konkrete është: A do të vendoset një afat kohor për të biseduar me Listën Serbe? Sepse, siç mund ta shohim, ky do të jetë një proces shumë i gjatë pasi ata (LS) nuk e kanë dhënë as sinjalin më të vogël për ta treguar gatishmërinë e tyre për një rezultat pozitiv në fund të këtij procesi. Prandaj, nëse shqiptarët, në këtë rast institucionet e Kosovës kanë lejuar, ose thjesht – gjithashtu thuhet që Presidenti i ka shkruar letër Kryetarit të Kuvendit për ta shtyrë procedimin e kësaj çështjeje në Kuvend. A ka ndonjë mënyrë për të ditur nëse Lista Serbe do të ketë afate kohore, sa kohë do t’u duhet për ta dhënë mendimin e tyre për këtë çështje?

Ambasadori Delawie: Ju faleminderit shumë për pyetjen, e çmoj. E kuptoj që ka një interes në përfundimin e kësaj çështjeje. Mendoj që është tepër herët të flasim për afate kohore sepse sapo jemi duke e filluar procesin të cilin Presidenti e përshkroi para pak minutash. Sipas mendimit tim, nëse vendosni afat kohor që në fillim, ju e dënoni veten për të dështuar në fund. Pra, le ta kemi një bisedë, le të kemi negociata për këtë çështje shumë të rëndësishme, siç e përshkroi Ambasadori Chabert, dhe të shohim sa larg do të arrijmë. Siç thashë, mendimi ynë është se askush nuk duhet të ketë veto për këtë çështje. Por mendoj që duhet të ketë diskutim gjatë një periudhe të vazhdueshme kohore. Të shtrohen të gjitha çështjet në tavolinë, të flitet për masa mbrojtëse, gjëra të tilla, dhe më pas të shohim nëse mund të vijmë