Fjala e drejtorit të Misionit të USAID-it, James Hope, në Panelin “Niveli i progresit në zbatimin e strategjisë kundër korrupsionit”, 8 tetor 2016
Ju faleminderit që ma ofruat mundësinë të marrë pjesë në këtë diskutim. Gjithashtu dua ta falënderoj GLPS-në, Çohu dhe KDI-në për organizimin e kësaj ndodhie të rëndësishme.
Tërë javën, përfaqësues nga qeveria, shoqëria civile dhe bashkësia ndërkombëtare janë tubuar për ta diskutuar problemin e korrupsionit në Kosovë.
E kemi theksuar rëndësinë e transparencës fiskale, rolin që sektori i drejtësisë duhet ta luajë në këtë luftë dhe nevojën për ta krijuar një regjistër publik të financimit të partive politike.
Mendoj se është e drejtë që diskutimi ynë përfundimtar i përfshin të gjitha këto pjesë gjersa diskutojmë për zbatimin e strategjisë kundër korrupsionit.
Dhe strategjia nuk mund të jetë më e rëndësishme sepse korrupsioni është një prej sfidave më të rëndësishme me të cilat përballet Kosova.
I shohim dëmet që i shkakton – e pengon investimin e huaj, e pengon rritjen e vendeve të punës, e minon sundimin e ligjit dhe e zbeh besimin e qytetarëve në qeverinë e tyre. Me pak fjalë, ai e pengon Kosovën për ta arritur potencialin e vet të plotë.
Korrupsioni vjen në të gjitha format. Dhe kështu, Strategjia kundër korrupsionit i trajton çështjet nga të gjithë sektorët e qeverisë – qendrore e lokale – si dhe të sektorit privat, shoqërisë civile dhe medieve.
Siç tha Ambasadori Delawie, kjo është një përpjekje që kërkon “qasjen e tërë qeverisë dhe tërë shoqërisë”.
Por përveç sfidave, shoh edhe përparimin që është duke u bërë anembanë Kosovës, në shumë fusha të theksuara në strategji.
Për shembull, kemi punuar me Qeverinë e Kosovës për ta luftuar korrupsionin në prokurimin publik dhe do t’i dyfishojmë përpjekjet tona duke u ndihmuar qeverive lokale për t’i zbatuar aplikacionet e prokurimit elektronik dhe për ta rritur sasinë e informimit publik për buxhetin komunal dhe vendimmarrjen.
Fuqishëm i kemi mbështetur edhe përpjekjet për ta rritur efikasitetin, profesionalizmin dhe integritetin e organeve për zbatimin e ligjit, prokurorëve dhe gjyqësorit përmes Projektit për fuqizimin e sektorit të drejtësisë.
Kosova tani ka një kod të etikës për gjykatës që përputhet me Parimet Bangalore, si dhe me rregulloret që e përcaktojnë sjelljen e keqe gjyqësore. Dhe në tetor, Ambasadori Delawie ndihmoi në fillimin e një nisme të re për integritet publik, qëllimi i të cilës është mobilizimi i gjykatësve dhe qytetarëve për t’u angazhuar për një kulturë të integritetit dhe llogaridhënies.
Gjithashtu besoj që këtë javë e kemi parë dëshirën për ta forcuar bashkëpunimin mes institucioneve publike dhe shoqërisë civile për ta monitoruar zbatimin e politikave kundër korrupsionit.
Kjo është me rëndësi pasi ende ka shumë punë për të bërë, sepse strategjia është po aq e mirë sa edhe zbatimi i saj.
E inkurajoj qeverinë dhe shoqërinë civile ta trajtojnë këtë strategji si dokument të gjallë – pasqyruese të përparimit të arritur, por që gjithashtu përfshin reagimin për sfidat që duhet kapërcyer.
Biseda e sotme është fillim i shkëlqyeshëm. Jemi krenarë që jemi partnerë me ju në këtë çështje dhe u gëzohem diskutimeve të sotme.