Deklarata e ambasadorit Delawie për Luftimin e Ekstremizmit të Dhunshëm

Mendoj se është me rëndësi ta kuptojmë se luftimi i ekstremizmit të dhunshëm është diçka me të cilën duhet të merren të gjitha shtetet.  Sigurisht që edhe në Shtetet e Bashkuara duhet të shqetësohemi për këtë çështje, prandaj nuk është çështje vetëm e Ballkanit; nuk është çështje vetëm e Kosovës. Mendoj se kemi një partneritet tepër të hatashëm me Kosovën për këtë çështje të rëndësishme.  Kosova i ka miratuar disa ligje të rëndësishme, ka burgosur njerëz, kurse numri i njerëzve që shkon në Irak dhe Siri për të luftuar ka rënë tepër shumë. Mendoj se elementi më mbresëlënës në tërë këtë tregim ka të bëjë me atë çka ndodhi në nëntor lidhur me ndeshjen e futbollit ndërmjet Izraelit dhe Shqipërisë, që fillimisht ishte menduar të luhej në Shkodër, por u bart në Tiranë.  Si rezultat i veprimeve të policisë së Kosovës dhe agjencive qeveritare të Kosovës, ai komplot u prish plotësisht.  Ka pasur gjasa që të ketë shumë viktima nga ai sulm.  Më bëri përshtypje që Izraeli e mundi Shqipërinë 3:0 në atë ndeshje futbolli, por të gjithë shkuan në shtëpi si fitues, sepse të gjithë shkuan gjallë në shtëpi.  Dhe kjo ndodhi për shkak të veprimeve që zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe partnerët e tyre në rajon i ndërmorrën për t’i mbrojtur ato jetë. Pra, jemi shumë të mahnitur me punën e Qeverisë së Kosovës në trajtimin e problemit të ekstremizmit të dhunshëm.  Kosova është ndër partnerët tanë më të fortë dhe mirëpresim bashkëpunimin e vazhdueshëm për këtë çështje jashtëzakonisht të rëndësishme.