Mysafirë të nderuar, z. Hajzeri, drejtor i departamentit komunal për arsim, zëvendës-ndihmëse e sekretarit Adiga, mysafirë nga programi Access nga Kamenica, Natasha, staf dhe mësimdhënës nga Community Building Mitrovica, familjarë dhe shokë të nxënësve. Mirëseardhje të posaçme i dëshiroj nxënësve të gjeneratës së vitit 2018 të programit Access në Mitrovicë, e veçanërisht të diplomuarve të gjeneratës së vitit 2016.
Jam shumë i lumtur që jam ndër të parët që po e uroj këtë grup të nxënësve të talentuar. Jam më se i mahnitur me përkushtimin dhe qëndrueshmërinë tuaj, por ndoshta më së shumti me vullnetin tuaj për ta shfrytëzuar kohën e lirë për të mësuar gjuhën angleze dhe kulturën amerikane.
E di sa sfiduese mund të jetë kjo. Gjatë tërë jetës, i kam studiuar shumë gjuhë dhe kultura, përfshirë edhe pak shqip para se të vija këtu dhe serbo-kroatisht para se të shkoja në Kroaci. Gjuhët janë të zorshme! Posaçërisht e jona.
Por, duke ndarë kohë për të mësuar anglisht, tash mund të mëtoni të merrni pjesë në ndonjë prej programeve tjera edukative apo të shkëmbimit që i ofron ambasada amerikane, siç është programi UGRAD apo Fulbright.
E mund të mësoni për të gjitha këto programe në uebfaqen e re të ambasadës sonë në xk.usembassy.gov. Shikojeni sot!
Duke e njohur gjuhën angleze, një botë e tërë e mundësive hapet para jush, veçanërisht në shkollimin e lartë, por edhe më vonë kur të bëheni pjesë e fuqisë punëtore.
Nëse më lejoni t’jua jap një këshillë të diplomuarve të suksesshëm – diçka që e di saktë për gjuhët e huaja – nëse gjuhën nuk e përdorni, filloni ta harroni atë. Prandaj, vazhdoni ta përdorni anglishten. Mundohuni të gjeni situata dhe mundësi të reja ku mund t’i zhvilloni edhe më tej shkathtësitë tuaja. E di se nëse vazhdoni t’i shfrytëzoni mësimet e nxëna në dy vitet e fundit – qoftë në gramatikë, fjalor, lidership dhe shërbim – atëherë, potenciali juaj është i jashtëzakonshëm. E di se do t’na bëni ne dhe familjet tuaja krenarë.
Nxënësve të programit Access në Mitrovicë të gjeneratës së vitit 2018, ju dëshiroj shumë fat. Do ta zbuloni se anglishtja mund të jetë gjuhë frustruese dhe sfiduese, por siç e dinë të sapodiplomuarit, mund të jetë edhe kënaqësi. E në fund të fundit, kjo punë e mundimshme ia vlen.
Po ashtu, mendoj se është më se e përshtatshme që po e mbajmë këtë ceremoni kaq afër urës së lumit Ibër, e cila e lidh vetë Mitrovicën. Programi Access është si urë simbolike ndërmjet komuniteteve shumicë dhe pakicë të Kosovës, duke iu ndihmuar pjesëmarrësve ta shohin njëri-tjetrin si individë dhe shokë e jo vetëm si anëtarë të një grupi të të ‘tjerëve’.
Miqve dhe familjarëve që janë sot këtu, si dhe të tjerëve që janë me zemër këtu. Ju faleminderit që i keni mbështetur këta nxënës dhe për besimin e treguar në programin Access. Asnjë prej kësaj s’do të ishte e mundur pa nxitjen dhe mbështetjen tuaj për fëmijët tuaj.
Dhe në fund krejt, mësimdhënësve dhe administratorëve të Community Building Mitrovica – ju faleminderit për punën tuaj të mundimshme. Urime për dy grupe fantastike të nxënësve. Ju njëmend po ua ndryshoni jetën njerëzve dhe po e ndërtoni një të ardhme më të ndritur për Kosovën.
Urime dhe njëherë, të sapodiplomuarve dhe nxënësve të ri. Ju uroj shumë fat në të gjitha përpjekjet tuaja të ardhshme.