Deklarata e ambasadorit me rastin e betimit të vullnetarëve të Korpusit të Paqet dhe lidhur me shqetësimin për dhunën politike, 22, janar, 2016

Me rastin e ceremonisë së betimit të vullnetarëve të Korpusit të Paqes të premten e kaluar, ambasadori Delawie e pati këtë koment ndaj pyetjes së Arton Mulliqit nga RTK-ja rreth gjendjes së tanishme në Kosovë.

Ambasadori Delawie: Së pari, dëshiroj ta theksoj arsyen pse jam këtu. Jam këtu për betimin e gjashtë vullnetarëve të ri të Korpusit të Paqes. Është nder i stërmadh për mua që të shërbej në një vend bashkë me Korpusin e Paqes, i cili përfaqëson përkushtimin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj suksesit në Kosovë.

E t’i përgjigjem pyetjes suaj: Shpresoj që të gjithë politikanët në Kosovë e kanë shfrytëzuar kohën e festave të Vitit të Ri për të reflektuar rreth mënyrave se si duan t’i arrijnë objektivat e tyre. Unë vazhdoj të jem thellësisht i shqetësuar rreth mundësisë për të pasur ende dhunë politike në Kosovë, veçanërisht rreth mosgatishmërisë së disa politikanëve për ta përjashtuar përdorimin e dhunës si mjet politik. E kuptoj se shumë njerëz dëshirojnë ta shprehin pakënaqësinë e tyre, zhgënjimin e tyre rreth asaj se si qëndrojnë gjërat tash për tash. Sigurisht që e respektoj të drejtën për protesta politike paqësore, e drejtë që është në Kushtetutën e vendit tim për më shumë se 200 vite. Por në demokraci, dallimet dhe mospajtimet duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore, e jo me gjërat si gazi lotsjellës ose koktej molotovi. Unë besoj në mënyrë të patundur se Kosova ka bërë rrugëtim të jashtëzakonshëm në këto vite prej shpalljes së pavarësisë. Ajo ka potencial të stërmadh për të ardhmen. Le ta mbajmë këtë në mendje dhe të përpiqemi të arrijmë përparim e të mos e rrezikojmë hedhjen poshtë të disa prej përparimeve që Kosova tashmë i ka arritur.