Deklaratë e ambasadorit të shteteve të bashkuara të amerikës në republikën e kosovës Jeffrey m. Hovenier

Deklaratë e ambasadorit të shteteve të bashkuara të amerikës në republikën e kosovës Jeffrey m. Hovenier,  3 shkurt 2024

Për publikim të menjëhershëm

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thellësisht e shqetësuar nga veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejt dhe negativ në pjesëtarët e etnisë serbe dhe pakicat tjera në Kosovë. Këto veprime po i shtojnë tensionet ndëretnike pa nevojë dhe si pasojë kufizojnë mundësitë që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Ato përfshijnë operacionet që Policia e Kosovës, me urdhër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i ka kryer gjatë javës së kaluar në zyrat e institucionet e administruara nga Serbia në Dragash, Pejë, Istog, Klinë dhe në OJQ-në Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë. Po ashtu, jemi të shqetësuar nga aksionet e sotshme të Policisë së Kosovës për të sekuestruar dinarë serb dhe automjetin që transportonte dinarë për shpërndarjen e pagesave të përfitimeve sociale nga Serbia. Kërkojmë nga autoritetet e Kosovës që të sigurojnë që individët për të cilët janë destinuar këto pagesa të përfitimeve sociale t’i marrin ato pa vonesë.

Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi që të promovojë vizionin e caktuar gjatë themelimit të vendit dhe të paraparë në Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën: një vizion i një demokracie plotësisht shumetnike që iu përgjigjet shqetësimeve të të gjithë qytetarëve të saj. Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes dialogut të mundësuar nga BE-ja. Gjithashtu, theksojmë sërish kërkesën tonë që Kosova të shtyjë zbatimin e Rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me paratë e gatshme, derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa popullata të jetë e informuar siç duhet se si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre.