Fjalimi i ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë së diplomimit në Universitetin Amerikan të Kosovës, 11 maj 2016

Anëtarë të Këshillit Drejtues, president Thompson, nënpresident Cosentino, përfaqësues nga Instituti i Teknologjisë i Rochesterit, familjarë, miq, studentë dhe më të rëndësishmit, të sapodiplomuar të gjeneratës së vitit 2016 të Universitetit Amerikan të Kosovës.  Mirëdita.

A jeni të gjithë të lumtur?  E mbaj mend këtë.

Kam kënaqësinë që jam këtu bashkë me ju për ta shënuar ceremoninë e 12-të të ndarjes së diplomave të AUK-ut dhe për të nderuar punën tuaj të mundimshme dhe të arriturat tuaja gjatë katër viteve të shkuara.  Keni mbijetuar dhe keni lulëzuar prej hartimit të seminarëve të parë e deri te zhytja.  Keni ardhur në këtë kampus para katër viteve prej vendeve të ndryshme dhe me prejardhje të ndryshme, por sot qëndroni të bashkuar – jo vetëm për shkak të kapeles dhe mantelit që bartni, por për shkak të përvojave të përbashkëta.  Jeni bashkë për shkak të lëndëve që i keni ndjekur, veprimtarive në të cilat keni marrë pjesë dhe projekteve që i keni zhvilluar.  Por mbi të gjitha, jeni të bashkuar për shkak të njohurive që i keni fituar dhe për shkak të qëllimit tuaj të përbashkët – për të lënë shenjën tuaj në botë si pjesë e gjeneratës së vitit 2016 të AUK-ut.

Është e vërtetë që AUK-u ka vend të posaçëm në këtë vend.  Çdo njëri nga ju është një prej vetëm rreth 1000 studentëve që kanë fituar diplomë amerikane duke studiuar në Kosovë.  Ju jeni pjesë e një rrjeti të ish të diplomuarve që shtrihet nëpër tërë botën, por fuqia e të cilit mbetet pikërisht këtu në Prishtinë.  Si ata që kanë ecur në këtë rrugë para jush, ju do të bëheni profesorë, doktorë, avokatë e shërbyes publikë.  Një ditë, ju do të bëheni deputetë, udhëheqës të shoqërisë civile ose shefa të ndërmarrjeve afariste.  Kjo është fuqia e madhe e këtij institucioni, por fuqia e madhe sjell edhe përgjegjësinë e madhe.  E përgjegjësia juaj do të vijë shpejt.

Sot po festojmë sa shumë keni ecur gjatë kohës suaj në AUK.  Por, e di se për disa prej jush, ndoshta për shumicën, dita e sotshme po ashtu vjen edhe me një ndjenjë të paqartësisë.  Pas viteve të tëra të rregullit dhe orarit – shko në mësim me kohë, kryeje këtë detyrë, mëso për këtë test – është vështirë të përballesh me të ardhmen plot me të panjohura.  Mëdyshja se “cilën lëndë zgjedhore ta zgjedh” kthehet në “për cilin vend pune të aplikoj”, kurse “si ta përballoj pagesën për studime” bëhet “si ta paguaj qiranë”?  Këto janë realitet me të cilat përballen edhe studentët më të mirë e më të zgjuar.  Kjo është mënyra se si ndjehen shumë kosovarë sot.  Më shumë se tetë vjet pas pavarësisë, kah po shkon Kosova?  Dhe si do të mbërrijë atje?

Si ambasador, shpesh flas me të rinj si ju dhe shpesh dëgjoj për paqartësitë dhe pasiguritë që i përcjellin të rinjtë e moshës 20 – 30 vjeçarë në Kosovë.  Kur do të kemi mundësi të udhëtojmë?  Pse qeveria nuk i përfaqëson njerëzit si unë.  A do të ketë punë?

