Zëvendëskryeministër Kuçi, mysafirë të nderuar, baballarë të nderuar, si dhe më të rëndësishmet: të dashura vajza dhe bija.
Kam kënaqësinë që jam bashkë me ju sot për të rikonfirmuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur ndryshimin pozitiv në Kosovë. Një prej atyre ndryshimeve lidhet drejpërdrejt me të drejtën e grave për të poseduar dhe shfrytëzuar pronën. Kjo është e drejtë themelore e njeriut. Është element thelbësor i një shoqërie demokratike të sunduar nga ligji dhe që mundëson që ekonomia e tregut të funksionojë me potencialin e saj të plotë.
Si bijë, kam qenë e bekuar dhe e mbështetur nga prindërit e mirë për të arritur çdo gjë që e kam pasur në dispozicion, në aspektin ligjor dhe shoqëror. Kam pasur mundësinë ta ushtroj të drejtën time për edukim, punësim, pronësi dhe trashëgimi. Pas vdekjes së prindërve të mi, motra, vëllau dhe unë trashëguam hise të barabartë të pronës së tyre. Në fakt, trashëguam tokë nga nëna ime. Ishte toka e saj – vetëm në emrin e saj.
Sot jam këtu për t’i mbështetur vajzat e Kosovës, të cilat nuk e kanë pasur mundësinë për t’i jetësuar këto të drejta qoftë për shkak se janë hequr nga lista e trashëgimtarëve ose sepse iu është mohuar roli në procedura trashëgimore ose thjesht sepse nuk i kanë ditur të drejtat e tyre.
Shifrat flasin vetë; më pak se 4% e grave në Kosovë trashëgojnë pronë nga prindërit e tyre, vetëm 2% marrin hua bankare përmes pronës së tyre dhe vetëm 19% e grave kanë tokë në pronësi të tyre. Këto shifra kanë rëndësi sepse ndikojnë drejtpërdrejtë në mirëqenien e gjysmës së popullatës kosovare. Gratë në Kosovë janë të përjashtuara nga ekonomia si ndërmarrëse, investitore dhe drejtuese biznesesh shpesh sepse nuk posedojnë pronë dhe si rrjedhojë nuk mund të marrin hua nga bankat.
Si pasojë e kësaj, ekonomia kosovare nuk e shfrytëzon potencialin e plotë të shoqërisë. Kjo është humbje ekonomike që Kosova s’mund t’ia lejojë vetes në rrugën e saj drejt të ardhmes evropiane.
Lajmi i mirë është se ka përparim. Qeveria, duke përfshirë zëvendëskryeministrin Kuçi, ka hartuar Strategjinë kombëtare për të drejta pronësore që ofron udhëzuesin për reformat e domosdoshme. Opinioni publik po ashtu po ndërgjegjësohet rreth të drejtave pronësore. Në fakt, pas pak do të dëgjojmë tregimin e një babai dhe bijës së tij për barazi.
Shtetet e Bashkuara, përmes USAID-it, i mbështesin këto përpjekje dhe do të vazhdojnë të ndihmojnë për t’ua lehtësuar qytetarëve ushtrimin e të drejtës së tyre për pronësi.
Të gjithë baballarëve që i përkrahin dhe iu gëzohen bijave të tyre, ju faleminderit. Fakti që siguroheni që bijat tuaja t’i kenë të njëjtat mundësi dhe të drejta si vëllezërit e tyre do t’iu ndihmojë atyre për ta siguruar të ardhmen më të ndritur dhe më të begatshme.
Ju faleminderit.