Deklarata e Ambasadorit Delawie për media për zhbërjen e Ligjit për Gjykatën Speciale

Deklarata e Ambasadorit Delawie për media për zhbërjen e Ligjit për Gjykatën Speciale, 22 dhjetor, 2017

Mirëmbrëma të gjithëve. Jam këtu në ndërtesën e Kuvendit. Është një nismë që është paraqitur, me sa duket, ekziston një përpjekje për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale për Kosovën. Dua ta bëj shumë të qartë që ne, Shtetet e Bashkuara, e kundërshtojmë çdo përpjekje për ta ndryshuar apo shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale. Më duhet të them që vërtet jam i zhgënjyer që kjo çështje doli nga askund gjatë dy ditëve të fundit. Asnjë debat publik, i cili për një çështje me interes kaq të madh për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës është vetëm turp, sipas mendimit tim.

Kjo përpjekje, nëse ka sukses, do të ketë implikime shumë negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës. Kjo do të konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara si thikë pas shpine. Kosova do ta zgjedhë izolimin në vend të bashkëpunimit dhe më duhet të them që do të urrejmë ta kthejmë orën mbrapa për Kosovën për progresin që ka arritur deri më tani.

U bëj thirrje udhëheqësve të Kosovës që të ndihmojnë në mbylljen e kësaj përpjekjeje. Çdokush duhet të mendojë për interesin e shtetit dhe të dy milionë qytetarëve të Kosovës në vend të interesave të veta personale për këtë. Mbështetja ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës është ndërtuar mbi idenë se Kosova do t’i trajtojë drejtësisht individët që kanë kryer krime lufte. Heqja dorë nga ky zotim do të ketë implikime jashtëzakonisht negative për Kosovën, për qytetarët e saj dhe për marrëdhënien e saj me Shtetet e Bashkuara. Ju faleminderit shumë.