Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve për videospote lidhur me zgjedhjet të organizuar nga Demokracia në Veprim, 8 qershor 2017
Më vjen shumë mirë që jam këtu dhe falenderoj Demokracinë në Veprim dhe Institutin Demokratik të Kosovës për organizimin e kësaj ngjarjeje në një ditë kaq të bukur, si dhe për krjimin e një fushate kaq kreative dhe efikase për qasje te publiku. Mendoj se shumica prej jush e dini sa shumë jam i dhënë pas luftës sonë të përbashkët kundër korrupsionit. Natyrisht, falenderoj ambasadoren Apostolova dhe Bashkimin Evropian për udhëheqjen e tyre të pashembullt për mbështetjen e zgjedhjeve të lira dhe të besueshme në Kosovë.
Veç disa fjalë para se të kalojmë te fituesit e sotshëm të konkursit.
Së pari, interesi i vetëm i Shteteve të Bashkuara është që zgjedhjet të jenë të lira dhe të besueshme, si dhe pa kurrfarë lloji të dhunës apo kërcënimit politik.
Të gjithë kandidatët, në çdo parti, kanë të drejtë të bëjnë fushatë në përputhje me pikëpamjet dhe vlerat e tyre dhe duhet të mund ta bëjnë këtë të lirë nga çfarëdo kërcënimi, shtrëngimi apo frikësimi. Tashmë kemi parë tepër incidente të dhunës dhe frikësimit dhe iu bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që publikisht ta dënojnë kërcënimin e kandidatëve dhe votuesve dhe të ndihmojnë që dita të qetë të zgjedhjeve.
Kërkojmë nga Grupi veprues për zgjedhje të hetojë çdo raport të përpjekjeve për t’i ndikuar zgjedhjet.
E dyta, ambasada amerikane do t’i bashkohet organizatave të tjera ndërkombëtare duke dërguar ekipe nëpër vendvotimet nëpër tërë Kosovën dhe ambasadës sime do t’i bashkohen kolegë nga ambasadat amerikane nga rajoni. Do të vëzhgojmë votimin gjatë ditës dhe numërimin e votave pas mbylljes së qendrave të votimit.
E çmojmë thellësisht partneritetin e IDK-së me ne për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe për përpjekjet e tyre për të rekrutuar, trajnuar dhe dërguar në terren një grup prej 2800 qytetarëve si vëzhguesë të zgjedhjeve. Në thelb, demokracia nënkupton pjesëmarrje dhe bashkim, prandaj i falënderoj të gjithë që kanë dalë vullnetarë për ta mundësuar këtë. Fundja, vetë qytetarët e Kosovës janë në pozitën më të mirë për të vlerësuar dhe raportuar çfarëdo parregullsie.
Në fund, dalja e votuesve në zgjedhje është tepër e rëndësishme dhe i ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës për të marrë pjesë në zgjedhje. Vota juaj është pjesë thelbësore e ndihmës për gdhendjen e së ardhmes së Kosovës. E dalja në numër të madh në zgjedhje ka rëndësi sepse e fuqizon qeverinë e ardhshme dhe siguron që vullneti demokratik i popullit të Kosovës po dëgjohet.
Prandaj, ju lutemi, planifikojeni paraprakisht ditën e zgjedhjeve për tu siguruar që e dini se si do të shkoni në vendvotim. Kërkoni nga shokët e fqinjtë ta bëjnë të njëjtën gjë.
Votimi jo vetëm që është ndër të drejtat më të rëndësishme të të qenit qytetar në një demokraci, por është edhe përgjegjësi. Pra, shpresoj që të gjithë qytetarët e Kosovës të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet.
Ju faleminderit!