Deklaratë e përbashkët e ambasadave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd dhe Prishtinë rreth gjendjes në veri të Kosovës

Deklaratë e përbashkët e ambasadave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd dhe Prishtinë rreth gjendjes në veri të Kosovës, 11 dhjetor 2022

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin shqetësimin e tyre të thellë rreth gjendjes së tanishme në veri të Kosovës. Jemi njoftuar që autoritetet kosovare kanë ndaluar një person, të dyshuar për përfshirje në sulm të dhunshëm kundër organeve kosovare të zbatimit të ligjit dhe zyrtarëve të komisionit zgjedhor. Ky arrestim po përdoret si arsyetim për vendosjen e bllokadave të paligjshme në rrugë, si dhe për kërcënim dhe frikësim të autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale.

Ata që i kanë vendosur bllokadat e paligjshme në rrugë do të duhej që t’i çmontojnë ato menjëherë. Presim që t’iu jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit. Shprehim mirënjohjen dhe mbështetjen tonë të plotë për Forcën e Kosovës të NATO-s (KFOR) në përpjekjet për të mundësuar siguri dhe liri të lëvizjes, si dhe Misionit të Sundimit të Ligjit të Bashkimit Evropian (EULEX). I dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive kosovare dhe ndërkombëtare të sigurisë.

Iu bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen maksimalisht, të marrin veprim të menjëhershëm për të zbutur gjendjen dhe të përmbahen nga aktet provokuese. Iu bëjmë thirrje palëve që të punojnë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për t’i zgjidhur çështjet shqetësuese në fjalë.