E paramendoj se disa prej këtyre brengave janë shumë të vërteta për shumicën prej jush.  Pa marrë parasysh a e keni siguruar ndonjë vend pune apo ndonjë vend për studime pasuniversitare, kjo paqartësi – kjo pasiguri – është e pashmangshme në shoqërinë e sotshme.  E shpesh e dëgjoj që kthehet në një çështje kryesore – një çështje të vetme që paraqet ‘elefantin në çdo dhomë” në Kosovë.  Në një gjë të vetme që të gjithë mendojnë se e kuptojnë, por duket që askush nuk po e zgjidh: korrupsionin.  Ka shumë gjëra që ndërlidhen me korrupsion e për të cilat do të mund të flisnim sot – por nëse mundem, ta kthejmë fjalën te ju, të diplomuarit.  Ju jeni 133 prej më të mirëve dhe më të mençurve të Kosovës që mëtoni t’i ndryshoni gjërat – dhe disa prej jush kërkoni vend pune.

E dimë se të gjesh punë në institucionet publike është shumë vështirë pa lidhje dhe që mënyra më e lehtë për të gjetur punë është të përfitosh përmes ndikimeve politike ose familjare.  Kualifikimet dhe meritat shpesh nuk janë faktorët më të rëndësishëm dhe shumë vende pune në sektorin publik plotësohen pa konkurs të hapur.  Në anën tjetër, mospërputhja e shkathtësive për punë që kërkohen nga sektori privat me punëkërkuesit që janë në tregun e punës dhe rritja e ngadalshme e sektorit privat ka bërë që mijëra të diplomuar nga kolegjet të jenë në kërkim të punësimit.  I shohim diskutimet që bëhen nëpër kafeteritë e Prishtinës dhe ankohemi e rënkojmë për problemet dhe politikat e një sistemi aq të ngërthyer sa që ndjehemi të pafuqishëm për t’i ndryshuar gjërat.  Edhe kjo paraqet paqartësinë e një kombi që ende është në vitet e tij të formësimit.

Politika në Kosovë është e nxehtë – disa mandje mund ta quajnë përçarëse.  Por të jemi të qartë për një gjë: korrupsioni në Kosovë nuk është çështje politike.  Korrupsioni është çështje shoqërore.  Është çështje e kujdesit shëndetësor; është çështje akademike; është çështje ekonomike.  Korrupsioni nuk është vetëm pengesë për rritjen ekonomike apo zhvillimin e shërbimit të shkathtë civil; është pengesë për punë dhe për rritjen e pagës.  E gjëja më e krisur për korrupsionin sistematik është se ndikon te të gjithë.  Kur paguani më shumë se që duhet për një dokument zyrtar, të njëjtën gjë e bëjnë edhe të tjerët që presin në radhë pas jush.  Kur të mos e merrni një vend pune, i cili as që ka qenë i hapur, janë edhe qindra aplikuesë sikurse ju.  Qindra njerëz që mëtojnë ndryshimin, por që kanë qindra arsyetime pse ndryshimi nuk do të ndodhë kurrë.  Gjatë kohës sime të shkurtë në Kosovë, i kam dëgjuar të gjitha: politika nuk do të ndryshojë kurrë; është kultura ballkanike; të paktën jemi më mirë se fqinjtë tanë.

Por, thënia më e shpeshtë që e dëgjoj është: “Nuk mund të bëj asgjë për këtë”.  Kjo është thënia që më lëndon më së shumti; një thënie e thjeshtë e paqartësisë dhe pasigurisë që nuk mëton ndryshim, por nën të cilën valohet flamuri i bardhë dhe pranohet humbja.  Por, nëse gjithmonë bëni atë çka e bëni gjithmonë, atëherë do të merrni atë që e merrni gjithmonë.  Është e vërtetë: ndryshimi nuk ndodh vetvetiu.  Të diplomuar të AUK-ut të vitit 2016, e di se e kuptoni realitetin dhe urgjencën me të cilën Kosova përballet sot.  Ne shpesh ju quajmë ‘prijësit e Kosovës të së nesërmes’ dhe këtë e mendojmë përnjëmend.  Ju jeni gjenerata e ardhshme e politikanëve të mëdhenj, afaristëve dhe afaristeve të mëdhenj, prijësve të shoqërisë civile të mëdhenj të Kosovës.  Por, përkujtojani vetes se po ashtu ju jeni ‘ata që kryejnë punë’ të së sotmes.

