Deklaratë e përbashkët rreth përshkallëzimit të tensioneve në veri të Kosovës, 28 dhjetor 2022
Teksti i deklaratës në vijim është lëshuar nga zëvendësi i parë i zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Vedant Patel dhe zëdhënësja e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Nabila Massrali
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara rreth gjendjes së vazhdueshme të tendosur në veri të Kosovës.
Iu bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen maksimalisht, të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të zbutur pa kushte situatën dhe të përmbahen nga provokimet, kërcënimet apo frikësimet.
Ne po punojmë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për të gjetur zgjidhje politike për të zbutur tensionet dhe për tu pajtuar se si të ecet përpara në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve lokale.
Mirëpresim garancitë e udhëheqësisë së Kosovës që konfirmojnë se nuk ekziston asnjë listë e qytetarëve serbë të Kosovës që do të arrestohen apo ndiqen penalisht për protesta paqësore/barrikada. Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet dhe çdo formë dhune është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin punën e Bashkimit Evropian përmes Misionit të Sundimit të Ligjit (EULEX). Në përputhje me mandatin e tij, EULEX-i do të vazhdojë monitorojë nga afër të gjitha hetimet dhe procedurat vijuese për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut. Në veçanti, kjo përfshin garancitë e gjykimit të drejtë, si dhe mbrojtjen dhe trajtimin e barabartë për pjesëtarët e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë.
Gjithashtu presim që Kosova dhe Serbia t’i kthehen nxitjes së një mjedisi të përshtatshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve të tyre.
Të gjitha obligimet nga dialogu duhet të zbatohen plotësisht pa vonesë.