Bisedë e drejtpërdrejtë në Facebook me Ambasadorin Delawie dhe Këshillin Rinor, Java kundër korrupsionit 2016, 9 dhjetor 2016
Këshilli Rinor: Përshëndetje miq të Facebook-ut. Sot është Dita ndërkombëtare kundër korrupsionit në Kosovë dhe kjo është një javë plotë me aktivitete. Intervista me Ambasadorin Delawie është njëra prej aktiviteteve të kësaj jave. I kemi disa pyetje nga audienca e Facebook-ut dhe do t’u përgjigjemi. Pra, nëse jeni gati z. Ambasador, do të fillojmë me pyetjen e parë.
Gjersa Kosova shënon Javën kundër korrupsionit, a mund të na thoni shkurtimisht, nga perspektiva juaj, çfarë është bërë deri më tani për ta ulur shkallën e korrupsionit në Kosovë?
Ambasadori Delawie: Nga perspektiva jonë, këtu në Ambasadë, mendoj që kemi pasur një vit të mirë deri më tani. E kemi ngritur shumë vetëdijesimin për problemin e korrupsionit. Kemi mbështetur shumë projekte që ia zvogëlojnë korrupsionit gjasat për të ndodhur, p.sh. prokurimi elektronik, dhe po i mbështesim prokurorët, gjykatësit dhe policinë si t’i trajtojnë, hetojnë dhe ndjekin penalisht rastet e korrupsionit. Së fundi, kemi marrë një qëndrim dhe unë refuzoj të takohem me zyrtarë që janë akuzuar apo dënuar për korrupsion. Mendoj që kemi bërë pak progres, kjo javë në veçanti ka qenë e mrekullueshme sepse shumë aktivitete janë organizuar në tërë Prishtinën, në tërë Kosovën. Para pak kohësh isha duke folur në radio me disa reporterë në Pejë për të diskutuar për atë që kanë qenë duke bërë. Pra është e mrekullueshme dhe, natyrisht, nuk jemi të vetëm. Organizatat joqeveritare, shoqëria civile, gazetarët si ju, ambasadat e tjera, shumë punë është duke u bërë këtë javë. Pra mendoj që ka qenë një javë e mrekullueshme.
Këshilli Rinor: Z. Ambasador, mund të themi që Kosova e ka kornizën e vet ligjore, sipas të cilës sistemi i saj i drejtësisë mund të veprojë lirshëm dhe të ndërmarrë masa për ta parandaluar apo dënuar korrupsionin, por a ka ky sistem guxim ta bëjë këtë? Sepse deri më tani kemi pasur disa afera të korrupsionit dhe asnjë veprim nuk është ndërmarrë për këto raste.
Ambasadori Delawie: Mendoj që pyetja juaj vërtet ngre një çështje të rëndësishme dhe ajo është dallimi mes ligjeve dhe zbatimit të tyre. Tani, në përgjithësi, mendoj që ligjet në Kosovë janë mjaft të mira dhe, në të vërtetë, gjatë verës Shqipëria ishte duke bërë reforma në drejtësi dhe ajo mësoi shumë nga ligjet e Kosovës. Pra, mendoj që ligjet janë në një vend mjaft të mirë dhe gjëja kryesore në të cilën Kosova duhet të punojë është zbatimi i tyre. Ambasada ime, dhe të tjerët natyrisht, punojnë shumë me gjyqësorin, prokurorët, policinë për t’u ndihmuar atyre, për t’i trajnuar ata në mënyrë që të jenë më të përgatitur për t’i trajtuar këto raste, sepse disa prej tyre janë të ndërlikuara dhe provat nuk janë gjithmonë ato që vërtet i dëshironi. Trajnimi ndihmon shumë. Të gjithë duhet të kenë guxim për ta luftuar korrupsionin. Të gjithë duhet ta zotërojnë këtë çështje. Mendoj se kjo është shumë me rëndësi. Jo vetëm zyrtarët e qeverisë që janë të ngarkuar me këtë punë, por çdo qytetarë.
Këshilli Rinor: Tani kemi një pyetje nga audienca jonë e Facebook-ut dhe njëri prej tyre pyet: A mendoni që Kosova ka nevojë për reforma në drejtësi, për një reformë që nuk ofron hapësirë për gjykatës, prokurorë dhe persona të tjerë të përfshirë për të vepruar siç dëshirojnë, për një reformë që i mban përgjegjës për punën e tyre joprofesionale dhe të papërfunduar?
