Ambasadori Delawie: Përshëndetje të gjithëve. Më vjen mirë që po ju shoh të gjithëve këtu. Kam ardhur këtu në mbështetje të funksionimin normal të Kuvendit. Është shumë zhgënjyese po i shohim disa deputetë duke lëshuar gaz lotsjellës në Kuvend sërish. Është zhgënjyese. Shumë prej jush me siguri e dini që Kuvendi sot është dashur ta miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm dhe ka pasur një listë të gjatë të ligjeve të rëndësishme që janë të domosdoshëm për Kosovën.
Po ashtu, i përgëzoj ata deputetë që po e bëjnë më të mirën e tyre për t’i përmbushur obligimet e tyre ndaj qytetarëve të Kosovës duke u përpjekur që të mbajnë seancë të rregulltë dhe shpresoj që do t’ia dalin ta bëjnë atë gjatë ditës së sotshme.
Dëshiroj t’ua përkujtoj të gjithëve se shefi im, Sekretari i Shtetit Kerry ishte këtu para gati dy javëve dhe ai inkurajoi që dhuna të mos jetë pjesë e Kuvendit dhe është shumë zhgënjyese që njerëzit nuk po e dëgjojnë atë.
E dini, mendoj se përveç këtyre makinacioneve këtu, mendoj se kosovarët më së shumti brengosen rreth çështjeve ekonomike, si papunësia, a do të mund ta gjejnë një vend pune… gjërat e tilla. Për fat të keq, shpërqendrimi i Kuvendit nga puna e tij e zakonshme nuk kontribuon fare për të ndihmuar në përmirësimin e ekonomisë së Kosovës.
Po ashtu, nuk kisha si të mos e vëreja që sot në sallën e Kuvendit ishin një apo dy deputetë, të cilën do të duhej të jenë në arrest shtëpiak. Më shqetëson dhe mendoj se edhe shumë njerëz në Kosovë shqetësohen kur shohin pjesëtarët e një klase politike që ndjejnë se nuk janë të obliguar që t’i përfillin të njëjtat rregulla dhe ligje si çdo qytetar tjetër i Kosovës.
Në fund, dëshiroj të them diçka rreth retorikës në rritje nacionaliste dhe ksenofobike që e kemi dëgjuar ditëve të fundit. Mendoj se Ballkani ka parë mjaftueshëm gjëra të tilla dhe shpresoj që përfundimisht kjo retorikë do të ndalojë.
Ju faleminderit shumë. Ju dëshiroj ditë të mbarë.