Deklarata e ambasadorit Delawie për Radio Evropa e Lirë, 6 qershor 2018
Sapo pata një takim të mirë me kryeministrin, ku e trajtuam edhe këtë çështje. Sigurisht që unë ia shpreha shqetësimin tim rreth numrit brengosës të incidenteve të kohëve të fundit të drejtuara ndaj disa individëve, disa pjesëtarëve të pakicës serbe. Mendoj se këto incidente janë plotësisht të papranueshme.
E mirëpres deklaratën e qeverisë të lëshuar dje. Megjithatë dëshiroj të shoh që po bëhet më shumë. Mendoj se policia qartazi po reagon në mënyrë pozitive dhe kjo është e mirë, por kjo përgjigje duhet të përmirësohet dhe që ata duhet të punojnë më shumë në parandalim e jo vetëm që të merren me gjërat pasi të kenë ndodhur.
Kosova është shoqëri shumetnike dhe mendoj që varet nga çdo person që të bëjë më të mirën për të jetuar me fqinjtë e tyre. Dhe mendoj se çdokush ka përgjegjësi për të jetuar në paqe me fqinjtë e tij apo të saj.
Sigurisht kërkoj që njerëzit të mos lejojnë që retorika nga qarqet e tjera t’i nxisë në sjellje negative dhe kriminale. Kjo vetëm se lëndon Kosovën; i dëmton qëllimet e Kosovës për të ardhmen e secilit qytetar të këtij vendi.
Më duhet të them se pohimet për “terror të organizuar” apo “ndërhyrjet e befasishme në veri” shërbejnë vetëm për të ngritur tensionet ndërmjet komuniteteve dhe krijojnë pasiguri më të madhe për të gjithë. Të gjitha anët – përfshirë edhe mediet – do të duhej që me kujdes t’i masin fjalët, ta shqyrtojnë ndikimin e fjalëve të tyre dhe të bëjnë përpjekje për të kontribuar në sigurinë dhe qetësinë në Kosovë.
Nuk ka nevojë të thuhet që është me rëndësi që të gjithë, nga të gjitha komunitetet e Kosovës, të punojnë së bashku për pajtim dhe për të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.