Deklarata e ambasadorit Xhefri Huveniër për mediat kosovare Vendimet për dokumentet për hyrje-dalje dhe targa të veturave

Deklarata e ambasadorit Xhefri Huveniër për mediat kosovare Vendimet për dokumentet për hyrje-dalje dhe targa të veturave, 31 korrik 2022

Mirëmbrëma. Jam këtu sonte sepse, si të gjithë ne, jam i shqetësuar për gjendjen dhe sigurinë në veri të Kosovës.

Së pari, dëshiroj t’i them disa fjalë për vetë vendimet – këto vendime për dokumentet për hyrje-dalje, si dhe për targa të veturave për qytetarët e Kosovës që mundëson që qytetarët të kenë targa të lëshuara nga Republika e Kosovës.

Nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës këto vendime janë plotësisht me vend dhe në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka asnjë brengë ose shqetësim për këto vendime.

Kemi pasur disa biseda me qeverinë për zbatimin e këtyre vendimeve dhe afatet kohore për zbatimin e tyre.

Dhe një prej arsyeve pse jam këtu sonte ishte të bisedoj me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, zëvendëskryeministrin Bislimi dhe zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Gërvalla-Shvarc, për të përcjellë një kërkesë të qartë nga qeveria e SHBA-së që zbatimi i këtyre dy vendimeve të shtyhet për 30 ditë.

Mendojmë se shtyrja e zbatimit të tyre për 30 ditë do të ishte e rëndësishme sepse duket se ka keqinformim, keqkuptim dhe dezinformim për vetë këto vendime, si dhe për pasojat e tyre.

Shpresojmë të punojmë me qeverinë dhe me kolegët tanë nga BE-ja për të ndihmuar për të mundësuar, për të siguruar që këto vendime kuptohen më mirë dhe përmes këtij mirëkuptimi të zbuten tensionet. Më duhet të jem i qartë: nuk po kërkojmë që këto vendime të rishikohen.

Gjithashtu, dëshiroj të shpreh shqetësimin që disa individë kanë zgjedhur të shprehin shqetësimin e tyre për këto vendime duke bërë gjëra si vendosja e barrikadave ose zvogëlimit të lirisë së lëvizjes.

Nuk e nxisim e as nuk e mbështesim këtë.

Mënyra e duhur për të shprehur shqetësimet për vendimet e qeverisë është përmes dialogut të njerëzishëm.

Pra, ia kemi parashtruar këtë kërkesë qeverisë dhe e presim me padurim vendimin e qeverisë.

Ju faleminderit shumë.