Fjala e Ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë së përmbylljes së Trajnimit për menaxhimin taktik të traumave për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë Kufitare të Kosovës, 30 mars 2018
Mirëdita. Ministër, Gjeneral, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë Kufitare të Kosovës. Jam shumë i lumtur që jam këtu. E kuptoj që gjatë dy javëve të shkuara keni mësuar shkathtësi thelbësore për menaxhimin e traumave. Shpresoj që kurrë të mos jeni në situatë kur vërtetë ju duhet t’i përdorni këto shkathtësi. Askush nuk dëshiron të jetë në situatë të tillë. Por, nëse nevojitet, tani ju i posedoni aftësitë dhe shkathtësitë për tu marrë me çdo gjë: prej lëndimeve të lehta e deri te fatkeqësitë e mëdha. Dini si të vlerësoni pacientët, si t’i mbani gjallë deri sa të arrijë ndihma e duhur mjekësore. Jeni të përgatitur për të shpëtuar jetë. Mendoj se kjo është shkathtësi më se thelbësore për njerëzit në shërbim publik, për pjesëtarë të FSK-së, për policë, për njerëz në linjën tuaj të punës.
Veçanërisht më vjen mirë që ky trajnim ka përfshirë pjesëmarrës nga Policia Kufitare dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës. E di se bashkëpunimi ndërmjet agjencive është thelbësor, edhe pse nuk është i lehtë, prapëseprapë është thelbësor. Më vjen mirë që dëgjova që gjërat kanë shkuar mirë dhe shpresoj se do të keni mundësi tjera për trajnim ndërmjet agjencive.
Përveç kësaj, dëshiroj të theksoj se më vjen mirë që po shoh që ky trajnim ishte i larmishëm për nga përbërja. Kjo gjë pasqyron qëllimin e Kosovës për të qenë vend më përfshirës dhe më mikpritës, duke iu ofruar të gjithë qytetarëve të saj mundësi për të ardhme më të mirë jo për shkak të gjinisë apo etnisë, por për shkak të vendosmërisë dhe aftësive.
Elementi mbështetës civil-ushtarak nga ambasada amerikane ka vënë marrëdhënie të fuqishme me FSK-në dhe me PK-në për më shumë se katër vite. Ngjarjet si këto shpërfaqin frytet e kësaj marrëdhënie. Këto ngjarje tregojnë profesionalizmin dhe përkushtimin e njëmendtë të burrave dhe grave që me vetëmohim dalin vullnetarë për të shërbyer dhe mbrojtur jetën e bashkëqytetarëve të tyre. Jam krenar që jam dëshmitar i drejtpërdrejtë i përkushtimit tuaj.
Edhe njëherë, urime të gjithë të diplomuarve në këtë trajnim, instruktorëve dhe prijësve që e kanë mundësuar atë. Ju lumtë!
Ju faleminderit shumë!