Ambasadori Delawie: Nuk mendoj se Kosovës i duhet një reformë për verifikimin e gjykatësve, sepse kjo tashmë ka ndodhur; megjithatë, është e qartë se duhet të bëhen ca ndryshime: veprimet joprofesionale dhe joefikasiteti në sistemin e drejtësisë duhet të trajtohen, vlerësimet e përmbushjes së detyrave të punës duhet të jenë reale dhe të bazuara në atë që njerëzit vërtet bëjnë dhe më pas, përfundimisht, sistemi disiplinor për gjykatës dhe prokurorë duhet të reformohet në mënyrë që akuzat për sjellje të keqe të trajtohen në mënyrë të drejtë e transparente.
Këshilli Rinor: Z. Ambasador, si mund t’i rrisë qeveria jonë përpjekjet për ta luftuar dhe parandaluar korrupsionin?
Ambasadori Delawie: Sipas mendimit tim, tri gjërat më të rëndësishme për ta luftuar korrupsionin janë: të vështirësohet puna që korrupsioni të mos ndodhë, trajtimi i korrupsionit sapo të ndodhë dhe qytetarët të ndërmarrin masa që janë nën kontrollin e tyre. Sa i përket vështirësimit të punës që korrupsioni të mos ndodhë, është me rëndësi të ketë transparencë të plotë në vendimmarrjen e qeverisë, posaçërisht lidhur me paratë dhe prokurimin. Këtu bëjnë pjesë buxhetet, financimi i partive politike, prokurimet, dhe jemi duke e mbështetur, së bashku me disa donatorë të tjerë, një sistem elektronik të prokurimit që do të sigurojë transparencë ndaj publikut dhe gazetarëve lidhur me atë që qeveria është në të vërtetë duke blerë. Kjo është në zhvillim e sipër. Por shpresojmë shumë se do të ketë ndikim në korrupsion. Elementi i dytë ka të bëjë me korrupsionin kur ai ndodh. Korrupsioni ndodh në çdo vend të botës, përfshirë edhe vendin tim. Sikur të mund ta valëvisnim një shkop magjik dhe ta hiqnin atë qafesh, do ta bënim, por ju e dini se gjersa ka njerëz të përfshirë, disa prej tyre do të jenë të korruptuar. Është me rëndësi që policia, prokurorët dhe gjykatësit t’i trajtojnë këto si çështje të rëndësishme që janë, sepse korrupsioni e dëmton besimin e publikut, e zbeh besimin në qeveri. Pra edhe disa të gjëra në shkallë të vogël duhet të trajtohet si shembull për zyrtarët e tjerë. Prokurorët, policia dhe gjykatësit duhet t’i hetojnë këto raste tërësisht, të zhvillojnë prova, të sigurojnë dënime nëse provat e mbështesin atë dhe kjo do ta krijojë një trend pozitiv. Gjëja e tretë është që qytetarët duhet të refuzojnë të marrin pjesë në korrupsion. Ata nuk duhet të japin ryshfet për terminët e tyre mjekësore, për nota për fëmijët e tyre në shkollë dhe duhet ta raportojnë korrupsionin në linjën e drejtpërdrejtë të korrupsionit kur ta shohin atë.
Këshilli Rinor: Siç thatë, Kosova nuk është vetëm kur bëhet fjalë për korrupsionin, por sa e rëndësishme është që Kosova ta parandalojë korrupsionin në sistemin tonë të arsimit?
Ambasadori Delawie: Kjo është vërtet një çështje e rëndësishme. Kam dëgjuar storje shumë të trishtueshme për prindërit që paguajnë për notat e fëmijëve të tyre në shkollë, për studentët që paguajnë për nota dhe gjëra të tilla. Kjo është shumë shqetësuese, sepse kjo do të thotë që të rinjtë tashmë janë duke u trajnuar në një sistem të korrupsionit që në moshë të hershme, kur ata vërtet duhet të trajnohen si të arrijnë sukses në botën moderne. Pra, integriteti akademik është punë e madhe, është shumë i rëndësishëm. E di që kjo është një sfidë. Por, e dini, duhet të mendoni – a do të shkonit tek një mjek i cili e ka kaluar provimin e fiziologjisë në Universitet pasi i ka dhënë ryshfet një profesori? Kjo ka ndikim të madh dhe është i madh në çdo fushë. Mendoj që kjo është një çështje shumë e rëndësishme. E di që ka pasur disa përpjekje në universitete në dy vitet e fundit dhe ne, natyrisht, i mbështesim ato.
