Ceremonia e diplomimit të studentëve të Universitetit të Prishtinës

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve të Universitetit të Prishtinës, 2 qershor 2017

Rektor Dema, Ministër Bajrami, mysafirë të nderuar, si dhe të pranishmit më të rëndësishëm sot: të diplomuar të gjeneratës së vitit 2017 të Universitetit të Prishtinës.  Mirëdita.

A jeni të lumtur?

Kam kënaqësinë që jam këtu për ta shënuar diplomimin në UP dhe për të nderuar punën tuaj të mundimshme dhe të arriturat tuaja si studentë këtu.  Të gjithë ju keni ndjekur rrugë të ndryshme për të ardhur deri këtu, por sot jeni këtu të bashkuar me një qëllim të përbashkët – të lini shenja pozitive në të ardhmen e Kosovës si pjesëtarë të gjeneratës së vitit 2017 të UP-së.

E di se kohëve të fundit ju është dashur ta nxeni karrigen duke studiuar, por ma merr mendja që prapëseprapë e keni vërejtur se së shpejti ka zgjedhje.  Edhe pse nuk jam këtu për të folur për politikë, dëshiroj t’ju flas pak për udhëheqjen.  Fundja, si të diplomuar nga institucioni më i vjetër dhe më i madh i arsimit të lartë në Kosovë, ju paraqitni klasën më të re të prijësve të ardhshëm të Kosovës.

Ndoshta disa prej jush keni pasur rastin ta shihni ekspozitën me fotografi që ambasada ime e ka shfaqur bashkë me Bibliotekën Kombëtare.  Është ekspozitë me fotografi dhe rrëfime nga jeta dhe koha e presidentit të SHBA-së, John F. Kennedy, si dhe përfshinte disa mendime që mendoj se janë veçanërisht të rëndësishme për udhëheqës të ri si ju.

Presidenti Kennedy përkufizonte udhëheqjen përmes katër cilësive të rëndësishme.  Ai thoshte se vendit i duhen udhëheqës që kanë gjykimin, përkushtimin, integritetin dhe kurajën për të menduar përtej politikës tradicionale; udhëheqës të tillë që do t’i shfrytëzonin këto katër cilësi për t’i përqafuar vendimet e vështira dhe për të vepruar në interesin më të mirë të tërë vendit dhe për të mirën e përgjithshme.

E dini, Kennedy vinte nga një familje e madhe, por ai nuk ka folur për ta përdorur autoritetin e ti për avancimin e interesave të vëllezërve apo kushërinjve të tij e as të partisë së tij politike; jo – ai thoshte se prijësit duhet të veprojnë në interesin më të mirë të vendit dhe për të mirën e përgjithshme.  Besoj se këto janë idealet të cilat duhet t’i kërkojmë nga prijësit tanë – por, janë po ashtu ideale të cilat duhet t’i presim nga vetvetja.

Këto cilësi po ashtu kthehen në veprime që prijësit politikë i marrin.  Ndoshta keni dëgjuar për Kodin e sjelljes që përfaqësuesit e partive politike e kanë nënshkruar dje.  Kjo u organizua nga një organizatë e shoqërisë civile – Grupi Ballkanik për hulumtim të politikave, që udhëhiqet nga një i diplomuar i shquar i UP-së, Naim Rashiti.

Në kod, partitë vullnetarisht zotohen se:

  • Të angazhohen për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike;
  • T’i kontribuojnë atmosferës të sjellshme para zgjedhjeve;
  • Të mbajnë fushatë të drejtë dhe të dinjitetshme brenda normave demokratike, pa përdorim të gjuhës së urrejtjes dhe me respekt të dyanshëm;
  • T’i respektojnë rezultatet e zgjedhjeve; dhe
  • T’i respektojnë ligjet dhe rregulloret.

Besoj se ky Kod i sjelljes është reçetë e shkëlqyeshme për mbajtjen e zgjedhjeve me të cilat do të ndjehen krenarë të gjithë qytetarët e Kosovës.  I nxis të gjithë ata që janë aktivë në këtë fushatë dhe në këtë proces të zgjedhjeve t’iu përmbahen këtyre parimeve.

Presidenti Kennedy po ashtu ka pasur mendime të rëndësishme për normat demokratike, jo vetëm për prijësit politikë, por edhe për qytetarë.  “Në demokraci”, Presidenti Kennedy e kishte zakon të thoshte, “çdo qytetar, pa marrë parasysh interesimit të tij [apo të saj] për politikë, ‘mban post’; çdo njëri prej nesh mban pozitë të përgjegjësisë; dhe … lloji i qeverisë që e fitojmë varet nga mënyra se si i përmbushim këto përgjegjësi.  Ne, populli, jemi shefi dhe ne do ta kemi atë lloj të udhëheqjes politike – qoftë të mirë apo të keqe – që e kërkojmë dhe e meritojmë”.

Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2014 kanë votuar vetëm 44 % të qytetarëve të Kosovës të moshës 18-29 vjeçare.  Kjo nuk mjafton.  E ardhmja juaj – e ardhmja e grupmoshës suaj – është në vijë.  E ardhmja juaj — ose jo –si evropianë, shpresoj si qytetarët të një shteti të ardhshëm anëtar të BE-së.  Këto gjëra do të vendosen nga njerëzit që ju i zgjidhni më 11 qershor.

Dëshiroj të përmend edhe diçka tjetër.  Kam lexuar një artikull interesant ku citohej një analist kosovar, sipas të cilit bashkësia ndërkombëtare do të vendoste se kush do t’i fitonte zgjedhjet.  Ta dini që kqyra me kolegët e mi nga kori diplomatik dhe po del që asnjëri prej tyre – e as unë – nuk kemi kohë për tu takuar që ta marrin atë vendim.  Pra, me gjasë kjo do të thotë që vendimi varet nga ju, qytetarët, ashtu siç do të duhej të ishte.

Gjatë fushatës dhe së shpejti në vendvotim, ju jeni ‘shefi’ siç ju quante Presidenti Kennedy – dhe varet nga ju për të kërkuar atë lloj të udhëheqjes politike që e meritoni.  Jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme, por për të ardhmen e Kosovës.  Ndoshta mund ta quajmë këtë si testin e parë si të diplomuar të Universitetit të Prishtinës.

Edhe njëherë, urime diplomimin.  E them me plot bindje se ju jeni prijësit e ardhshëm të këtij vendi dhe pres me padurim ta shoh gjeneratën e vitit 2017 të UP-së duke lënë shenja pozitive në të ardhmen e Kosovës.