Deklarata e Ambasadorit Delawie në Kuvend, 19 shkurt 2016

Mirëdita të gjithëve.  Jam këtu në mbështetje të institucioneve të Kosovës.  Jam këtu për ta mbështetur Kuvendin e Kosovës.  Kosova përballet me shumë sfida.  Mendoj se të gjithë i dimë shumë prej tyre: papunësia, liberalizimi i vizave, korrupsioni… gjërat e tilla, dhe për këtë arsye asaj i duhet Kuvend funksional për t’i zgjidhur ato.

Jam këtu në mbështetje të deputetëve nga shumica dërmuese e partive, të cilët janë këtu për ta kryer punën e tyre, për çka i kanë zgjedhur votuesit e tyre më pak se dy vjet më parë.  Edhe më tej më bëjnë përshtypje njerëzit që vijnë në punë për qytetarët e Kosovës në kushte jashtëzakonisht të vështira.  Këta njerëz janë zgjidhës të problemeve. Më vjen mirë që i kemi kaq shumë zgjidhës të problemeve në Kosovë sepse qartazi kemi edhe krijues të problemeve.

Më duhet të them se jam i zhgënjyer – më mirë të them se jam i zemëruar nga udhëheqësit e AAK-së, Nismës dhe VV-së dhe nga pamundësia e tyre për ta treguar të njëjtën pjekuri dhe përkushtim ndaj demokracisë siç e treguan qytetarët e Kosovës gjatë demonstratës paqësore të mërkurën.  Mbështetja për këta njerëz, për këto parti, për dhunë dëmton Kosovën, e dëmton të ardhmen e Kosovës.

Më duhet t’i lavdëroj pjesëtarët e Policisë së Kosovës për punën e tyre sepse ata janë vënë në pozitë shumë të vështirë nga deputetët opozitarë, të cilët qartazi mendojnë se janë mbi ligjin dhe refuzojnë ta respektojnë ligjin dhe procedurën e punës së Kuvendit.

Në fund, më duhet të them se 17-18 vjet më parë, shumë qytetarë, mijëra qytetarë të Kosovës kanë luftuar dhe kanë vdekur për ta fituar pavarësinë e këtij vendi.  Ata po përpiqeshin për pavarësi, por po ashtu edhe që qytetarët e Kosovës të kenë mundësi ta jetojnë jetën në paqe.  Njerëzit që po hedhin gaz lotsjellës në Kuvend, deputetët e opozitës po ua pamundësojnë qytetarëve të Kosovës të drejtën e tyre për të jetuar në paqe në një vend të pavarur demokratik dhe unë e dënoj një gjë të tillë.

Ju faleminderit shumë.