Këshilli Rinor: Kjo është një pyetje nga Facebook-u. Çka do t’u thoshit njerëzve të cilët pohojnë se Ambasada është duke e mbështetur korrupsionin në Kosovë?
Ambasadori Delawie: Para së gjithash, do të thosha që jo nuk është e saktë. Përveç kësaj, do të thosha që ka pothuaj dy vjet që jam këtu dhe nuk ka kaluar as një javë e vetme që nuk kam bërë diçka publikisht ose privatisht për ta ndihmuar luftën kundër korrupsionit në Kosovë. Sot i kam pesë ngjarje! Nuk kalon asnjë javë që unë nuk bëj diçka. Sigurisht shpresoj ta demonstroj këtë përmes bisedës sonë këtu se lufta kundër korrupsionit është diçka që unë e shoh si shumë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës dhe diçka për të cilën qeveria ime përkushtohet shumë. E kuptoj që njerëzit duan të shohin veprim më të shpejtë, edhe unë dua të shoh veprim më të shpejtë. Mendoj që kemi bërë shumë përparim në dy vjetët e fundit. Me siguri e kemi ngritur vetëdijesimin, e kemi ngritur vëmendjen për këtë çështje. Kjo është vetëm diç për të cilën duhet të vazhdojmë të punojmë çdo ditë, gjithmonë. Siç thashë, kemi korrupsion edhe në vendin tim dhe njerëzit ndiqen penalisht çdo vit për korrupsion.
Këshilli Rinor: Dhe ky është një proces i gjatë.
Ambasadori Delawie: Po ta kisha shkopin magjik do ta përdorja, sinqerisht.
Këshilli Rinor: Patëm një javë të gjatë me aktivitete, aktivitete kundër korrupsionit, dhe të rinjtë u përfshinë gjithashtu. A keni ndonjë sugjerim për të rinjtë e Kosovës, dua të them ndonjë porosi për të rinjtë e Kosovës, nëse ata në ndonjë rast përballen me korrupsion dhe ngurrojnë ta raportojnë atë, çka do t’u thoshit atyre?
Ambasadori Delawie: Mendoj që kemi parë, në botën mbarë, se korrupsioni vërtet fillon të bjerë kur qytetarët e rëndomtë ndalojnë ta tolerojnë atë. Mendoj se është me rëndësi që korrupsioni të lajmërohet në linjën e drejtpërdrejtë telefonike të korrupsionit, në një shoqatë mjekësore, tek ndonjë zyrtar i universitetit për korrupsion kur ta shihni atë. Por gjithashtu mendoj se është shumë me rëndësi që të rinjtë, studentët, të mos marrin pjesë në korrupsion, ata duhet të largohen nga korrupsioni. Kur u kërkohet të paguajnë ryshfet, ata duhet të thonë jo dhe ta bëjnë këtë punë të madhe, sepse të gjithë policët, të gjithë prokurorët, të gjitha sistemet e reja nuk do të jenë mjaftojnë nëse njerëzit nuk bëjnë bujë për këtë çështje.
Këshilli Rinor: Dhe çka nëse frikësohen ta parandalojnë korrupsionin?
Ambasadori Delawie: E kuptoj që kjo është problem në disa raste. Natyrisht, nuk po kërkoj nga askush që ta vërë veten në rrezik për t’u marrë me këtë çështje, por natyrisht nuk dua që njerëzit të mendojnë se janë vetëm. Ata nuk janë personi i vetëm në këtë situatë. Ka edhe njerëz të tjerë që e kundërshtojnë korrupsionin, që janë të të njëjtit mendim. Ata duhet të flasin me shokët e vet për të cilët mendojnë se janë mirëdashës dhe mbase do të jenë më të sigurt në numër se që do të ishin po ta raportonin korrupsionin si individ.
Këshilli Rinor: Ju thatë që korrupsioni është problem edhe në Amerikë. A ka ndonjë element kulturor të korrupsionit që e vështirëson punën për ta luftuar atë në Kosovë?
