Deklaratë e përbashkët nga i dërguari i posaçëm presidencial Richard Grenell, ambasadori Philip Kosnett, përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin perëndimorë Matthew Palmer, 26 mars, 2020
Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë pranë popullit të Kosovës. I lëvdojmë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe të të tjerëve që po punojnë me mund e me rrezik të madh për të zvogëluar përparimin e COVID-19 në Kosovë. Në këtë kohë pasigurie, i nxisim udhëheqësit e Kosovës që t’i përmbahen Kushteturës së Kosovës dhe sundimit të ligjit. Jemi të përkushtuar për të punuar me çfarëdo qeverie të formuar përmes procesit kushtetues.
Përveç kësaj, vazhdojmë t’i nxisim udhëheqësit e Kosovës për ta hequr plotësisht taksën. Ne besojmë se taksa po e dëmton popullin e Kosovës duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër COVID-19 – përshirë edhe duke vonuar hyrjen në Kosovë të furnizimeve të nevojshme – dhe po pengon rritjen ekonomike.
Dëshirojmë ta bëjmë të qartë se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim të tokës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell kurrë nuk ka parë apo diskutuar një plan të tillë. Përqendrimi i qeverisë amerikane për t’i mbështetur marrëveshjet e kohëve të fundit për rivendosjen e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe rrugore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka për qëllim që të përmirësojë ekonominë dhe të krijojë momentum ekonomik. Ne besojmë se ky momentum do t’i japë energji të re procesit të dialogut që do të çonte te njohja e ndërsjellë.