Angazhimi i shoqërisë civile në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë hapjes së konferencës, “Angazhimi i shoqërisë civile në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm”, 28, shkurt, 2017

Ju faleminderit për ftesën për të marrë pjesë në këtë ngjarje.  Jam krenar për partneritetin e fuqishëm ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës në këtë çështje thelbësore dhe të ndërlikuar dhe jam shumë i inkurajuar nga këto ngjarje që forcojnë zyrtarët komunalë, komunitetet dhe qytetarët për të qenë aktivë në përballjen me sfidat e Kosovës.

Sa i përket çështjes së luftimit të ekstremizmit të dhunshëm, rëndësi të veçantë ka nevoja thelbësore për të zhvilluar mënyra të përshtatshme dhe efektive për tu ballafaquar me ekstremizmin dhe për të ndërtuar qëndrueshmërinë ndaj radikalizimit dhe dhunës.  E ky nuk është kërcënim statik – vazhdimisht duhet t’i shtjellojmë mënyrat se si komunitetet mund të gjejnë qasje domethënëse për të parandaluar madje edhe ngjizjen e ideologjive radikale.

Ambasada i ka mbështetur fuqimisht përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për ta trajtuar këtë çështje.  E tani që Strategjia dhe Plani i veprimit për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm janë duke funksionuar mirë në nivel shtetëror, është thelbësore që udhëheqësit në komunitete t’i marrin frerët në dorë për të siguruar zbatimin e tyre në nivel lokal.

Ekspertiza juaj e thellë, si dhe përvoja jua, si dhe njohja e kontekstit lokal të radikalizimit në komunitetet tuaja ju bën partnerë thelbësorë për luftimin e këtij fenomeni.

Nisma e Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë rreth luftimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe konferencat si kjo ju fuqizojnë të gjithëve për t’i zhvilluar dhe zbatuar zgjidhjet kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Këto konferenca po ashtu paraqesin rast të mirë për të vënë kontakte me organizatat dhe individët për të folur rreth mënyrave si të punoni së bashku rreth nismave për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm që ua mundëson çdonjërit nga ju t’i sillni pikat e forta në ato diskutime.

Kurrë nuk mund t’i dimë të gjitha arsyet pse ekstremizmi zë vend në zemrat e disave, duke i larguar nga familjet dhe komuniteti dhe duke i shtyrë drejt një bote më të errët dhe më të dhunshme.

Por, po mësojmë gjithnjë e më shumë rreth rrënjëve të këtij radikalizimi, si i gjuan të rinjtë kur janë më të cënueshëm – kur janë të papunë, kur e shohin veten pa mundësi apo kauzë për dinjitet, kur ndjehen më të shkëputur nga komunitetet që i kanë rritur.

Kjo nuk ndodh brenda natës dhe pjesë e sfidës sonë kolektive është që t’i mësojmë shenjat paralajmëruese dhe t’i kemi në dispozicion strategjitë për ta ditur çka duhet të bëjmë kur e ndjejmë se diçka është tepër keq.

Kjo nënkupton që t’iu ofrojmë të rinjve tanë njohuri mediatike dhe shkathtësi për mendim kritik të domosdoshëm për t’iu rezistuar premtimeve të rrejshme të ekstremizmit të dhunshëm.

Komunitetet vendore paraqesin burimin më të fuqishëm në këtë përsiatje për parandalimin e radikalizimit: familjet, miqtë, fqinjët, mësuesit dhe prijësit fetarë që i duan dhe kujdesen për të rinjtë në komunitetin e tyre.  Duhet t’i bëjmë bashkë shoqëritë që ofrojnë mbështetje, mundësi, dinjitet që formojnë alternativën ndaj atij shtegut të errët.

Më rrënjësorja, duhet të investojmë në rininë e sotshme që të shprehin zërin domethënës në jetën e komuniteteve dhe vendit të tyre.  Edukimi do të luajë rol vendimtar – si në shkollë, ashtu edhe në shtëpi – për ta fituar betejën për mendjet e gjeneratave të ardhshme.

E natyrisht, zbatimi i ligjit është institucion kritik edhe në këtë përsiatje.

Siç mund ta dini, prej kur kam ardhur në Kosovë para një viti e gjysmë, shpesh kam folur për zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit.

E vazhdoj të besoj se një vend, të rinjtë e të cilit shohin mundësi për veten e tyre dhe që besojnë se qeveria e tyre ka besim në ta, kanë më pak gjasa që t’i nënshtrohen frikës e izolimit që i bën aq të cënueshëm.

Të gjithë ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku për ta ndërtuar një Kosovë transparente, të begatshme, pa korrupsion dhe përfshirëse, qytetarët e së cilës i kanë mundësitë që i meritojnë për të lulëzuar.

Pjesëmarrja e përkushtuar e juve në një numër kaq të madh – që jemi bashkuar për të formuar një rrjet të ri në këtë luftë – flet për rëndësinë e shoqërisë civile në këtë përpjekje dhe si partnere për forcimin e lidhjeve me komunitetet dhe për ta mbajtur Kosovën të sigurtë.

Ju falënderoj për partneritetin tuaj dhe që punoni me mund çdo ditë në emër të qytetarëve të Kosovës dhe për interesat më të mira të vendit tuaj.

Ju faleminderit.