Ambasadori Delawie: Nuk jam i sigurt se do t’ia atribuoja këtë kulturës. Të mos harrojmë që ka vetëm tetë vjet që Kosova është shtet i pavarur dhe ajo doli nga sistemi jugosllav që kishte problemet e veta të korrupsionit që ishin të bazuara në socializëm dhe komunizëm. Kjo mua nuk më tingëllon si kulturë, më tingëllon më tepër si histori. Korrupsioni është problem kudo në botë dhe mendoj se është me rëndësi të shikohet çfarë ka ndodhur në shtetet e tjera dhe çfarë mësimesh mund të nxirrni prej tyre, sepse një fjalë e urtë thotë: “Është me rëndësi të mësosh nga gabimet tua”. Plotësisht besoj në këtë, por mendoj se është më me rëndësi të mësojmë nga gabimet e të tjerëve. Vendet e tjera janë përpjekur të merren me këtë, disa me shumë sukses, disa me më pak sukses dhe gjërat që po përpiqemi t’i bëjmë këtu, që Ambasada ime është duke i mbështetur këtu, bazohen kryesisht në atë që ka pasur sukses në vendet e tjera.
Këshilli Rinor: Kemi edhe një pyetje tjetër nga audienca jonë e Facebook-ut. Disa njerëz në Kosovë perceptohen si të korruptuar. Pse nuk flisni në mënyrë specifike për njerëzit për të cilët mendoni se janë të korruptuar?
Ambasadori Delawie: Kjo është një përgjigje shumë e thjeshtë – si zyrtar i qeverisë, zyrtar i një qeverie të huaj, nuk mund të sillem përqark duke bërë thirrje për njerëz që nuk janë dënuar për ndonjë krim. Nuk jam gjykatës. Nuk jam polic. Nuk jam prokuror. Po të filloja t’i quaja njerëzit me emër si të korruptuar, jo vetëm që do të kritikohesha me të drejtë për ndërhyrje në sistemin e sundimit të ligjit të Kosovës, por kjo do t’ua vështirësonte edhe më tepër punën prokurorëve për të arritur dënimin e atij individi. Kjo është shumë e thjeshtë. Ajo që ne bëjmë është mbështetja e sistemit, i mbështesim gjykatësit, e mbështesim policinë, i mbështesim prokurorët, mbajmë shumë trajnime. Dhe, siç thashë më herët, refuzojmë të takohemi me zyrtarë që janë akuzuar për keqpërdorim të detyrës apo korrupsion. Por, kini parasysh, ky është një vendim që e merr dikush tjetër, prokurorët vendosin kush do të akuzohet, pra nuk jam unë ai që merr vendim që dikush të akuzohet. Unë vendos të mos takohem me të kur është i akuzuar, por nuk jam unë ai që merr vendim. Kjo është një vijë të cilën unë, si zyrtar i një qeverie të huaj, thjesht nuk mund ta kapërcej, dhe nëse filloj t’i emëroj njerëzit që nuk janë dënuar, kjo nuk do ta përmirësonte situatën. Në fakt, kjo vetëm do ta përkeqësonte situatën.
Këshilli Rinor: Z. Ambasador, cili duhet të jetë rezultati i Javës kundër korrupsionit? Çfarë duhet të ndodhë gjersa ecim përpara?
Ambasadori Delawie: Mendoj që ka pasur shumë aktivitete vërtet të mira gjatë kësaj jave. Por mendoj se është me rëndësi të kalojmë prej bisedave që i kemi bërë të gjithë – bisedimi është shumë i rëndësishëm – por duhet të kalojmë në vepra. Duhet t’i inkurajojmë zyrtarët që punojnë në sundimin e ligjit që ta bëjnë punën e vet sa më me efikasitet, ta zbatojnë ligji njëlloj për të gjithë. Barazia para ligjit është parim themelor demokratik, prandaj të gjithë duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë pavarësisht rangut apo pozitës së tyre në jetë kur kemi të bëjmë me sundimin e ligjit. Pra, duhet t’i inkurajojmë zyrtarët ta bëjnë këtë dhe, si qytetarë, duhet të themi: “Mjaft është mjaft, nuk do të marr më pjesë në të, do ta lajmëroj sapo ta shoh”. Jemi duke bërë progres, duhet të vazhdojmë të bëjmë progres. Miku im, Shefi i OSBE-së, Ambasadori Jan Braathu, tha më herët gjatë ditës në një konferencë: “Është mirë që e kemi ditën kundër korrupsionit, por vërtet çdo ditë duhet të jetë ditë kundër korrupsionit” dhe mendoj që kjo është e vërtetë.
Këshilli Rinor: Vërtet është. Ju faleminderit shumë z. Ambasador.
Ambasadori Delawie: Faleminderit Linda, faleminderit Kristina.
Këshilli Rinor: Pra, shpresoj që z. Ambasador u është përgjigjur disa pyetjeve tuaja kësaj radhe dhe mos harroni atë që tha, se çdo ditë duhet të jetë ditë e luftës kundër korrupsionit.