Deklaratë mbi vizitën e Ndihmëssekretares Nuland në Kosovë

Ndihmëssekretarja e Shtetit Victoria Nuland e vizitoi Kosovën të dielën, më 10 korrik, për një sërë takimesh me udhëheqës nga Qeveria e Kosovës dhe shoqëria civile. Gjatë vizitës së saj, ajo ishte e shoqëruar nga Ndihmëssekretari i Mbrojtjes për Rusi, Ukrainë dhe Euroazi dr. Michael Carpenter dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë Greg Delawie.

Gjatë takimeve me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, Kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe Kryeministrin Isa Mustafa, Zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe Ministrin e Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, si dhe me Zëvendëskryeministrin Branimir Stojanovic, Ndihmëssekretarja Nuland nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për një Kosovë të fuqishme, të pavarur e demokratike. Ndihmëssekretarja Nuland theksoi se Kosova ka bërë progres të konsiderueshëm gjatë vitit të kaluar, por që qeveria duhet të vazhdojë t‘i adresojë sfidat e rëndësishme që mbeten, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe integrimit Euroatlantik, përfshirë demarkacionin me Malin e Zi dhe dialogun me Serbinë.

Ndihmëssekretarja Nuland gjithashtu organizoi një tryezë të rrumbullakët me udhëheqës të shoqërisë civile, që fokusohej në temën kundër korrupsionit. Pasi që i dëgjoi perspektivat e pjesëmarrësve nga Kosova, Ndihmëssekretarja Nuland nënvizoi rëndësinë e reformimit të sektorit të drejtësisë dhe rolin e shoqërisë civile në promovimin e asaj reforme. Ajo theksoi nevojën për një bashkëpunim të fortë mes qeverisë dhe shoqërisë civile për ta ndalur korrupsionin.

Para se të largohej, Ndihmëssekretarja Nuland i dha një intervistë RTK-së, gjatë të cilës ajo iu përgjigj pyetjeve mbi prioritetet e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, nevojën për progres në Parlament, dialogun me Serbinë, përpjekjet e Kosovës për ta luftuar ekstremizmin e dhunshëm, demarkacionin e kufirit dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.