Deklaratë e Kongresistit Peter Roskam dhe Kongresistit David Price

Deklaratë e Kongresistit Peter Roskam dhe Kongresistit David Price, 19 shkurt  2017

Kongresisti Roskam: Ju faleminderit z. Kryetar (Veseli). Keni qenë shumë i përzemërt në mikpritjen tuaj këtë mëngjes, ju dhe kolegët tuaj.

Unë jam Peter Roskam. Jam anëtar i Kongresit dhe shoqërohem nga kolegu im Kongresisti David Price. Jemi një komision dypartiak i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe jemi pjesë e Partneritetit për Demokraci të Dhomës së Përfaqësuesve. Kemi marrëdhënie me Kuvendin e Kosovës, anëtarë të parlamentit në marrëdhënie dhe miqësi me Kuvendin e Kosovës, sepse besojmë që një kuvend i fortë do të thotë një Kosovë e fortë. Dhe një Kosovë e fortë është një demokraci e fortë, e kjo është mirë për rajonin dhe për botën. Kjo është mundësia e parë e delegacionit të Kongresit, kjo është mundësia e parë për anëtarët e Kongresit për të udhëtuar jashtë Shteteve të Bashkuara qëkur dhamë betimin muajin e kaluar.

Kosova është ndalesa jonë e parë. Pse është kështu? Sepse ky vend është shumë i rëndësishëm. E tërë bota është duke e shikuar Kosovën. E tërë bota është duke e inkurajuar Kosovën në disa mënyra. Ne natyrisht jemi. E kuptojmë që një Kosovë stabile dhe një Kosovë në të cilën të gjitha palët janë të përfshira në qeverisje është ajo për të cilën mund të festojmë shumë. Siç i kam thënë Kryetarit dhe kolegëve të tij, përvoja e Kosovës tepër modeste është për çdo student të historisë. Kjo lë të kuptohet që shumë prej njerëzve me të cilët ndërveprojmë i kanë pasur udhëtimet e tyre shumë të vështira nga një pikëpamje historike. Megjithatë, ja ku jemi sot, në një demokraci në një vend që duhet të festohet dhe të inkurajohet. E dimë që ka sfida të mëdha për Kosovën, por gjithashtu e dimë që trajektorja e Kosovës është shumë e rëndësishme. Ky udhëtim dhe roli që Kuvendi luan posaçërisht sa i përket prosperitetit afatgjatë është arsyeja pse jemi këtu sot. Pra, është nder i madh, dhe z. Kryetar, me lejen tuaj, unë do t’ia jap fjalën shokut tim, Kongresistit David Price.

Kongresisti Price: Ju faleminderit. Është kënaqësi të kthehem në Kosovë dhe të mirëpritem shumë ngrohtësisht këtë mëngjes të së dielës me dëborë. Ju jemi mirënjohës për mikpritjen. Gjithmonë kemi ndierë një lidhje të veçantë me këtë vend. E dimë që kjo ndjenjë është e ndërsjellë për shkak të historisë sonë të përbashkët. Për shkak të asaj që vendi ynë ka investuar në të ardhmen tuaj dhe të asaj që ju keni luftuar për të ardhmen tuaj dhe keni kërkuar miqësinë dhe mbështetjen tonë. Pra, kjo është një marrëdhënie e veçantë. Ne kemi pasur një sezon politik të trazuar në vendin tonë, por, siç thotë Peter Roskam, ky është aktiviteti ynë i parë pas tranzicionit që ka ndodhur. Dhe një pjesë e qëllimit tonë është të sinjalizojmë se pa marrë parasysh çfarë ndryshimesh mund të ketë në udhëheqjen e vendit tonë, ne kemi një politikë dypartiake ndaj Ballkanit dhe në Kosovë në veçanti. Ne jemi të vendosur që kjo do të vazhdojë, kjo miqësi dhe mbështetje do të vazhdojnë.

Partneriteti për Demokraci i Dhomës së Përfaqësuesve është komision dypartiak i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, që është një pjesë shumë e synuar e asaj përpjekjeje diplomatike. Por, më duhet të them, kemi qenë me Kosovën që nga fillimi. Ishim këtu duke punuar në Maqedoni vjet më parë dhe kemi ardhur në Kosovë para pavarësisë. Kemi lidhur një partneritet menjëherë pas pavarësisë. Kemi ardhur dhe shkuar shumë herë. Shumë nga anëtarët tuaj të Kuvendit, anëtarë të stafit tuaj, kanë ardhur në SHBA. Gjatë viteve kemi ndërtuar jo vetëm vullnet të mirë, por mendoj disa përvoja shumë të vlefshme të përbashkëta që do t’i mundësojnë Parlamentit të Kosovës, Kuvendit, të jetë institucion i pavarur i qeverisjes që ka ekspertizën e vet, autoritetin e vet, dhe së bashku me ekzekutivin dhe ministritë, qeveris në mënyrë të përgjegjshme dhe llogaridhënëse. Kjo është ajo me të cilën ka të bëjë demokracia. Nganjëherë themi se zgjedhjet e lira dhe të drejta janë shumë, shumë të rëndësishme për demokracinë, por ajo që ndodh ndërmjet zgjedhjeve është edhe më e rëndësishme, e kjo është formimi i organeve të përgjegjshme të qeverisjes. Prandaj, jemi shumë krenarë që jemi partnerët tuaj në këtë dhe presim ta vazhdojmë këtë marrëdhënie. Ju faleminderit.