Fjala e këshilltarit politik Stephen Banks në Panelin “Transparenca e financimit të partive politike”, 7 dhjetor 2016
Ju faleminderit që ma ofruat mundësinë të them disa fjalë në mbështetje të këtij diskutimi të rëndësishëm gjatë Javës kundër korrupsionit.
Besojmë që korrupsioni është njëri prej problemeve më të rëndësishme me të cilat Kosova përballet gjersa përpiqet ta ndërtojë një të ardhme të integruar në komunitetin euroatlantik dhe ndërkombëtar. Kjo është një çështje qendrore në mendjen e publikut dhe gjithashtu tema kryesore nga Brukseli.
Ishte gjithashtu tema kryesore gjatë vizitës së nënkryetarit Biden në Kosovë këtë vit. Në shumë mënyra, kjo për të ishte çështje shumë personale pasi ai foli për trashëgiminë e birit të tij, Beau, dhe përkrahjes së tij për sundimin e ligjit në Kosovë.
Siç tha nënkryetari Biden gjatë vizitës së në Kosovë në gusht, “Korrupsioni i shter resurset ekonomike nga populli dhe i largon bizneset dhe investimet. E dobëson aftësinë e një shteti për ta mbrojtur veten. E lë atë të prekshme ndaj manipulimeve nga jashtë. Me pak fjalë, ai rrezikon çdo gjë që Kosova shpreson të arrijë, shpreson të bëhet dhe shpresat për të ardhmen e saj.
Tërë këtë javë, organizatat si KDI, D+, Çohu dhe GLPS kanë organizuar aktivitete për ta diskutuar këtë problem të rëndësishëm dhe për ta inkurajuar veprimin në luftën kundër korrupsionit.
Ambasada jonë krenohet që i mbështet këto aktivitete sepse besojmë që korrupsioni është problem që duhet të zgjidhet, e jo vetëm të diskutohet.
Për këtë i kemi mbështetur në mënyrë aktive përpjekjet për ta përmirësuar profesionalizmin dhe efikasitetin në sektorin e drejtësisë në Kosovë. E kemi mbështetur kalimin e qeverisë në prokurim elektronik, duke ndihmuar të krijohet një regjistër publik i shpenzimeve të qeverisë. Gjithashtu i kemi mbështetur përpjekjet e shoqërisë civile dhe të medieve për të analizuar, raportuar dhe ofruar reagime të pavarura në përpjekjet kundër korrupsionit të bëra nga qeveria.
Biseda e sotme është një pjesë e kësaj enigme, sepse integriteti dhe transparenca e financimit të partive politike ka lidhje të drejtpërdrejtë me integritetin dhe transparencën e shpenzimeve të qeverisë dhe punësimin nga qeveria sapo ata liderë të partive politike ta marrin postin.
Tani, do të jem i pari për të pranuar që financimi i partive politike mbetet sfidë për neve në SHBA. Kemi kaluar dekada të tëra në përpjekje për ta gjetur sistemin më të mirë për të siguruar integritet dhe transparencë të financimit të partive politike – dhe ende po e bëjmë këtë.
Por njëri prej elementeve më të rëndësishme të qeverisë sonë është që ne kemi një sistem të kontrollit dhe balancimit për të siguruar që asnjë degë e qeverisë të mos mbajë shumë kompetenca.
Gjithashtu kemi institucione politike që i njohin rreziqet e korrupsionit dhe i vendosin rregullat dhe sistemet për t’u mbrojtur prej tij – jo gjithmonë në mënyrë të përkryer.
E pamë këtë në veprim në vitin 2002 kur Kongresi ynë miratoi “Aktin dypartiak për reformim të fushatës” për të vendosur kufizime të qarta mbi financimin e fushatës të cilat sigurojnë që secili kandidatë mund të mbahet përgjegjës për shpenzimet e veta politike.
Demokratët dhe republikanët votuan me të madhe në interesin më të mirë të vendit, madje edhe nëse atyre mund të mos u ketë sjellë dobi personalisht apo profesionalisht.
I bëj thirrje lidershipit tuaj ta bëjë të njëjtën gjë. Ju keni një ligj mbi financimin e subjekteve politike, i cili detyron auditimin e fondit për mbështetjen e partive politike. Për fat të keq, kuptova që kjo ende nuk ka ndodhur. Auditimi dhe zbardhja e fondeve për financimin e partive politike do të ishte hap i rëndësishëm në ofrimin e transparencës që qytetarët e këtij vendi e dëshirojnë dhe meritojnë.
Pres të shoh një diskutim të mirë këtu sot – dhe, përsëri, dëshiroj t’i falënderoj organizatorët, por edhe pjesëmarrësit, që e kanë ngritur këtë çështje shumë të rëndësishme.