E ka gjëra të shumta që mund t’i bëni tash.  Ju, si trup i plotë i studentëve, mund të refuzoni të paguani për gjërat e ndryshme, si p.sh. për nota.  Mund të refuzoni të paguani për termine te mjeku dhe për kujdesin shëndetësor, i cili iu takon.  Dhe kur shihni vepra të korrupsionit, raportoni ato.  Njoftone Agjencinë kundër Korrupsionit se çka po ndodh.  Njoftoni përmes rrjeteve sociale.  Tashmë është shenja në rrjet #Ipaidabribe që mund ta përdorni.

Por, ndoshta më e rëndësishmja është se ju mund të bëni ndryshimin që doni ta shihni.  Bëhuni profesionisti i tillë me të cilin do të dëshironit të punoni në fushën tuaj.  Mos u bëni ai personi që i ka dhjetë vende pune dhe dhjetë paga, por s’e kryen asnjërën punë.  E mbi të gjitha, mos e pranoni se korrupsioni është diçka e qenë.  Kam dëgjuar se ekziston një analogji që i përshkruan qytetarët e Kosovës si vrapues të mirë të shtigjeve të shkurta, por jo të maratonës.  Ushtroni për atë maratonë.  Mos hiqni dorë dhe mos e pranoni këtë status quo.

Po hamendësoj se shumë prej jush e keni dëgjuar thënien e famshme të Viktor Hygos: “Asgjë nuk është më e fuqishme se sa një ide të cilës i ka ardhur koha”.  Kjo është porosi e fuqishme që ka jehuar prej revolucionarëve francezë te udhëheqësit amerikanë për të drejta civile e deri te veprimtarët e pranverës arabe.  Por, me gjithë respektin për këta heronjë të njëmendtë, dëshiroj ta shtoj një gjë.  Shoqëritë nuk ndryshojnë vetëm për shkak të ideve të mëdha.  Ato ndryshojnë për shkak të njerëzve të mëdhenj, të cilët i shtyjnë përpara idetë e mëdha.  Njerëz të mëdhenj që e zhvillojnë, promovojnë dhe zbatojnë këtë ndryshim.  Njerëz të mëdhenj që e mishërojnë atë ndryshim.

Ju, të diplomuarit e AUK-ut të 2016-tës, jeni njerëz të mëdhenj me ide të mëdha.  Ju i keni kaluar katër vjet duke zhvilluar mendjet tuaja dhe duke i mprehur shkathtësitë tuaja pikërisht për këtë çast.  Ju mund ta bëni atë ndryshim tash.  Në fakt, si të diplomuar nga ky universitet i nderuar, guxoj të them që e presim këtë nga ju.  Nuk presim që t’i lëvizni malet, por absolutisht presim që të çoni pluhur.  Martin Luther Kingu i Riu njëherë ka thënë: “Nëse nuk mund të fluturoni, atëherë vraponi; nëse nuk mund të vraponi, atëherë ecni; nëse nuk mund të ecni, atëherë zvarrituni.  Por, çkado që të bëni, duhet të lëvizni përpara”.  Sa vlen kjo porosi për juve, po aq vlen edhe për vendin tuaj.  Paqartësia do të zhduket, ndryshimi do të vijë.  Kosova do të vazhdojë të lëvizë përpara nëse ju vazhdoni të lëvizni përpara.

Gjenerata e 2016-ës e AUK-ut, urime në ditën e diplomimit tuaj.  Sot, festojeni rrugëtimin që ju solli deri në këtë pikë.  Por, nesër përqendrohuni në rrugëtimin që e keni përpara, një rrugëtim ku ju bëheni udhëheqësë të tillë çfarë dëshironi t’i shihni dhe ku Kosova bëhet vendi që ju dëshironi që ajo të bëhet.

Suksese.  Llogaris në juve.  Ju faleminderit.