Tregti/Biznes

Mesazh nga Ambasadori

I dashur vizitor – Faleminderit që ke gjetur kohë për ta përdorur faqen e biznesit në ueb-faqen e ambasadës sonë dhe për të mësuar më shumë mbi mundësitë e biznesit në Kosovë. Që nga pavarësia e saj në vitin 2008, Kosova ka bërë përparim thelbësor në themelimin dhe zhvillimin e politikave dhe legjislacionit për treg të lirë, si dhe në përmirësimin e klimës së biznesit. Kosova është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe ka nënshkruar një marrëveshje kornizë me Bankën Evropiane të Investimeve. Kosova gëzon tregti të lirë me të gjithë fqinjët e saj dhe është anëtare e Marrëveshjes së Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA). Kosova mban status preferencial tregtar me BE-në dhe ka privilegje të Sistemit të përgjithësuar të preferencave (GSP) me Shtetet e Bashkuara, me theks në industrinë e lehtë, të mineraleve, materialeve të ndërtimit, si dhe disa prodhimeve të caktuara bujqësore. Në prill të vitit 2016, Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, duke liberalizuar më tej tregun dhe duke hapur tregjet me BE-në.

Si vend në zhvillim, Kosova ofron një varg të mundësive për investime në nivelin bazë në sektorin minerar, energjetik dhe të bujqësisë. Kosova radhitet e pesta për nga rezervat më të mëdha të linjitit në botë dhe ka një bollëk të mineraleve dhe resurseve natyrore jo-energjetike me potencial për investime. Infrastruktura, shëndetësia dhe telekomunikacioni po ashtu paraqesin mundësi për investime. Franshizat paraqesin edhe një tjetër fushë të mundësive. Kosova hapi franshizën e saj të parë nga SHBA-të, Kentucky Fried Chicken, në gusht të vitit 2016. Popullsia e Kosovës, më e reja në Evropë, është me orientim perëndimor; shumë qytetarë të saj e flasin gjuhën angleze dhe kanë jetuar, punuar apo studiuar jashtë vendit.

Në vitet e fundit, Kosova e ka përmirësuar klimën e biznesit: Qeveria e Kosovës së fundi ka zbatuar një paketë të re fiskale për të nxitur zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja dhe rritjen e të hyrave. Me këtë është vendosur një normë e sheshtë tatimi prej 10 përqind mbi të ardhurat e korporatave dhe personale, janë hequr disa leje dhe licenca të tepërta dhe janë ndërmarrë masa për të rritur lehtësinë e të bërit biznes. Qeveria rithemeloi Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE), të kryesuar nga Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, në të cilën marrin pjesë shumë ministri dhe odat ekonomike vendore.

Klima e biznesit dhe investimeve në Kosovë gjithashtu ka disa sfida, që Ambasada është e gatshme t’i ndihmojë kompanitë amerikane t’i tejkalojë. Përkundër përparimit në vitet e fundit, mangësitë në kapacitetet burokratike dhe teknike në nivel të pushtetit vendor dhe qendror mbesin sfidë për zhvillimin ekonomik. Ngecjet në shqyrtimin e rasteve gjyqësore vazhdojnë, pavarësisht miratimit të një “Strategjie kombëtare për zvogëlimin e lëndëve të vjetra të grumbulluara” nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në vitin 2010. Korrupsioni mbetet një sfidë dhe pasqyron mendësinë “kosto-e-të-bërit-biznes” të përhapur në shumë pjesë të rajonit. Lufta kundër korrupsionit është bërë prioritet i lartë për përpjekjet e ambasadës amerikane në Kosovë.

Kosova po modernizon infrastrukturën e saj: autoudha nr. 7, e ndërtuar nga konsorciumi amerikano-turk Bechtel-Enka, e lidh Kosovën me Shqipërinë dhe bën të mundur udhëtimin nga kryeqyteti Prishtina në bregdetin e Adriatikut në më pak se katër orë. Një autoudhë e re për Maqedoni, Rruga 6, është në ndërtim e sipër dhe në mënyrë të ngjashme do të lehtësojë tregtinë, ekonominë, udhëtimin dhe turizmin. Qeveria po ashtu është duke punuar në privatizimin e një brezi të aseteve në pronësi publike: rihapi Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës në bazë të një marrëveshjeje koncesioni me një terminal të ri modern, përfundoi privatizimin e rrjetit të saj të shpërndarjes së energjisë dhe kohët e fundit miratoi ndërtimin privat të një termocentrali të ri me qymyr, Kosova e Re.

Me një kornizë të mirë ligjore, paga konkurruese, besnikëri të fortë ndaj brendeve amerikane dhe përpjekje për të tërhequr Investimet e Huaja Direkte, tani është koha që sektori privat dhe veçanërisht investitorët e huaj, të përfitojnë nga mundësitë e shumta që Kosova ka për të ofruar.

Mirëpresim rastin për të dëgjuar nga ju dhe për të mbështetur planet tuaja të biznesit.